E Shtunë, 31 Tetor 2026

Caktohen negociatoret Patozi leter Rucit Te nisim reformen

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi i kërkon nëpërmjet një letre, homologut të tij socialist, Gramoz Rucit të nisin punën për reformën zgjedhore. Partia Demokratike propozon që të merret opinioni i OSBE\ODIHR dhe Komisionit të Venecias lidhur me reformën e re elektorale. Në letrën drejtuar Rucit, Patozi citon se Oerd Bylykbashi dhe Viktor Gumi do të jenë dy negociatorët e PD-së përballë Vasilika Hysit dhe Damian Gjiknurit. Misioni i tyre do të jetë shqyrtimi i modaliteteve të ngritjes së Komisionit parlamentar të reformës Zgjedhore. 

“Do të ishte në interesin e dy palëve dhe të vetë procesit që ne t`u drejtohemi me një ftesë të përbashkët OSBE\ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që ata të shqyrtonin mundësinë për të asistuar Komisionin parlamentar të reformës Zgjedhore në të gjitha etapat e tij. Negociatorët e PD-së do të jenë Oert Bylykbashi dhe Viktor Gumi, të cilët do të kontaktojnë me përfaqësuesit e Partisë Socialiste Damian Gjiknuri dhe Vasilika Hysi për reformën zgjedhore”", thuhet në letrën e Patozit.

Patozi në letrën e tij, i drejtohet kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Rucci që të fillojë puna me urgjencë për ndërtimin e ligjit të ri zgjedhor. SIpas Patozit, një reformë cilësore do të shërbejë edhe për një process edhe më të mirë zgjedhor në vitin 2013.

“Një muaj pas daljes së raportit përfundimtar të OSBE\ODIHR për zgjedhjet e 8 majit është koha e përshtatshme që të nisim bashkarisht përpjekjet për një reformë zgjedhore cilësore që të përgatisë si dhe kur duhet zgjedhjet politike të vitit 2013. Ne jemi të gatshëm që të nisim pa humbur kohë kontaktet, në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të marrë udhë sa më shpejt”, vijon ai.

Katër negociatorët priten të përcaktojnë cdo hallkë të etapave të reformës elektorale mbi të cilin do të punohet më pas në komisionin parlamentar të reformës zgjedhore. Patozi e mbyll letrën drejtuar Rucit me shpresën se do të ketë mirëkuptim mes PD dhe PS për mbylljen në kohë të reformës elektorale.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›