E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masat ndaj gripit të derrit, ngrihen 3 dhoma karantinë në spital

Gripi i derrit H1N1 duket se nuk ka shqetësuar Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës në Gjirokastër. Fluksi i paktë i njerëzve në këtë nyje ndërkombëtare me Greqinë, i është nënshtruar kontrollit rutinë në daljen nga Shqipëria si dhe procedurave te zakonshme në hyrjen për në territorin shqiptar. Nga ana greke e Kakavijës, janë ngritur dy grupe kontrolli që monitorojnë situatën. Në mënyrë kategorike, grekët nuk kanë lejuar transportimin e çdo lloj produkti të mishit nga Shqipëria madje edhe në rastet e konstatuara tek çantat e transportit të udhëtarëve që shkojnë në Greqi, ndonëse nuk ka qenë mish derri, por gjedh ose i vogël, kontrollorët grekë kanë pamundësuar transportin e mishit shqiptar në brendësi të territorit të tyre. Vizitorët që hyjnë në territorin shqiptar, nuk pyeten për itineraret që kanë ndjekur përpara se të shkelin tokën shqiptare. Mungesa e një rasti të gripit të derrit në Greqi i ka lënë në gjendje të qetë edhe punonjësit e sektorit të shëndetësisë, të cilët gjatë paradites së djeshme kanë munguar në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës. Ndërkohë sektorit të kontrollit veterinar ende nuk i ka mbërritur një urdhëresë nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit për ndalimin e ngarkesave me mish derri me origjinë nga Meksika apo vendet e tjera ku është shfaqur sëmundja. Në orët mbrëmjes së të mërkurës, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik, Igli Kokalari ka informuar mbi ngritjen e grupit të punës që do të merret me menaxhimin e kësaj situate. Ai ka theksuar se do të ketë një bashkërendim në të gjitha veprimet mbi kontrollin në pikat e kalimit kufitar duke përfshirë veç institucionit që ai drejton edhe Drejtorinë e Policisë së Kufirit dhe Migracionit, Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë dhe Ushqimit, si dhe spitalin rajonal Omer Nishani. Në këtë të fundit janë vënë në dispozicion tre dhoma karantine për çdo person që mund të rezultojë i prekur me virusin e gripit të derrave. Në bazë të udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë kanë mbërritur gjithë medikamentet e nevojshme, por deri tani për specialistët e këtij spitali rreziku nga kontaminimi qëndron larg. Alarmi i shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për gripin e derrave, është shoqëruar me marrjen e masave parandaluese. Kështu bëhet e ditur se Shtabi i Emergjencës pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, do të mbikqyrë pikat e kalimit kufitar dhe ka gati bazën materiale për të ndërhyrë në rastet kur dyshohet se ka të prekur nga ky virus. Shërbimi me një turn në Kakavije, do të kthehet në shërbim 24 orësh dhe vendi ku do të qëndrojnë punonjësit e shëndetësisë mendohet të instalohet pranë kabinave të kontrollit të dokumenteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›