I çau kafkën me tullë vajzës, arrestohet autori i plagosjes
TIRANE – Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga një 18-vjeçar të kërkuar për plagosjen e rëndë të një vajze në korrik 2011. Burimet zyrtare kanë thënë se u ndalua shtetasi në kërkim Gertmyler Luan Ago, 18 vjeç, banues në Tiranë. Ndaj këtij personi, Prokuroria e Rrethit Gjyqësorë Tiranë ka lëshuar urdhër-arresti për ekzekutimin e vendimeve të dhëna nga gjykatat, të cilat e kanë dënuar të riun me 3 vjet burg. Sipas Policisë, i riu është mbajtur për disa kohë në Polici, ndërsa i mbetën për të vuajtur 2 vjet burg. Ngjarja për të cilën akuzohet 18-vjeçari i vënë në pranga ka ndodhur më 22 korrik 2011. Atë ditë, Komisariati i Policisë Nr.4 Tiranë ka marrë njoftim se në urgjencën e Spitalit Ushtarak ka shkuar e dëmtuar me sende të forta shtetasja Grejsi Xh., 17 vjeçe. Forcat e Policisë kanë kryer veprimet e para, ku përfshihet edhe marrja e kallëzimit të së dëmtuarës. Nga dëshmia e saj, por edhe nga hetimi në tërësi i çështjes, ka rezultuar e provuar se e dëmtuara Grejsi Xh., më datë 22 korrik 2011, rreth orës 13:00, ka qenë në shoqërinë e motrës së saj, shtetases Irensis Xh., në lagjen ku ato janë banore, në rrugën “Arkitekt Sinani” në Tiranë. I akuzuari Gertmyler Ago është ndodhur pikërisht në të njëjtin vend, duke u konfliktuar me një djalë të moshës rreth 12 vjeç, shtetasin Deni B. Duke marrë shkak nga fjalori i ulët i Grejsi Xhafës, ka ndërhyrë duke i kërkuar të pandehurit të mos komunikonte ne mjedis publik ku kishte edhe fëmijë të tjerë me fjalor fyes. Në konflikt është përfshirë edhe Gazmir Qatipi, i cili pasi ka dëgjuar të pandehurin, ka filluar të debatojë me të dhe në debat e sipër, shtetasi Gertmyler Ago ka tentuar ta godasë shtetasin Gazmir Qatipin. E dëmtuara Grejsi Xh. ka ndërhyrë për të zgjidhur konfliktin, duke menduar se ishte ajo shkaku i zënkes, por në këtë moment Gertmyleri e ka qëlluar me tullë në kokë, ku e dëmtuara ka rënë pa ndjenja në tokë. Ajo është dërguar menjëherë për ndihmë të kualifikuar mjekësore në Spitalin Qendror Ushtarak Tiranë, ku edhe i është nënshtruar ekspertimit mjekoligjor. Nga ekspertimi ka dalë se ajo ka pasur gjendje të rëndë shëndetësore dhe çarje të kapakut të sipërm të kafkës, ndërsa kohë më pas gjendja e saj është përmirësuar. Pasi kanë kryer gjykimin, togat e zeza e kanë dënuar të pandehurin me tri vjet burg në Shkallën e Parë, ndërsa masa e dënimit është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, duke marrë kështu formë të prerë. Pasi vendimi ka arritur në këtë fazë, Policia ka bërë dje ekzekutimin e tij, duke vënë në pranga 18-vjeçarin, që tashmë do të vuajë dënimin e dhënë ndaj tij nga gjykatat.