Euroja dobësohet përballë lekut, çmimet e apartamenteve kapin majat
Ervin KOÇI
Luhatjet e fundit të monedhës së përbashkët europiane në tregun valutor shqiptar, si dhe forcimi dita-ditës i dollarit amerikan, kanë “destabilizuar” gjatë javës së fundit të gjitha tregjet në vend. Duke nisur që nga përqindjet e interesave të kredive bankare, të depozitave, letrave me vlerë e deri te çmimet në tregun imobiliar, gjithçka është çorientuar duke vënë në pikëpyetje dhe nevojën e klientëve për të blerë ose marrë kredi. Sipas ekspertëve të ekonomisë, rrjedhimisht, çmimet duhet të kishin rënë, me qëllim që të nxiteshin shitjet dhe të krijohej likuiditet për firmat e ndërtimit. Por kjo gjë nuk po ndodh dhe qytetarët po përballen me çmime gjithmonë e më të kripura në blerjen e shtëpive. Çmimi i apartamenteve vazhdon të pësojë rritje në vend, edhe pse sektori i ndërtimit ndodhet në krizë, ashtu siç deklarojnë edhe vetë ndërtuesit. Ky fakt është evidentuar edhe në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave të institucionit mbikëqyrës bankar, çmimet e banesave kanë shënuar një rritje vjetore prej 15.8 për qind në tremujorin e parë të vitit 2010. Në këtë rritje ka ndikuar kryesisht zhvlerësimi i lekut ndaj euros, monedha në të cilën shiten pasuritë e patundshme në Shqipëri. Ndërkohë që kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë, si rënia e numrit të lejeve të ndërtimit dhe kushtet e shtrënguara të kreditimit për këtë sektor. Rritja e çmimit të banesave shkon në kundërshtim me ecurinë negative të sektorit të ndërtimit. Institucioni mbikëqyrës bankar ka evidentuar se kjo degë e ekonomisë ka shënuar një rënie prej 14.4 për qind. Nga ana tjetër, rritje kanë shënuar edhe qiratë e banesave. BSH-ja konstaton një rritje prej 2.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2010 kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Kreditimi
Standardet e kreditimit, në përgjithësi, në tremujorin e parë të vitit 2010 janë lehtësuar pak për kreditë dhënë bizneseve dhe janë shtrënguar më tej për individët, bëhet e ditur nga një vëzhgim i kryer nga INSTAT-i me porosi nga BSH. Ecuria e standardeve për bizneset përputhet me pritjet e bankave të shprehura në tremujorin e kaluar për tremujorin e parë të vitit 2010, ndërsa ndryshimet në standardet e individëve janë në drejtim të kundërt me pritjet e një tremujori më parë. Standardet e aplikuara për kreditë dhënë bizneseve janë lehtësuar në përgjithësi vetëm për korporatat. Ndërkohë, ato mbeten në kahun shtrëngues për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, shkalla e lehtësimit të standardeve të kredisë ka qenë më e lartë për kredinë për investime sesa për kredinë për kapital qarkullues. Faktorët kryesorë që kanë ndikuar kahun e ndryshimit të standardeve për kredinë dhënë bizneseve janë problemet specifike të sektorit ku operon biznesi, situata makroekonomike dhe situata në kreditë me probleme. Këta faktorë janë renditur në një shkallë më të lartë nga bankat krahasuar si me faktorët e tjerë, ashtu edhe me nivelin e vlerësimit të tyre gjatë tremujorit të kaluar. Faktorët që kanë ndikuar në kahun shtrëngues kredinë për individë janë gjendja financiare e individëve, situata në kreditë me probleme dhe likuiditeti i vetë bankës. I vetmi faktor që ka kontribuar në lehtësimin e standardeve të kredidhënies, si për bizneset ashtu edhe për individët, është vendimi i BSH-së.
