E Diel, 1 Nëntor 2026

USAID: Bizneset e import-eksportit po dëmtohen nga mosrimbursimi i TVSH-së



Ervin KOÇI

Rimbursimi i TVSH-së për kompanitë që merren me import –eksport janë në shifra shumë të ulëta. Kjo gjë është bërë e ditur në një studim që Qendra shqiptare për Konkurueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare ka bërë në bashkëpunim me USAID-in. Në këtë studim tregohet se kompanitë në vend janë dëmtuar gjatë viteve të fundit edhe nga vonesat që atyre u janë shkaktuar nga shteti në mosrimbursimin në kohën e duhur të TVSH-së. Sipas Artan Gjergjit, përfaqësuesit të ACIT, nga 250 kompanitë e marra në studim 99.8 për qind e tyre kanë deklaruar se kanë vonesa në rimbursim ose më mirë në mosrimbursimin e TVSH-së. Shifrat e rimbursimit që duhet ti jepen kompanive të ndryshme kapin vlera nga 800 deri në 2 milionë lekë. Specialistët e USAID-it kanë thënë se këto vonesa ndikojnë në performancën e kompanive duke kushtëzuar ecurinë e bizneseve të tyre. Humbja e shumave të tilla ose shkaktimi i vonesave të kthimin e TVSH-së, ka bërë që shumë kompani të evitojnë investimet në përmirësimin e teknologjive ose të reduktojnë fuqinë punëtore.

Studimi
Vonesat e rimbursimit të TVSH-së i kushtojnë bizneseve shqiptare 1.46 miliard lekë në vit. Qendra Shqiptare për Tregtinë e Jashtme, ACIT, ka përgatitur një studim të detajuar për rimbursimin e TVSH-së për bizneset eksportuese. Studimi tregon se vonesat në rimbursimin e TVSH-së kanë një ndikim të lartë në nivelin e likuiditetit për afro 35 për qind të ndërmarrjeve të intervistuara. Nga 250 biznese që u përfshinë në studim, rezultoi se vetëm 16 për qind prej tyre e merrnin rimbursimin e TVSH-së brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Rezulton se mosrimbursimi i TVSH-së është një problem veçanërisht i theksuar tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Rreth 73 për qind e bizneseve që ishin pjesë e studimit deklaruan se nuk kanë ndjerë një ndikim pozitiv nga ndryshimi i ligjit për procedurat tatimore i shtatorit të vitit të kaluar, kur biznesit ju njoh e drejta për të mos paguar detyrimet tatimore në vlerën e TVSH-së së parimbursuar brenda afateve.

Biznesi
Të ardhurat e qeverisë nga tatimi mbi fitimin dhe nga tatimi mbi të ardhurat personale pësuan rënie në krahasim me një vit më parë gjatë periudhës janar-prill të këtij viti, duke dëshmuar për vështirësitë e përgjithshme ekonomike të vendit. Sipas statistikave të bilancit të qeverisë të publikuara disa ditë më parë, pagesa e tatim-fitimit ra me 5.54 për qind gjatë këtij viti, ndërsa pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale ra me 3.97 për qind. Fitimet e kompanive rezultojnë kështu në rënie për dy vite radhazi. Gjatë 4-mujorit, Ministria e Financave arkëtoi 6.35 miliardë lekë nga tatimi mbi fitimin, shifër kjo 4 për qind më e ulët se e njëjta periudhë e vitit 2009, kur presupozohet se u përjetua një nga fazat më të rënda të krizës aktuale botërore. Të ardhurat e qeverisë nga tatimi mbi fitimin patën pësuar rënie edhe gjatë vitit 2009 në krahasim me vitin 2008. Rënia është edhe më e fortë te tatimi mbi të ardhurat personale. Qeveria arkëtoi 8.3 miliardë lekë, (rreth 80 milionë dollarë), ose rreth 10 milionë dollarë më pak nga planifikimi. Rënia e arkëtimeve të qeverisë nga kjo taksë ka ardhur si pasojë e rritjes së papunësisë në vend dhe ftohjes së pagave në sektorin privat. Duke marrë parasysh se arkëtimet e qeverisë nga kjo taksë statistikisht janë ndihmuar edhe nga rritja e pagave dhe pensioneve në sektorin publik, rënia reale e përjetuar nga të punësuarit jashtë administratës duket se është edhe më e madhe. Arkëtimet e qeverisë nga tatimi mbi të ardhurat personale janë një tregues i drejtpërdrejtë i mirëqenies së përgjithshme të asaj pjese të shqiptarëve që punojnë në sektorin jobujqësor të ekonomisë. Në vendin tonë ka 400 mijë vetë që janë punësuar në sektorin privat apo në administratën publike dhe që marrin një pagë mujore.

22 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›