E Diel, 1 Nëntor 2026

“COCKTEIL”, pije të falsifikuara, dy persona në pranga, bllokohen 500 mijë euro mall

Arrestohen nga policia pronarët e punishtes ilegale, Vasil Zhupa dhe Rajmonda Neziri

Artan CENA
TIRANË - Shisnin pije të falsifikuara në treg, arrestohen pronarët e një linje prodhimi. Nëntë muaj hetime u janë dashur efektivëve të Policisë së kryeqytetit për të dokumentuar tërësisht veprimtarinë kriminale të dy të ndaluarve. “Në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Cockteil’, i realizuar nga Policia e kryeqytetit, janë arrestuar në flagrancë dy shtetas dhe ndoqën në hetim të lirë 5 shtetas të tjerë. Ata dyshohen si të implikuar për veprat penale të ‘prodhimit të kundërligjshëm të artikujve industrialë dhe ushqimorë’. Në pranga janë vënë Vasil Zhupa, 46 vjeç, lindur e banues në Tiranë dhe Rajmonda Neziri, 41 vjeçe, lindur e banuese në Tiranë”, - tha gjatë një konference shtypi zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini. Të ndaluarit, sipas policisë, kishin investuar 500 mijë euro në linjat e prodhimit të pijeve freskuese. Veç falsifikimit të etiketave të mallrave ata akuzohen dhe për prodhim pa lejen e Ministrisë së Bujqësisë.
Tregtia
Pijet freskuese të falsifikuara kishin kohë që hidheshin në treg, por afrimi i stinës së nxehtë dhe rreziku i helmimeve nga mallrat e pakontrolluara ka bërë që policia të ndërmerrte aksionin. Aparatura të specializuara për prodhimin e pijeve më të përdorura nuk e ka penguar Vasil Zhupën, 46 vjeç dhe Rajmonda Nezirin, 41 vjeçe, të dy lindur e banues në kryeqytet, të prodhojnë lëngje frutash më të parapëlqyerat e kryeqytetasve, duke sjellë edhe rrezikimin e shëndetit të tyre. Burime zyrtare nga uniformat blu thanë se Zhupa dhe Neziri u kapën gjatë momenteve të prodhimit dhe tregtimit të produkteve të falsifikuara në një magazinë të ndodhur në Shkozë, Tiranë. Ndalimi i tyre erdhi pas një hetimi intensiv prej gati një viti. “Ky aktivitet kishte të instaluar një linjë prodhimi, stampimi dhe tregtimi të artikujve industrialë të paligjshëm, të cilat ishin të palicencuar, duke vendosur etiketat të pamiratuara nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit”, - bëhej me dije nga Policia e kryeqytetit. Mësohet se dy të arrestuarit, aktivitetin e ushtronin në mënyrë të palicencuar dhe të paregjistruar në organet tatimore, duke iu shmangur kështu detyrimeve tatimore. Nga hetimet e kryera gjatë periudhës që dy të dyshuarit kanë qenë nën vëzhgim, ka rezultuar se prodhimet industriale të cilat tregtoheshin në kryeqytet kanë qenë edhe të pakontrolluara, duke sjellë në këtë mënyrë rrezik në shëndetin dhe jetën e konsumatorëve.
Kostoja
Policia shpjegoi se subjekti provat i palicencuar, për të evituar konkurrencën e tij me subjektet e licencuara, e shiste mallin me koston e prodhimit. Për prodhimin e këtyre pijeve Zhupa dhe Neziri kishin punësuar edhe 7 persona të tjerë, të cilët ishin pa kontratë pune dhe të padeklaruar. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale mallrat industriale dhe makineritë që shërbenim për prodhimin e tyre. Pas verifikimeve u konkludua se vlera e mallrave të sekuestruara arrinte në vlerën 500 mijë euro. Uniformat blu janë duke punuar për sekuestrimin e të gjitha mallrave të falsifikuara, të cilat janë shpërndarë nga dy të arrestuarit në të gjitha pikat e shitjeve. Ndërkohë që blutë po punojnë për eliminimin plotësisht të kësaj veprimtarie, e cila rrezikon jetën e konsumatorëve.

Në pranga
Vasil Zhupa, 46 vjeç, lindur e banues në Tiranë
Rajmonda Neziri, 41 vjeçe, lindur e banuese në Tiranë

Sekuestrimet
250 arka me shishe me lëngje frutash të ndryshme, të gatshme për t’u tregtuar
10 makineri që shërbenin për prodhimin dhe ambalazhimin e lëngjeve
20 mijë shishe të ndryshme që shërbenin për mbushjen dhe tregtimin e lëngjeve
100 mijë etika dhe stampa të ndryshme

22 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›