E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë në autobusin e Athinës, pranga 2 shoferëve të linjës

Droga e kapur në Gjirokastër

Parafangot e një autobusi kanë shërbyer më së miri për fshehjen e një sasie marijuane, e cila kishte për destinacion Athinën. Policia Kufitare e Kakavijës në Gjirokastër ka zbuluar mesditën e djeshme 52 kg marijuanë, gjatë një kontrolli fizik të ushtruar në Kakavijë. Sasia e drogës, sipas kreut të Drejtorisë Rajonale të Kufirit në Gjirokastër, Admir Abrija, kishte për qëllim të kalonte kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke shmangur kontrollin kufitar. Për këtë qëllim, ajo ishte fshehur në pjesët jo të dukshme të autobusit të një prej agjencive të Tiranës, me targë AA 115AI për të mos rënë në sy të kontrollorëve të Policisë Kufitare të Kakavijës. Gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin e linjës Tiranë-Athinë, punonjësit e Policisë Kufitare të Kakavijës, përmes mjeteve logjistike moderne, konstatuan marijuanën me peshë 51.7 kg, në pjesët e brendshme të parafangove nga të dyja anët e autobusit, aty ku u vërejtën të 47 pakot me lëndë narkotike. Këto të fundit kanë qenë të mbështjella me letër ngjitëse transparente dhe të mbuluara njëkohësisht nga dy çanta shpine. Policia Kufitare e Kakavijës bllokoi rrugëtimin e autobusit në drejtim të shtetit fqinj, duke lajmëruar grupin hetimor dhe më pas ka arrestuar dy drejtuesit e tij, Arben Çotaj, 42 vjeç, nga Durrësi dhe shoferi i dytë, Gentian Seferi, 32 vjeç, nga Lushnja. Nga kontrolli i imtësishëm i ndërmarrë në autobus rezultoi se pakot me marijuanë kishin një peshë jo më shumë se 1.1 kg. Policia ka sekuestruar lëndën narkotike dhe autobusin që e transportonte atë, në cilësinë e provës materiale. Disa orë më pas, grupi hetimor arriti të vërtetonte se dy shoferët e autobusit, ishin poseduesit e marijuanës. Sipas planit, marijuana do të dorëzohej në duart e një shtetasi grek, të cilën e kishte porositur për ta blerë në Shqipëri dhe kësisoj dy shoferët kishin dalë garant për transportin e marijuanës nga Shqipëria në Greqi. Mendohet se sasia që do të përfitonin Çotaj dhe Seferi nuk e kalonte vlerën e 1000 eurove, për transportin e sasisë narkotike. Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike është vepra penale që rëndon mbi Çotajn dhe Seferin, ndërkohë që është lajmëruar Policia Greke për kapjen e pritësit të marijuanës në Athinë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për veprime të mëtejshme, ndërsa dy shoferët janë dërguar në kryeqytet në dhomat e paraburgimit.

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›