E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sokol Ngjeçi: “Sasia e municionit për Gërdecin përcaktohej nga ushtria”

I pandehuri lehtëson pozicionin e Ylli Pinarit dhe të Dritan Minxollit

Laureta Rryçi

Sokol Ngjeçi, një nga të akuzuarit për tragjedinë e Gërdecit, deklaroi dje gjatë procesit se transportimi i municioneve në fabrikë realizohej pa grafik dhe se gjithçka është kryer nga ushtarakët. Ai gjithashtu është shprehur se janë pikërisht ata përgjegjës për këtë duke larguar në këtë mënyrë përgjegjësinë nga ish-drejtori i "MEICO"-s, Ylli Pinari dhe nga ish-drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec, Dritan Minxolli. “Transporti i municioneve për llogari të firmës amerikanë ‘SAC’ është realizuar pa një grafik ditor apo qoftë edhe mujor. Ish-drejtori i fabrikës, Dritan Minxolli, nuk ka bërë kërkesë me shkrim e as me gojë për sasinë e municioneve që do të dërgoheshin në Gërdec. Madje as drejtori Ylli Pinari nuk më ka urdhëruar për dërgimin e sasive të municionit në fabrikën e demontimit”, - deklaroi para trupit gjykues Ngjeçi, duke lënë të nënkuptohet se gjithçka është dhënë urdhër dhe është zbatuar nga drejtues ushtarakë.
Ndërsa dëshmitari Kadri Suli, ish-komandat në Komandën Logjistike, ka pohuar edhe njëherë se transportimi i municioneve realizohej pa një grafik. Madje ai tregoi edhe njohjen me Mihal Delijorgjin në repartin e Qafë-Mollës, ku Ylli Pinari e kishte prezantuar si përfaqësues të firmës amerikane “SAC”. Ndërkohë, ish-komandanti i Brigadës Logjistike, Kadri Suli, ka deklaruar sërish se Luan Hoxha, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, kishte dijeni për Gërdecin pasi vetë ai, siç u shpreh në gjyq, kishte dëgjuar se Hoxha kishte vizituar fabrikën e demontimit. Në seancën e sotme ish-mbikëqyrësi i MEICO-s, Sokol Ngjeçi, ka deklaruar se nuk kishte asnjë përgjegjësi për tragjedinë dhe se kjo përgjegjësi duhej kërkuar te eprorët e tij.
Në seancën e djeshme ka qenë i pranishëm dhe ish- drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari. Në Gjykatën e Tiranës po shqyrtohet dosja ndaj 29 të pandehurve që akuzohen si përgjegjës për tragjedinë e rëndë të 15 marsit të 2008-s, ku humbën jetën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosen.
Deklarimet e Ngjeçit
“Grafiku i sasive ditore që shkonte në Gërdec për të dyja projektet përgatitej sipas ligjit nga specialistët ushtarakë. Midis palëve, që ishin specialistët e zyrës së marketingut të MEICO-s dhe specialistët e Komandës Mbështetëse të Logjistikës. E bëj këtë deklaratë sot duke marrë shkas nga dëshmitë e disa ushtarakëve të lartë të Forcave të Armatosura, dëshmitarë dhe ish-kolegë të mi përsa i përket zbatimit të VKM-së Nr. 138, dt. 14.3.2007, ose më saktë, përgjegjësitë dhe mënyrës së zbatimit të këtij vendimi që konkretisht, në paragrafin 4, pika 4, detyron që procesi i çmilitarizimit e çmontimit të kryhet në mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të FA-së duke regjistruar me hollësi të dhëna për regjimin, lëvizjen dhe sasinë e municioneve të dorëzuara dhe të atyre të çmontuara e të çmilitarizuara, si dhe të produkteve të tyre pas çmontimit dhe çmilitarizimit. Duke analizuar në vetvete, mendoj se në veprimet dhe gjithë praktikën e zbatimit të detyrimeve të këtij vendimi, një rëndësi të veçantë ka pasur dhe koordinimi i veprimeve në transportimin me më efikasitet dhe të kontrollueshëm të municioneve që do të demontoheshin nga kompania ‘SAC’. Unë kam filluar punë më dt. 1.5.2007 dhe jam ingranuar me zbatimin e kontratës ‘Bartër’, kontratë kjo që ka të bëjë me përqendrimin dhe shitjen e një sasie skrapi-çeliku, e cila vazhdoi nga 1 maji deri në tetor të vitit 2007, proces ky i papërfunduar dhe që është në vazhdim. Gjatë periudhës maj-qershor 2007 personeli i ndërmarrjes ‘MEICO”, kryesisht ish-shefi i degës së marketingut dhe shefi Spiro Zaka, ish-specialist, dhe kolegu im, Xhemal Oralliu, kishin përgatitur të gjithë praktikën dokumentare për zbatimin e urdhrit 550, ku dua të veçoj këtu aktmarrëveshjen dhe grafikun e transportit me Komandën Mbështetëse Logjistike, të cilat asnjë nga autoritetet e kësaj komande nuk i firmosën. Sqaroj se ndërsa merresha me kontratën ‘Bartër’, nuk kam mohuar që paralelisht me këtë proces kam ndjekur edhe procesin e dorëzimit dhe administrimit të municioneve për demontim, si dhe procesin e përzgjedhjes ose të verifikimit të gëzhojave tunxhi. Personalisht, duke parë përmbajtjen teorike të demontimit të municioneve nga kompania ‘SAC’ kam iniciuar te specialistët e Komandës Mbështetëse, Nikoll Ndoi, Lavdërim Çota, që dorëzimi i municioneve do të fillonte nga kalibri i fundit, por nuk kam bërë asnjë kërkesë ndërhyrjeje me shkrim e as me gojë për të përcaktuar sasinë e municionit. Kjo pasi mua personalisht, as ish-drejtori i fabrikës Minxolli dhe as administratori apo përfaqësuesi i kompanisë ‘SAC’ nuk më kanë bërë ndonjë kërkesë me shkrim e as me gojë për sasinë e municionit që duhej dorëzuar brenda ditës apo muajit, si dhe për shtimin, pakësimin e tyre, për ditët e pushimit. Njëkohësisht, as ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, nuk më ka urdhëruar të programoj lëvizjen e sasisë së municioneve që do të dorëzohej në Gërdec”, - përfundoi deklarimet e tij Ngjeçi.

