E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skeletet e Dajtit, vjen në Shqipëri eksperti i Shkencave Ligjore



TIRANË - Dyshimet e ekspertëve mjeko-ligjorë mbi ekzaminimin e eshtrave të gjetura nga gërmimet në malin e Dajtit muaj më parë duket se kanë gjetur dhe mbështetjen e ekspertëve të huaj të fushës. Ali Çakly, president i Akademisë Mesdhetare të Shkencave Ligjore, tani drejtues i bordit të kësaj akademie, është ftuar të japë mendimin e tij lidhur me çështjen. I njohur si një prej antropologëve të skeleteve, ai ka dhënë dhe një skemë të qartë të dy prej dyshimeve të ngritura nga ekspertët tanë ligjorë. Për të arritur në përfundime, sipas tij, duhet që të kryhen ekzaminime ndihmëse, siç është dhe kryerja e analizave të ADN-së, e cila është dhe përgjigjja definitive e përcaktimit se kujt i përkasin këto skelete dhe kohës se kur janë ekzekutuar trupat. Edhe pse prej muajsh tre antropologët e caktuar për këtë çështje kanë arritur të seleksionojnë e të rindërtojnë skeletet, dy ishin enigmat për të cilat ata kërkuan antropologun shumë njohur. Për të përcaktuar një kohë të saktë se kur ka ndodhur pushkatimi dhe cilës gjini i përket njëri nga skeletet. I pyetur profesori u shpreh se nga ekzaminimet e deritanishme kockat janë shumë të vjetra. “Disa prej këtyre skeleteve, nga çfarë pashë, kanë tipare të kockave mashkullore, pra u përkasin personave të gjinisë mashkullore, por njëra prej tyre duket ambiguide”, - thote Çakly. Ndërkohë, për skeletin e dyshimtë ai tha: “Ky rast duhet parë, nuk mund të dilet shkencërisht në një përfundim për këtë skelet ambiguit, nuk mund të jepet një konkluzion për gjininë e këtij skeleti. Gjinia e këtij skeleti duhet riparë, sepse është e vështirë të besohet se një skelet mund të ketë në të njëjtën kohë në kocka njërën anë femërore dhe tjetrën mashkullore. Është e vështirë të besohet kjo gjë. Ndoshta duhet marrë në konsideratë ngatërrimi i kockave ose diçka e tillë”. Aktualisht antropologët kanë formuar 13 skelete, për të cilat është konkluduar se janë ekzekutuar me armë zjarri në kokë. Skeleteve u janë bërë matjet dhe këto të dhëna po krahasohen me informacionet që kanë depozituar në morg familjarë të të pushkatuarve në kohën e komunizmit si dhe dokumentacionin e tërhequr nga arkiva e Drejtorisë së Burgjeve në mënyrë që të kryhet përfundimisht identifikimi i viktimave.

Aksidentohet punëtori, vihet nën hetim drejtuesi teknik
DURRËS - Punëtori i një firme private është aksidentuar gjatë punës dhe policia ka nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj drejtuesit teknik. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit bënë të ditur gjatë ditës së djeshme se hetimi në gjendje të lirë ka nisur ndaj B. Palushajt, 35 vjeç, me arsim të mesëm, lindur në Pukë e banues në Laprakë, Tiranë. Ai është drejtuesi teknik i një firme private. Policia deklaroi se procedimi penal ndaj tij ka filluar pasi si rezultat i mosmarrjes së masave të duhura të sigurimit teknik në punë, rreth orës 12:00 të dy ditëve më parë, në Lagjen Nr. 14, Durrës, në ambientet e firmës “Pespa”, në kohën kur punonte, është aksidentuar 26-vjeçari E. Q., punëtor i firmës, ku Palushaj ishte drejtues teknik. Të plagosurit i është dhënë ndihma e parë në Spitalin e Durrësit dhe më pas është dërguar në Spitalin Ushtarak, Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dosja me materialet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë” i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Pranga së resë, e dënuar me 2 muaj burg për prostitucion
DURRËS - Një 21-vjeçare është ndaluar nga policia pasi ishte dënuar nga gjykata me 2 muaj burg për veprën penale të “prostitucionit”. Dy ditë më parë, rreth orës 10:30, policia ka mundur ta gjejë 21-vjeçaren me inicialet M. D., duke e vënë menjëherë në pranga. Ajo ishte nga qyteti i Durrësit dhe gjykata e këtij rrethi e kishte dënuar më 30 prill të këtij viti. Sipas vendimit të Drejtësisë, e reja duhet që të vuajë dy muaj dënim në një burg të sigurisë së zakonshme. Ajo është dënuar për veprën penale të “ushtrimit të prostitucionit”. Pas dhënies së dënimit ajo ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës në datën 18 maj 2010. Pas arrestimit, dosja me materialet procedurale i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Durrësit.

Kërkoheshin për vjedhje, ndalohen dy të dyshuar
TIRANË - Kërkoheshin për vjedhje, arrestohen në Tiranë dy të rinj. Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit thanë se në pranga është vënë Amarildo Mehmeti, 18 vjeç, banues në Tiranë. Ky person ishte shpallur në kërkim më datë 14 prill 2010 nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, pasi Gjykata e Shkodrës, me vendimin e datës 5 nëntor të vitit 2008, e ka dënuar me dy muaj heqje lirie për veprën penale të “vjedhjes”. Ndërkaq, nga efektivët e Komisariatit Nr. 5 në Tiranë është ndaluar dhe një person tjetër që kërkohej për vjedhje nga Policia e Lushnjës. Dritan Kozi, 36 vjeç, banues në Tiranë, ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Lushnjë, pasi Gjykata e rrethit, me vendimin e datës 5 prill 2010, kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale të “vjedhjes”. Për dy të ndaluarit, veprimet e mëtejshme hetimore do të bëhet nga policitë respektive.

22 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›