Caceres do ta mirëpriste Suarezin

Martin Caceres do të dëshironte që bashkëlojtari i tij nga Kombëtarja e Uruguait, Luis Suarez të largohej nga Liverpooli dhe t’i bashkohej atij në Juventus sezonin e ardhshëm.
“E njoh Suarezin gjatë tërë jetës sime. Jemi shokë në Kombëtaren e Uruguait që shtatë vite. Ai është një shok, një djalë i mirë dhe një sulmues i madh. Shumë njerëz po flasin keq për të, por ai ka probleme me gjuhen dhe nuk po arrin të shpjegojë veten”, tha Caceres për Tuttosport.
Sulmuesi uruguaian ka qenë i lidhur me një kalim të mundshëm në Torino dhe Caseres pranoi se ka folur me të për Juventusin gjatë kohës që kanë qenë me Kombëtaren.
“Është e vërtetë se kam folur me të rreth Juventusit dhe ai më ka pyetur rreth klubit pa hyrë në specifika për lojtarë. Unë i tregova atij se ‘Zonja e Vjetër’ është një klub që dëshiron gjithmonë të fitojë”, përfundoi ai.