E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët, Rrëshen-Kalimash një “flluskë” ekonomike



Një nga shkaqet e rënies së të ardhurave nga të dyja taksat, sipas ekspertëve të ekonomisë, është edhe mbyllja e kantierit të ndërtimit në rrugën Rrëshen-Kalimash. Rruga solli gjatë vitit të kaluar rritje artificiale të të ardhurave të qeverisë në të katër anët, por edhe në tatimin mbi fitimin, pasi konsorciumi Bechtel-Enka fitoi rreth 100 milionë dollarë neto dhe pagoi tatim-fitimi mbi këto të ardhura. Nga ana tjetër, projekti solli punësimin e përkohshëm të rreth 2 mijë shqiptarëve, gjë që shtoi gjithashtu artificialisht të ardhurat tatimore, pavarësisht se paratë dolën nga një xhep i buxhetit të shtetit për të hyrë në xhepin tjetër. Problemi është se qeveria nuk e mori parasysh se përfundimi i rrugës do të sillte edhe ftohje të të ardhurave buxhetore. Tani Ministria e Financave pritet të përballet sërish me deficit të rritjes.

Tuneli i Kalimashit hap galerinë jugore, kostoja shtesë 30 milionë euro

Pas disa muajsh bllokimi u rihap dje për qarkullimin e automjeteve galeria jugore e tunelit të Kalimashit, pjesë e autostradës Durrës-Kukës. Hapja e tunelit u krye pas përfundimit të punimeve që u bënë si pasojë e shembjeve të dheut që ndodhën në pjesën e brendshme. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, bëri të ditur se riparimi i dëmit kapi shifrat e 30 milionë eurove. Ministri përjashtoi faktin se shembja ishte nga gabimet njerëzore por pohoi se shembja ishte një fatkeqësi natyrore. Ministri tha gjithashtu se, kalimi në tunelin që i shërben gjithë rajonit, do të jetë pa pagesë. Pritet që fluksi në këtë tunel të kapë shifrat deri në 16 mijë automjete në ditë. Dje pasdite burime nga firma “Bectel Enka” konfirmuan se brenda tunelit ka përfunduar plotësisht asfaltimi dhe lyerja, ndërkohë që vazhdonte kompletimi i sistemit të ndriçimit, sigurisë përmes kamerave dhe vendosja e sinjalistikës së duhur. Të parët që mirëpresin hapjen e tunelit janë drejtuesit e automjeteve, të cilët gjatë gjithë kësaj kohe kanë shfrytëzuar rrugën sipër tij apo rrugën e vjetër nacionale. Tuneli i Kalimashit, me gjatësi 5.5 kilometra, pjesë e autostradës Durrës-Kukës u mbyll nëntorin e vitit të kaluar pas shembjeve në brendësi të tij. Inaugurimi i tunelit u bë në qershor të vitit 2009, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Shembjet bllokuan dhjetëra metra gjatësi të tunelit duke e bërë atë tërësisht të pakalueshëm. Rihapja e tunelit, thuajse një vit pas inaugurimit pritet të shtojë fluksin e qarkullimit, veçanërisht gjatë sezonit veror.

22 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›