Kërkesa
Bazuar në opinionet e mbledhura të ekspertëve të bankave, kërkesa e bizneseve dhe e individëve ka shënuar një rritje të lehtë në tremujorin e parë të vitit 2010. Pritjet e bankave sinjalizojnë se lehtësimi aktual i standardeve të miratimit të kredive të reja do të jetë i përkohshëm dhe pritet të mos vazhdojë në tremujorin e dytë të vitit 2010, megjithëse kërkesa e ardhshme pritet të rritet, si për bizneset ashtu edhe për individët. Kërkesa neto e bizneseve për të marrë kredi është rritur disi në tremujorin e parë të vitit 2010, bazuar në opinionin e ekspertëve të bankave. Faktori kryesor që ka përcaktuar përmirësimin e kërkesës së bizneseve për kredi në tremujorin e parë të këtij viti është nevoja për financimin e kapitalit qarkullues. Prirja drejt lehtësimit të standardeve, e regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2010, nuk pritet të vijojë në tremujorin e ardhshëm. Për tremujorin e dytë të vitit 2010 ekspertët e bankave presin shtrëngim të standardeve të kredisë.
Bankat
Drejtuesit e bankave në Shqipëri mendojnë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, kreditë e këqija në sistemin bankar shqiptar duket se kanë shënuar maksimumin rreth muajit shkurt të këtij viti dhe se tani gjasat janë që ato të fillojnë të ulen. Bankat besojnë se ekonomia do të fillojë të përmirësohet tani e tutje, gjë që do të stabilizojë edhe financat e kredimarrësve. Kreditë e këqija arritën në 11.8 për qind të totalit të portofolit në muajin shkurt, nga vetëm 7.8 për qind që qenë një vit më parë. Por në mars, kreditë e klasifikuara si me probleme, në ndjekje apo të humbura, u reduktuan në 11.7 për qind të portofolit duke dhënë shenja përmirësimi. Në korrik të vitit 2008, pra para fillimit të krizës financiare dhe ekonomike botërore, kreditë e këqija qenë vetëm 4.1 për qind e totalit të portofolit. Pavarësisht rritjes drastike të kredive me probleme, sistemi bankar shqiptar arriti rezultat financiar pozitiv gjatë vitit të kaluar dhe ka shtuar disa herë fitimet në tre muajt e parë të këtij viti. Shkaku kryesor i mosprekjes së fitimeve ka qenë aftësia ligjore e bankave për t’ua faturuar kredimarrësve të rregullt koston e krijuar nga kreditë e këqija, veçanërisht për shkak të kontratave me kushte të papërcaktuara në segmentin e kredive afatgjata për klientët familjarë.
BOX///////////////////////////
Shtrenjtohen kreditë në lekë
Rriten interesat e kredive në lekë. Statistikat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se për tre muajt e parë të vitit 2010 interesat e kredive të reja në lekë kanë ardhur në rritje, duke arritur në normën 12.66% në muajin mars. Që nga dhjetori i vitit 2009, normat e interesit të kredive në lekë janë rritur me 0.6 pikë përqindjeje. Duket se kreditë nuk po reflektojnë aspak çlirimin e kushteve monetare që nisi me uljen e normës bazë të interesit në fund të muajit tetor dhe që u transmetua në uljen e normave të interesit të Bonove të Thesarit gjatë muajve në vazhdim. Megjithëse kreditë bankare përgjithësisht kuotohen mbi bazën e interesave të bonove të thesarit, plus një marzh interesi fiks, rritja e interesave totale shpjegohet me rritjen e marzheve fikse nga ana e bankave. Rritja e perceptimit të rrezikut nga bankat duket se ka ndikuar në rritjen e këtyre marzheve dhe kjo bën që edhe kostoja e kredisë në lekë për publikun të rritet. Këto rezultate tregojnë se synimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur koston e kredisë nëpërmjet një politike monetare me nuanca të moderuara ekspansioniste ende nuk po rezulton i suksesshëm.
22 Maj 2010