Zhulali na nxjerr nga zeroja
Këngët që kanë përfaqësuar deri tani Shqipërinë në “Eurosong” pothuaj janë barazuar me “zero”. Përveç Anjeza Shahinit, që ka kënduar pesë vite më parë, tani të gjithë këngët që na paskan përfaqësuar në Eurovizion dalin skarco, jashtë cilësie. Këtë kanë pohuar dje drejtuesit e RTSH-së, duke dashur të ngrenë në qiell këngën e fundit që do të na çojë në Eurovizion. Rizgjimi i tifozllëkt për festivalin evropian, që ka vite me shkëlqim të humbur, kur shumë vende tashmë e kanë rutinë të përvitshme, për ne, gjenden gjithnjë impulse për të tërhequr vëmendjen. Duket se kompozitori është guri i fortë, “asi” ynë që lidh dy skajet tona të përfaqësimit me sukses në Eurovizion.
Kënga e Kejsi Tolës “Më merr në ëndërr” me kompozim të Edmond Zhulalit dhe tekst të Agim Doçit është cilësuar kështu përfaqësimi më serioz dhe cilësor që ka ndërmarrë deri tani Radio-Televizioni Shqiptar. Këtë përfundim e ka pohuar dje drejtori i këtij institucioni Petrit Beci, duke vlerësuar këngën e Tolës për të parën herë si punën më të kompletuar të realizuar nga RTSH. “Kjo është hera e parë që përfaqësimin e Shqipërisë në Eurosong e kemi marrë me shumë seriozitet. Pa dashur të mohojmë vlerat e pjesëmarrësve të tjerë, dua të kemi parasysh që kemi të bëjmë me një vajzë të talentuar dhe një zë shumë të bukur”, - shprehet drejtori i Radio-Televizionit Shqiptar, Petrit Beci. Duke u nisur nga të dhënat online, gjendur në faqet e ndryshme të internetit, sipas tij, kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion është një ndër më të klikuarat dhe më të dëgjuarat në Evropë. Po ashtu, këtë përfundim ai e bazon edhe nga mënyra e pritjes së ekipit shqiptar në tre shtete të ndryshme si në Greqi, Holandë dhe Mal të Zi, duke u shprehur se “kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong” rezulton se është një nga këngët më të klikuara të pjesëmarrjes në këtë festival për këtë vit. Për këtë arsye ne kemi bërë një përgatitje realisht shumë serioze ku do të ketë edhe një performancë shumë profesionale”. Përfaqësuesja e Shqipërisë në festivalin evropian, Kejsi Tola, u prit dje në Ministrinë e Kulturës edhe nga ministri Ardjan Turku, i cili shprehu dëshirën e një përfaqësimi sa më të denjë në Moskë për të ngritur në një nivel më të lartë të përfaqësimit tonë në krahasim me edicionet e mëparshme. “Me meritë ndodheni në këtë pozicion për të përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Evropian, sepse keni bërë një punë serioze. Përfaqësimi juaj do të ngrejë në një nivel më të lartë muzikën shqiptare”, - tha ministri i MTKRS, Turku. Ai shtoi se “do të ishte shumë e dëshirueshme për ne të arrinit nivelin e përfaqësimit të këngëtares Anjeza Shahini. Jam i sigurt se qëndrimi juaj në Moskë do të jetë shumë korrekt dhe përfaqësimi do të jetë shumë dinjitoz”.
Kënga “Më merr në ëndërr” kënduar nga Kejsi Tola është gati për konkurrim, e cila tashmë shoqërohet edhe me një videoklip. Ky i fundit është përgatitur në një studio prestigjioze në Gjermani, pikërisht aty ku është bërë edhe regjistrimi. Kënga në bazë të rregullave të festivalit evropian pas përpunimit të saj është shkurtuar, duke shkuar kështu jo më shumë se katër minuta. Ajo çka bie më së shumti në sy në klip është thjeshtësia dhe brishtësia e Kejsit, ku pamjet dimërore në Gjermani ndërthuren me ndërhyrjet kompjuterike të teknologjisë bashkëkohore. Çmimi i lartë këtij projekti është i dukshëm dhe për këtë pritshmëria e një rezultati sa më dinjitoz të Shqipërisë në festival ishte epiqendra e takimit të djeshëm në MTKRS në prani të ekipit bashkëpunues. Autori i tekstit, Agim Doçi, shprehu konsideratë të lartë për këngëtaren shqiptare, duke shtuar se “zëri i Kejsi Tolës do të tronditë Moskën dhe Kremlinin”. Kënga e saj është përkthyer nga June Taylor Myftari dhe sipas tekstshkruesit Doçi, ajo është përshtatur disa herë më mirë sesa vargjet e tij në shqip.
Ndërsa Kejsi Tola u shpreh se “jam e nderuar dhe e lumtur që do përfaqësoj Shqipërinë në Eurosong dhe u jam mirënjohëse njerëzve që më kanë mbështetur”. Kam punuar shumë fort dhe shpresoj se do bëj një përfaqësim dinjitoz të vendit tim në Moskë”. Performaca e Kejsi Tolës do të shoqërohet nga dy këngëtare dhe dy balerinë, ndërkohë që i gjithë ekipi pritet të niset drejt Moskës në datë 4 maj. Festivali Evropian i Këngës do të fillojë në datën 12 maj, për të vazhduar më pas në datat 14 dhe 16 maj.