E Diel, 1 Nëntor 2026

Camerata e Tiranës Pianisti francez Pascal Gallet vjen për Chopin në Tiranë

Në koncertin e datës 30 mars i ftuar është një prej emrave më të njohur të artistëve francezë
Camerata e Tiranës në koncertin e saj të ardhshëm premton një tjetër mbrëmje magjike me tingujt e muzikës simfonike. I ftuar në koncertin e datës 30 mars është pianisti francez Pascal Gallet, i cili konsiderohet nga kritika ndërkombëtare, si një nga më të famshmit e brezit të tij. Mbrëmja  e datës 30 mars do të sjellë dhe një repertor të pasur, i cili është i ndërtuar me vepra të autorëve të njohur botërorë. Vepra të njohura nga Janacek, Messiaen, Chopin, etj do te ekzekutohen nën drejtimin e dirigjentit prof. Zhani Ciko, një nga emrat më të njohur të artit shqiptar. Koncerti i kësaj orkestre harqesh ka për qëllim evidentimin e vlerave profesionale të instrumentistëve të rinj të kësaj orkestre, tingujt e të cilëve do të na shoqërojnë gjithë sezonin artistik të këtij viti. Në kalendarin e aktiviteteve për këtë sezon në Camerata e Tiranës janë planifikuar dhe disa mbrëmje koncertore me të ftuar specialë,  artistë të mëdhenj e solistë të orkestrave më në zë në botë, qofshin këto shqiptarë apo të huaj. Orkestra Camerata e Tiranës tashmë ka treguar shumë qartë  performancën e saj artistike, duke mbështetur, shoqëruar dhe bashkëpunuar me artistë të mëdhenj ndërkombëtar. Camerata e Tiranës edhe në koncertet që ka zhvilluar më parë ka sjellë për publikun një repertor të pasur simfonik, ku nuk kanë munguar dhe të ftuarit që kanë ekzekutuar këto vepra. Kështu sezoni artistik i saj nisi me veprat e autorëve çek Jozeph Suk dhe Antonin Dvorak. Romantizmi çek erdhi me dy serenata më të njohura të literaturës botërore. Ky udhëtim romantik në Pragë, ishte nën dirigjimin e francezit Jean Michel Ferran, aktualisht drejtues artistik i orkestrës Camerata e Tiranës. Mbrëmja koncertore Udhëtim në Pragë përcolli tingujt e muzikës së dhomës pranë publikut artdashës me notat e talenteve më të reja që ka sot vendi ynë. Nën drejtimin e dirigjentit të madh francez Jean Michel Ferran, që aktualisht është dhe dirigjenti  permanent i orkestrës Camerata e Tiranës, i shoqëroi të pranishmit në një udhëtim romantik në Pragë, me dy nga serenatat më të njohura të literaturës botërore, duke venë ballë për ballë ndjeshmëritë muzikore të dy majave të romantizmit çek, serenatat e Jozeph Suk dhe Antonin Dvorak. Por gjatë koncerteve që janë zhvilluar me këtë formacion muzikor,mes të ftuarve të tjerë ishte dhe flautisti i njohur francez Jean Ferrandis. Vepra të kompozitorëve të njohur botërorë si Grieg, Bach, dhe Vivaldi, erdhën për publikun në koncertin e radhës me muzikantët e Cameratës së Tiranës. Formacion i njohur me emrin "Camerata e Tiranës", e frymëzuar dhe me përvojën e sukseseve të deritanishme, do të ketë mundësinë që në koncertin e datës 30 mars të ketë një nga pianistët më të njohur në mbarë botën, i cili premton të sjellë një mbrëmje të paharrueshme me tingujt pianos. Projektet e shoqatës Artema kanë në thelb një mision në Shqipëri, që jo vetëm të promovojnë jetën artistike shqiptare duke mbështetur në mënyrë të veçante të rinjtë e talentuar si pjesë aktive të saj, por edhe ballafaqimin e tyre me standardet artistike Evropiane, në çdo projekt të ndërmarrë nga Artema, që është në bashkëpunim me artistë dhe institucione artistike të huaja. Artema në Shqipëri, me Cameratën e Tiranës, do të jetë pjesë aktive e sezonit artistik 2009. Ky sezon artistik ka për synim të bëjë të mundur vënien në skenë, të koncerteve me solistë të mirënjohur, kryesisht të huaj dhe shqiptar, duke sjellë gjallërimin e jetës kulturore shqiptare, duke u motivuar nga dëshira dhe ambicia për ti propozuar publikut  koncerte me kualitet sa më të lartë.  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›