Dëshmia e dytë
Seanca më pas vijoi me dëshminë e Kadri Sulit. “Kam qenë komandant i Brigadës Logjistike nga muaji mars 2007 deri në prill 2008. Jam njohur me urdhrin 550 të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili na erdhi nga Komanda Mbështetëse e Logjistikës dhe ky urdhër u vu në zbatim duke iu dërguar edhe reparteve të tjera. Detyra jonë ishte që të bëhej koordinimi me drejtuesit e reparteve vartëse për dërgimin e municioneve në fabrikë në kohën që të ishin gati. Jam njohur me urdhrin 1648 të Komandës Mbështetëse Logjistike, i cili ishte për dorëzimin e municioneve në fabrikë. Kemi zbatuar urdhrat që na kanë ardhur për dorëzim municioni dhe ishin në zbatim të urdhrit të MB. Nga Komanda Mbështetëse nuk më ka ardhur grafik i veçantë për dorëzim municioni, por jam njohur me urdhrin për transportim municioni të Komandës Mbështetëse dhe e kemi vënë në zbatim duke i transportuar municione firmës ‘MEICO’. Për koston e të gjitha këtyre veprimeve thuhej se kjo do t’i faturohej në fund firmës ‘MEICO’, por kjo kosto u përballua nga Komanda Mbështetëse. Kemi pasur shqetësime përsa i përket fuqisë punëtore, pasi kishim pak staf. Kemi pasur shqetësim edhe për sistemin e municionit në depo. Ia kemi bërë të ditur këto shqetësime edhe Komandës Mbështetëse deri edhe te shefi i Shtabit. E njoh Ylli Pinarin dhe kam punuar me të, kam pasur marrëdhënie pune korrekte. Me Delijorgjin jam njohur nga Pinari, i cili ma prezantoi si përfaqësues i firmës amerikane ‘SAC’”, - përfundoi dëshminë e tij ish-ushtaraku.

