E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina fitoi në Pejë

Ndeshja derbi e xhiros së 19-të e TechnoMarket Superligës së Kosovës në basketboll e zhvilluar të dielën mbrëma në Pejë, ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës, ka përfunduar me fitore të ekipit mysafir.

Bardhekaltrit edhe njëherë dëshmuan se janë kandidatët më serioz për t’u stolisur edhe në këtë edicion me titullin e kampionit, pasi e mundën në udhëtim ekipin pejan, me rezultat 58:62.

Kjo ishte humbja e dytë rresht që e pësuan verdhezinjtë, sepse edhe në mesjavë ata u patën mposhtur nga Bambi. Sigal Prishtina ishte më e kujdesshme, duke krijuar epërsi deri në 13 pikë në çerekun e fundit ndaj ekipit kundërshtar, kur rezultati në semafor ishte 49:62. Megjithatë, vendasit u këndellën duke e ngushtuar epërsinë e ekipit mysafir në vetëm katër pikë, kur ndeshja u përmbyll me rezultat përfundimtar 58:62.

Duhet theksuar se ky derbi nuk i përngjante aspak atyre ndeshjeve të viteve të kaluara kur përballeshin mes veti këto dy skuadra, të cilat nuk ishin aq efikase, sepse të dyja ekipet bashkë i shënuan gjithsej 120 pikë.

Ndërkohë, po të dielën në Gjilan, fitore ka shënuar Bashkimi si mysafir i Dritës. Portokallinjtë e kanë mposhtur skuadrën bardh e kaltër me rezultat shumë të thellë, 69:118.

Ndërsa, të shtunën janë zhvilluar edhe dy ndeshjet e para të kësaj xhiroje. Trepça iu është rikthyer fitoreve pas humbjes që e pësoi në mesjavë nga Bashkimi, duke e mposhtur rivalin lokal, Bambin, me rezultat 80:62. Kurse, Kolegji EuroSport ka pësuar humbje në shtëpi nga Kosova e Vushtrrisë me rezultat të ngushtë, 84:87.

Rezultatet – Xhiroja e 19-të
Peja – S. Prishtina 58:62
Drita – Bashkimi 69:118
K. EuroSport – Kosova 84:87
Trepça – Bambi 80:62

Tabela
1. S. Prishtina 18 35
2. Bashkimi 19 33
3. Trepça 19 33
4. Peja 19 28
5. Kosova 18 25
6. Bambi 18 24
7. K. EuroSport 19 23
8. Drita 18 21

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›