E Shtunë, 31 Tetor 2026

Calciopoli, përjashtohen përjetë Moxhi e Xhiraudo

ITALI- Komisioni Disiplinor i Federatës Italiane të Futbollit ka vendosur përjashtimin përjetë nga futbolli të Luçiano Moxhit, Antonio Xhiraudos dhe Inoçenco Mazinit, në lidhje me skandaline Calciopolit të plasur 5 vjet më parë. Për ish-drejtorin e përgjithshëm të Juventusit, për ish-administratorin e deleguar të këtij klubi dhe për ish-zëvendës presidentin e Federatës Italiane të Futbollit, Komisioni ka përdorur nenin që përjashton nga çdo kategori futbolli këta ish-drejtues. Ata ishin pezulluar për 5 vjet, si rrjedhojë e skandalit të Calciopolit të plasur në vitin 2006, por me propozimin që të përjashtoheshin pas mbarimit të këtij afati. “Kjo masë u morr për shkak të veprave të shkaktuara, të rëndësisë dhe pasojave të tyre”, thuhet në vendim. Pas kësaj, merr fund ideja që Moxhi t’i rikthehet edhe njëherë futbollit, siç ishte përfolur në shtypin italian këto ditë. Vetë Big Luçiano kishte shprehur dëshirën të rikthehej pas mbarimit të pezullimit.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›