E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga 500 mije persona pa pasaporta qe ndodhen ne vend, 460 mije kane aplikuar

Ministria e Brendshme i dorëzon PS-së dhe misionit të OSBE-ODIHR-it në Tiranë listën emërore të personave pa pasaportë. Dikasteri shpreh keqardhjen për dizinformacionin që bën opozita e Edvinit, e cila po tenton të spekulojë me korrektësinë e shifrave zyrtare të komunikuara nga kjo ministri

TIRANE – Rreth 40 mijë është numri i qytetarëve pa pasaportë që gjenden aktualisht në Shqipëri dhe që ende nuk kanë aplikuar për të marrë letërnjoftimin elektronik, një procedurë kjo që në bazë të Kodit të ri Zgjedhor i mundëson gjithsecilit pjesëmarrjen në zgjedhjet e 28 qershorit. Shifra është bërë publike dje nga ana e zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja.
“Ministria e Brendshme rikonfirmon edhe njëherë faktin e ecurisë normale të procesit të pajisjes së qytetarëve pa pasaportë me letërnjoftimin elektronik. Deri ditën e djeshme kanë aplikuar 1 150 000 shtetas. Për arsye sigurie aplikimet ngarkohen në sistemin e kontrollit të konçensionarit pas aplikimit. Deri tani janë hedhur në sistem dhe dërguar në MB 1 milion e 13 mijë aplikime nga të cilat 420 000 i takojnë atyre pa pasaportë.  Por, numri total i personave pa pasaportë që kanë aplikuar deri tani është më shumë se 460 000. Ministria e Brendshme shpreh keqardhjen për dizinformacionin që bën Partia Socialiste duke tentuar të spekulojë me korrektësinë e shifrave zyrtare të komunikuara nga kjo ministri. Partia Socialiste ka konfirmuar në korrespondencën e saj zyrtare, por edhe në takimet me diplomatë të huaj, se nuk pret që të aplikojnë për letërnjoftimet elektronike më shumë se 500 000 qytetarë nga grupi i atyre që janë pa pasaportë”, deklaroi Konja. Nga ana tjetër ai konfirmoi dje se Ministria e Brendshme i ka dërguar Partisë Socialiste listën emërore të personave pa pasaportë që kanë aplikuar deri tani, si dhe listën e personave pa pasaportë që kanë mbetur ende pa aplikuar. Po ashtu kjo ministri i ka dërguar Partisë Socialiste, Prezencës së OSBE-së në Tiranë si dhe Misionit të ODIHR, analizën e saktë se nëpërmjet 476 stacioneve të aplikimit që sot punojnë 7 ditë të javës nga ora 08 e mëngjesit deri në orën 21 të mbrëmjes, janë në dispozicion kapacitete për të aplikuar edhe më shumë se 400 000 qytetarë të tjerë.
“Ministria e Brendshme shpreh keqardhjen për tentativat e pandërprera të Partisë Socialiste për të dekurajuar këtë proces. Ministria e Brendshme shpreh sigurinë e saj të plotë se çdo qytetar që nuk ka një pasaportë dhe paraqitet për të aplikuar deri
në datën 15 qershor, i ka të gjitha kushtet normale që të pajiset me letërnjoftimin elektronik”, deklaroi zëdhënësi Konja.
Vetëm dy ditë më parë gjatë një komunikimi me mediat Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani pasi konfirmoi se procesi po ecën më rrimet e duhura bëri të ditur edhe një vendim të marrë në bashkëpunim me firmën prodhuese të dokumenteve biometrike “Aleat”, se do t’u jepet përparësi në aplikim personave që nuk kanë pasaporta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›