Poeti Xhevahir Spahiu, do të flasë!
Pas ndërhyrjeve kirurgjikale në Turqi, shkrimtari Xhevahir Spahiu ka dhënë shenjat e para të përmirësimit të gjendjes shëndetësore. Mjekët kanë konfirmuar se ai do të flasë. Këtë lajm na e ka dhënë për “standard” djali i poetit, Orgesi, i cili e ka shoqëruar atë në çdo hap gjatë shtrimit të tij në spital, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Sipas tij, mjekët janë shprehur optimistë për rezultatin pas ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin gjerman Alman Hastanesi (Universal Hospital Group) në Stamboll. Dhe sot poeti pritet të kthehet në shtëpi me shëndet të garantuar. “Shëndeti i babait sot ka përmirësim si në lëvizjen e anësive, të dorës dhe të këmbës së djathtë”, - ka treguar për “standard”. Po ashtu, mjekët kanë shprehur siguri edhe për procesin e të folurit”, - shprehet i biri i poetit të njohur, Orges Spahiu, i cili si mjek që është tregon se është kujdesur vazhdimisht për babin e tij. Ai thotë se kanë kaluar plot dhjetë ditë prej interventit dhe faza pas operacionit ka kaluar pa komplikacione. Gjithashtu, ai shton se rikthimi i komunikimit tek shkrimtari pas ndërhyrjes ka dhënë simptoma pozitive, por sipas Orgesit, në konsultim me mjekët kërkohet edhe pak kohë dhe qetësi për të marrë rezultatin e dëshiruar. “Sa i përket të folurit të babait do të duhet një kohë e caktuar rehabilitimi. Këtë e kanë shprehur mjekët në Tiranë, po ashtu një përfundim të tillë e kanë nxjerrë edhe mjekët e këtij spitali në Stamboll. Sipas tyre, babai ka nevojë për pushim e qetësi, sidomos gjatë muajit të parë pas ndërhyrjes, pasi operacioni nuk ishte i lehtë”. Ai tregon se në spitalin gjerman në Turqi, Xhevahir Spahiu, ka qenë në vëmendje të vazhdueshme të mjekëve të huaj Prof. Dr. Ismail Jukseltan, neurologu prof. dr. Melahat Degirmenci, duke ofruar edhe kushtet më optimale. Shkrimtari zuri shtratin nga një ishemi cerebrale, që i është shkaktuar nga tensioni i lartë. Po ashtu, ai kishte dy vatra në hemisferën e majtë të trurit. Ato janë ekzaminuar me rezonancë magnetike dhe ka rezultuar se janë më të mëdha nga sa ishte parë nga skaneri. Orgesi njofton se sot poeti Spahiu do të kthehet në shtëpi dhe do të jetë nën kontrollet periodike të kardiologut dhe të neurologut.