CIA tërheq shefin e saj nga Pakistani
CIA ktheu nga Pakistani zyrtarin e saj kryesor, pasi që iu zbulua identiteti dhe u kërcënua me vdekje.
Emri i shefit të supozuar të stacionit të CIA-s në Islamabad u zbulua nga pakistanezi Karim Kan, i cili kërcënoi se do ta padisë agjencinë për vdekjen e djalit dhe vëllait të tij në sulmet me raketa të SHBA-së.
Kan dhe avokatët e tij në një konferencë për gazetarë në nëntor thanë se do të kërkojnë një pagesë prej 500 milionë dollarësh, për shkak të vdekjeve dhe kërcënuan se do ta ndjekin drejtorin e CIA-s, Leon Panetën, sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates dhe njeriun që ata e identifikuan si oficer të CIA-s.
Javën e kaluar, Kan zyrtarisht kërkoi nga policia e Pakistanit që të hetojë shefin e stacionit të CIA-s për vdekjet. Kan tha se ai nuk përjashton mundësinë e padisë edhe ndaj zyrtarëve pakistanezë.
“E kam identifikuar kreun e stacionit të CIA-s në Islamabad në rast se ai ishte përgjegjës për vrasjen e vëllait dhe birit tim. Nëse gjej prova të përfshirjes së qeverisë së Pakistanit dhe zyrtarëve në sulmet me avionë, atëherë përfundimisht do t’i padis edhe ata”, tha Kan.
Vetëm këtë vit në Pakistan janë kryer më shumë se 110 sulme me aeroplanë pa pilotë.