Dëbora mbulon Qafë-Thanën e Llogaranë
Dëbora mbulon rrugën e Qafë-Thanës dhe të Llogarasë. Ditën e djeshme, mjetet në rrugët nacionale e kanë pasur të vështirë të lëviznin pa zinxhirë në këto akse, ndërsa probleme janë shfaqur tashmë në komuna, ku bora ka zënë shtresë prej ditësh. Në Llogara policia nuk ka lejuar mjete që të qarkullonin pa zinxhirë deri në mesditë, kur u shkri akulli mbi të. Një makinë rrëshqiti, por pa probleme për drejtuesin e saj. Situata është rënduar në qarkun e Dibrës, sidomos në rrethin e Bulqizës, në komunat malore të Martaneshit, Ostrenit, Trebishtit, Klenjës etj. Reshjet e borës kanë krijuar probleme në segmentet Bulqizë-Peshkopi e Bulqizë-Burrel, në vendet e quajtura Qafa e Buallit, Gurët e Skënderbeut, Qafa e Buallit-Krastë etj. Veç borës në zonat malore, në pjesë të tjera të vendit ka pasur përmbytje dhe rrëshqitje të dherave nga shpatet e kodrave për në asfalt. Mjetet e Ndërmarrjes së Rrugëve në Elbasan po punojnë për zhbllokimin e akseve kryesisht në zona të thella të rajonit, si në tri komunat e Gramshit, Kukur, Lenie dhe Skënderbegas. Sipas drejtorit Ardian Cani, akset Elbasan-Qafë Thanë, Elbasan-Gramsh dhe Elbasan-Tiranë janë normalisht të kalueshme.