E Shtunë, 31 Tetor 2026

Camerata e Tiranës, koncert për Viktor Shirokën

Orkestra e kryeqytetit Camerata e Tiranës, e frymëzuar dhe e motivuar nga jeta artistike e një artisti të madh shqiptar siç është Viktor Shiroka, i dedikon mbrëmjen e natës sotme një koncert këtij artisti. Kjo jo rastësisht, pasi është një festë që meriton ti dedikohet atyre njerëzve të thjeshtë e punëtorë që me pasionin, talentin dhe vullnetin e tyre, i dedikojnë një pjesë të rëndësishme artit shqiptar. E veçanta e këtij koncerti ka të bëjë me faktin se studentët që kanë dalë nga klasa e tij do të jenë solistët pjesëmarrës në këtë mbrëmje. Ata tashmë kanë një karrierë shumë të pasur dhe me një performancë të deritanishme të shkëlqyer jashtë kufijve të Shqipërisë dhe brenda vendit. Ata do ti dhurojnë skenës dhe publikut shqiptar në këtë mbrëmje koncertore pjesë si, Marcello, Respigi, Vivaldi, Anselmi, Cimarosa. Një ndër nxënësit  e tij Viktor Shirokës, Ali Pengili, interpreton si solist me orkestra ndër më të shquarat e botës. Pjesëmarrës në koncertin që do të mbahet sonte është dhe instrumentisti Zija Bejleri (oboist dhe saksofonist), një ndër nxënësit e mjeshtrave Vangjel Papamihali, Tonin Rota dhe Robert Radoja. Është diplomuar në Oboe në Akademinë e Arteve (Instituti i Lartë i Arteve) në 1987, nën drejtimin e profesor Viktor Shirokës. Ka marrë  titullin Oboist, duke mbajtur rolin e Oboistit të parë në Orkestrën  Simfonike  të Konservatorit. Ka mbajtur koncerte të ndryshme me duo: oboe-piano dhe saks soprano/alto/tenor-piano në Itali, Austri, USA. Në 1991 ka bërë pjese në Orkestrën "San Marco " të Pordenones me rolin(Oboist) Corno inglese.
Si e njohëm artistin Viktor Shiroka
Oboist dhe pedagog shqiptar nga qyteti i Shkodrës. Në vitin 1954 filloi studimet në Liceun artistik, Tiranë dhe në fund të vitit 1957 vazhdoi studimet në Pragë, ku u diplomua për oboe në vitin 1961. Me krijimin e orkestrës simfonike të RTVSH, me 1962 filloi punën si oboist solist, njëkohësisht dhe si pedagog në Konservatorin e Tiranës. Gjatë viteve 1993-2001 ishte pedagog në Akademinë e Arteve. Viktor Shiroka ka interpretuar si solist dhe si anëtar ansamblesh dhome. Ka një repertor që përfshin periudhën që nga paraklasikët e deri në ditët tona. Ka interpretuar dhe regjistruar të gjitha veprat e kompozitorëve shqiptarë për oboe dhe në të gjitha aktivitetet kombëtare ka luajtur si oboist i parë . Ai ka interpretuar edhe jashtë vendit si në Itali, Greqi, Turqi,Kinë etj dhe gjithmonë ka qenë  në pozicionin e pultit të parë. Një ndër nxënësit e tij, Ali Pengili, interpreton si solist me orkestra ndër më të shquarat e botës. Shiroka është nderuar me tituj e çmime. Ndër to dhe me titullin "Artist i Merituar".

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›