E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjergj Cukali: Armën e mbaj kujtim nga shoku i vrarë

Gjergj Cukali

“I forti” i rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë, Gjergj Cukali, i dënuar së fundi për armëmbajtje pa leje, ka thënë se pistoletën e ka mbajtur si kujtim nga një mik i tij tashmë i vrarë. Kështu thuhet në vendimin e dënimit me 1 vit e 4 muaj burg të Gjergj Cukalit, të njohurit si “i forti” i rrugës “Myslym Shyri”. Cukali u deklarua i fajshëm për akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Ai u ndalua në 18 gusht të këtij viti pranë stadiumit “Dinamo” në Tiranë, teksa mbante me vete një pistoletë pa leje. Në arsyetimin e vendimit të shpallur më 16 nëntor në Gjykatën e kryeqytetit, konfirmohet se pistoleta që iu gjet nga policia të pandehurit Cukali i ishte dhuruar atij nga miku i tij, Arlind Fuga, i ekzekutuar me armë zjarri më 20 mars nga persona ende të paidentifikuar në një nga rrugicat pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë. Sipas Cukalit, Fuga, i njohur edhe me pseudonimin “Pipa”, njëkohësisht mik i Emiliano Shullazit, ia kishte dhuruar armën në muajin mars, një javë para se të vritej. Para trupit gjykues, Cukali është shprehur se armën e mbante në shenjë kujtimi të mikut të tij të ndjerë. “I pandehuri si në hetim, ashtu edhe në gjykim mbajti qëndrim pohues dhe pendues ndaj veprës penale, duke deklaruar se armën ia kishte dhënë shoku i tij, shtetasi Arlind Fuga, një javë para se të vritej dhe se këtë armë e mban që nga muaji mars i këtij viti, në shenjë kujtimi nga shoku i tij”, thuhej në vendimin e Gjykatës. Thuajse të njëjtin deklarim Cukali ka dhënë edhe për oficerët e Policisë Gjyqësore pas ndalimit. Në vendimin e Gjykatës citohet se i pandehuri Cukali ka deklaruar se armën ia kishte dhënë Arlind Fuga dhe se “këtë armë e mban që nga muaji mars i këtij viti për arsye vetëmbrojtjeje, por nuk e ka përdorur asnjëherë armën”. Sipas vendimit të Gjykatës, në momentin që Cukali është përballur me agjentët e policisë, ai u ka komunikuar atyre paraprakisht se kishte një armë me vete. “Nga shqyrtimi gjyqësor u provua se më datë 19.08.2012, në orën 14:00, në vendin e quajtur rruga ‘Lulishte 1 Maji’ Tiranë, në afërsi të stadiumit ‘Dinamo’, gjatë një kontrolli rutinë, i pandehuri Gjergj Cukali është kapur me një armë zjarri të tipit ‘GLOCK-17 AUSTRIA-CAT5180′ 9X21, me kalibër 9 mm, në krehrin e së cilës kishte të vendosur 17 copë fishekë, të cilat kanë të stampuar të tëra në fundin e tyre makarinkën me mbishkrimin G.F.L, ndërsa në folenë e fishekut nuk kishte fishekë”, thuhej në vendim. Gjergj Cukali u gjykua me kohë të shkurtuar në Gjykatën e Tiranës. Ai u dënua me 2 vjet burg, por pas lehtësimit të një të tretës që mundëson kjo formë gjykimi, përfundimisht gjykata vendosi 1 vit e 4 muaj ndaj tij.

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›