Caktohen kundërshtarët

Kampioni në fuqi i Evropës, Spanja gjendet në Grupin I të kualifikimeve për Kampionatin evropian 2012, pas shortit të tërhequr të dielën në Varshavë. Gara do të bashkorganizohet nga Ukraina dhe Polonia. Spanja që mposhti Gjermaninë në finale në Vjenë më 2008, gjendet në grup me Republikën Çeke, Skocinë, Lituaninë dhe Lihtenshtajnin.
Ish-selektori i Gjermanisë, Berti Vogts, i cili tani drejton Azerbajxhanin, do të takohet me Gjermaninë, Turqinë, Austrinë dhe Kazakistanin në Grupin A. Në këtë grup, gjenden tre trajnerë gjermanë, ai i Gjermanisë, Joachim Loew, Vogts dhe Bernd Storck, i cili drejton Kazakistanin. Loew ka thënë se ekipi i tij si dhe Turqia, do të jenë favoritë.
“Ne duhet të kualifikohemi, mendoj se mund të presim një gjë të tillë”. “Ne tani jemi të përqendruar plotësisht në Kampionatin botëror. Ky është objektivi ynë dhe është gjëja e vetme e rëndësishme. Duhet të përgatitemi për Afrikën e Jugut”, shtoi ai.
Armenia, që fillimisht ishte tërhequr në Grupin A, u desh të zëvendësohet me Grupin B, pasi janë ende në luftë me Azerbajxhanin. Ata tani do të takohen me Rusinë, Sllovakinë, Irlandën, Maqedoninë dhe Andorrën. Kampioni i botës, Italia përballet me detyrë të vështirë në Grupin C, ku do të luajnë kundër Serbisë, Irlandës Veriore, Sllovenisë, Estonisë dhe Ishujve Faro.
Anglia gjendet në Grupin G me Zvicrën, Bullgarinë, Uelsin dhe Malin e Zi. Dy herë kampioni Franca do të gjendet kundër Rumanisë, Bosnjës e Hercegovinës, Bjellorusisë, Shqipërisë dhe Luksemburgut në Grupin D, ndërsa kampioni i vitit 1988, Holanda, është tërhequr me Suedinë, Finlandën, Hungarinë, Moldavinë dhe San Marinon.
Trajneri gjerman, Otto Rehhagel, i cili befasoi botën e futbollit më 2004, kur udhëhoqi Greqinë drejt triumfit në Portugali, do të takohet me Kroacinë, Izraelin, Letoninë, Gjeorgjinë dhe Maltën në Grupin F. Grupi i fundit sjell Portugalinë, Danimarkën, Norvegjinë, Islandën dhe Qipron së bashku me njëri-tjetrin në Grupin H.
Fituesit e secilit prej nëntë grupeve, si dhe përcjellësi më i mirë do të kualifikohen drejtpërdrejt për në Euro 2012, ndërsa tetë Kombëtaret nga pozitat e dyta do të ballafaqohen në play-off për një vend në garë. Grupet do të garojnë me sistemin e lojërave me vajtje-ardhje, që do të zhvillohen mes shtatorit 2010 dhe tetorit 2011. Polonia dhe Ukraina janë të kualifikuar drejtpërdrejt si nikoqirë. Gara e vitit 2012 do të jetë e fundit që fillon me 16 ekipe, pasi nga viti 2016 do të jenë 24 pjesëmarrës.
Grupi A: Azerbajxhani, Kazakistani, Belgjika, Austria, Turqia, Gjermania
Grupi B: Andorra, Armenia, Maqedonia, Irlanda, Sllovakia, Rusia
Grupi C: Ishujt Faro, Estonia, Sllovenia, Irlanda Veriore, Serbia, Italia
Grupi D: Luksemburgu, Shqipëria, Bjellorusia, Bosnjë Hercegovina, Rumania, Franca
Grupi E: San Marino, Moldavia, Hungaria, Finlanda, Suedia, Holanda
Grupi F: Malta, Gjeorgjia, Letonia, Izraeli, Greqia, Kroacia
Grupi G: Mali i Zi, Uelsi, Bullgaria, Zvicra, Anglia
Grupi H: Islanda, Qiproja, Norvegjia, Danimarka, Portugalia
Grupi I: Lihtenshtajni, Lituania, Skocia, Republika Çeke, Spanja