Gjykata rrëzon kërkesën për interpretimin e Kushtetueses

Gjykata e Tiranës rrëzoi dje kërkesën e një të pandehuri për tragjedinë e rëndë të 15 marsit të 2008. Ndue Marku, ish-drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes për harmonizimin e legjislacionit me Kuvendin, kërkoi që çështja në ngarkim të tij të shkojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. “Dua të them se ky nen është i pazbatueshëm dhe se akuza ndaj meje nuk është e bazuar te ky nen. Kërkoj që të bëhet pezullimi i çështjes dhe të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Unë po gjykohem në sajë të një neni që hidhet poshtë edhe nga legjislacioni ndërkombëtar dhe duhet të ndryshohet. Mund të përmend këtu edhe një çështje që është gjykuar nga Gjykata e Strasburgut, ose edhe ndryshimet që janë bërë në të drejtën penale ndërkombëtare”, - u shpreh i pandehuri gjatë kërkesës. Ai pretendon se neni 248 i Kodit Penal për të cilin ai akuzohet është i paqartë dhe antikushtetues, por trupi gjykues e rrëzoi kërkesën. I pandehuri Ndue Marku, i cili ndiqet në gjendje të lirë, kërkoi pezullimin e gjykimit dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për shkak se akuza ndaj tij nuk përfshihet në atë që parashikon neni 248 i Kodit Penal. Por, kjo kërkesë është rrëzuar nga gjykata si e pa bazuar në ligj.

Gjykata e Tiranës lë të lirë studentët që u kapën me hashash

Gjykata e Tiranës dha dje masën e sigurisë “detyrim me paraqitje” për studentët që u arrestuan tri ditë më parë nga Policia e kryeqytetit. Gjyqtari i gatshëm Bledar Abdullaj vendosi masën më të lehtë të sigurisë për të arrestuarit që akuzoheshin se trafikim të lëndëve narkotike. Nga hetimet paraprake rezultoi se nëntë personat e arrestuar dyshohet se në bashkëpunim realizonin shpërndarjen dhe shitjen e lëndës narkotike Cannabis pranë bulevardit “Zogu I” në Tiranë. Kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i tyre u bë në mesditë në rrugën “Maliq Muço”, në afërsi të bulevardit “Zogu I”, ku u është sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasia prej 1 kilogramësh e 300 gramësh bimë e dyshuar e llojit Cannabis sativa, 8 celularë si dhe shuma e parave 139 mijë lekë. Personat e lartpërmendur, studentë në Tiranë, për të realizuar shitjen e lëndës narkotike, kishin marrë një banesë me qira, me qëllim realizimin e aktivitetit të shpërndarjes së kundërligjshme të lëndës narkotike. Nga hetimet e realizuara nga strukturat e Seksionit Kundër Narkotikëve në Tiranë, dyshohet se lënda narkotike vinte nga Jugu i Shqipërisë, nga shtetasit Klevis Abazaj dhe Xhoana Guçe. Droga mendohet se blihej në Lazarat dhe sillej drejt Tiranës. Në banesën e marrë me qira, ata organizonin festa të vogla, me qëllim që Abazaj dhe Guçe të shisnin lëndën narkotike. Aty, droga ishte e ndarë në qese të vogla dhe studentët e shpërndanin te përdoruesit e saj. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

22 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›