E Diel, 1 Nëntor 2026

PS akuza qeverisë: Kriza ka prekur vendin, kosto e jetesës e lartë

TIRANE- Partia Socialiste ka zbritur sot në terren për të vërtetuar pretendimin e saj lidhur me rritjen e cmimeve të produkteve ushqimore. Deputeti Taulant Balla gjatë blerjes së disa produkteve ushqimore në një pikë të tregëtimit me pakicë tha se cmimet e produkteve të shportës së mallrave të konsumit janë rritur disa herë në krahasim me një vit më parë. Sipas Ballës, kjo gjë ka shkaktuar rritjen e kostos së jetesës për shqiptarët.

“Një vit më parë në këtë sezon , një kilogram domate ishte shumë më pak se 200 lekë, sot është 250 lekë , një kg qepë ishte 80 lekë sot është 130 lekë, një kg mollë ishte 90 lekë sot është 130 lekë, një kg portokalle në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 90 lekë, sot është 120 lekë. Është e pamundur për një familje të përballojë rritjen e cmimit të sheqerit në 120 apo 130 lekë kur një vit më parë çmimi ishte 80 lekë. Imagjinoni se sa mundësi ka një familje pensionistësh me më pak se 100 mijë lekë në muaj që të përballojë këto cmime që janë rritur dhe vazhdojnë të rriten cdo ditë” u shpreh Balla.

Ndërkaq deputetja e Partise Socialiste, Ermelinda Meksi nëpërmjet një prezantimi të treguesve dhe shifrave ekonomike tha se ekonomia shqiptare është prekur nga kriza ndryshe nga sa pretendon qeveria për një mrekulli ekonomike. Sipas Meksit, borxhet e qeverisë po gërryejnë ekonominë e shqiptarëve.

“Përballë kësaj situate kërkohet reflektim, kërkohet transparencë ëpr situatën reale ekonomike në Shqipëri, kërkohet nga qeveria rialokim të burimeve të buxhetit në drejtimet më efikase. Ne mendojmë se borxhet gërryejnë ekonominë dhe depozitat bankare. Kjo situatë ka dhënë efektet e veta në zhvlerësimet e lekut, në rritjen e cmimeve dhe në uljen e fuqisë blerëse të popullatës. Ne kërkojmë ndryshimin e reagimit të mazhorancës ndaj kritikave tona të përsëritura që kanë rezultuar serioze, të drejta dhe që realiteti po i vërteton cdo ditë” theksoi Meksi.

Deputetja Meksi i bëri thirrje qeverisë që të pranojë me realizëm situatën dhe të kërkojë bashkëpunim me opozitën për marrjen e masave për të dalë nga rënia ekonomike.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›