E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cameron Dias

Kam parë dhe shijuar gjithë botën

Ajo është femra që të gjithë do të dëshironin që ta kishin në mbrëmjet e qejfit. është zbavitëse, gjithmonë e qeshur dhe e gatshme që të ndërmarrë çdolloj aventure, është qendra e vëmendjes kudo që shkon dhe shumë e hapur. Për shumë kohë ka qenë një nga personat që frekuentonte të gjitha mbrëmjet dhe okazionet mondane që organizoheshin në Hollivud. Në fakt, këtë lloj mënyre jetese ka pasur që kur në të ritë e saj e nisi karrierën me pasarelat si modele dhe më pas si shumë raste të tjera në Hollivud nga një bukuroshe u shndërrua në një aktore dhe ndër më të paguarat e industrisë, të paktën deri më tani. Por gjithsesi, bëhet fjalë për disa vite më parë. Imazhi që ajo ka është ai i një vajze që nuk di të hedhë rrënjë dhe kur qëndron për një kohë të gjatë në një vend, apo me një partner përbën çudi për të gjithë. 37-vjeçarja që ka bërë një jetë të tillë shumë të lëvizshme që në moshën 16-vjeçare kur shëtiste botën si modele e konsideron veten një “flutur”. “Unë nuk mund të them se kam parë gjithçka nga kjo botë, sepse gjërat e saj janë të pafund, por mund të them se kam qenë gjithmonë në lëvizje, sa në një vend në tjetrin dhe nuk qëllon kurrë që të kaloj një vit të tërë në të njëjtin vend. Aktualisht jam në një fermë dhe më pëlqen që të shoh se si kultivohen dhe rriten kultura të ndryshme bujqësore, pra si krijohet jeta në fusha”, thotë ndërsa ka përfunduar filmin e saj të fundit. “është diçka që ka të bëjë me zanafillën e gjërave. Unë e ndiej tokën nën këmbë dhe ndiej se si gjithçka lind dhe rikthehet aty sërish pasi bën një cikël mbi tokë dhe kjo është arsyeja që ne duhet ta duam dhe ta ruajmë vendin nga vijmë dhe në të cilin shkojmë. Nuk do të kishim asgjë nëse nuk do të kishim tokën, ujin dhe diellin. Kam lexuar shumë kohët e fundit në lidhje me bujqësinë dhe e ndiej se më pëlqen të punoj me tokën. Në njëfarë mënyre është si të pikturosh”, thotë Diaz me buzëqeshjen e saj diellore. Tani është e veshur shumë thjesht ndryshe nga veshjet super të shtrenjta të viteve më parë me të cilat shkonte nëpër eventet mondane e shoqëruar edhe nga truprojat dhe ekspertët e marrëdhënieve me publikun. Askush nuk e vë në dyshim sinqeritetin e Cameron, por për ata që e njohin mirë është e vështirë që ta imagjinosh këtë vajzë me veshjen e një fermereje tek kalon pjesën më të madhe të jetës në shërbim të tokës dhe prodhimeve bujqësore. Megjithatë ajo mbetet një vajzë mjaft zbavitëse dhe sipas vetë fjalëve të Tom Criuze, parteri në filmin e fundit që ka interpretuar: është një nga njerëzit më të sinqertë dhe të hapur që ka Hollivudi. “Të dy bashkë sapo kanë përfunduar së xhiruari filmin “Knight and Day”. Për ata që e njohin Cameron është një person që e ka të natyrshme të qeshurën dhe ka një mënyrë joshjeje shumë natyrale që e ka ndihmuar gjithmonë në karrierën e saj që në fillim edhe mbi të gjitha të jetë gjithmonë ndër më të paguarat në Hollivud edhe në rastet kur disa filma të saj nuk kanë qenë në lartësinë e duhur dhe nuk kanë nxjerrë ndonjë fitim të madh për producentët. Madje, buzëqeshja e ka ndihmuar që të mbulojë herë pas here edhe mungesën e talentit që ia kanë vënë në dukje në ndonjë interpretim. Në filmin e fundit, Cameron interpreton June Havers, një grua që është nisur për të marrë pjesë në dasmën e së motrës, por që rastësisht përfshihet në një intrigë ndërkombëtare dhe në këtë e sipër takohet edhe me personazhin e interpretuar nga Cruize, që është një spiun i zoti, por në arrati. I gjithë filmi është me shumë ritëm me skena të denja për akrobatë edhe pse një pjesë të mirë të tyre Camron i ka bërë vetë pa dublantë. është një film shpërthyes ku vetë Cruize ka nxjerrë edhe njëherë në pah aftësitë e veta shumë të mira fizike. Vetë Dias me njëfarë naiviteti thotë se skenari i filmit nuk është respektuar dhe se gjatë xhirimit të gjithë bashkëpunuan që të gjenin gjetje dhe mënyra të reja për të shprehur gjërat. “Ishte një film që thuajse është krijuar edhe njëherë nga e para në sheshin e xhirimit dhe kjo e bën më të besueshëm, më të gjallë dhe që në shfaqjet e para ka pasur shumë sukses nga publiku”. Ajo vetë ka interpretuar në shumë filma të zhanreve të ndryshme duke nisur nga komeditë, filmat e lehtë e deri tek ata dramatikë që kërkojnë me të vërtetë një potencë të madhe aktoriale. Së fundi ishte edhe filmi i sapopërfunduar që ka kërkuar edhe aftësi fizike nga ana e saj dhe ajo është e lumtur që mendon se ia ka dalë më së miri. “Puna ime si aktore është që të marr rolin dhe të bëj të gjitha përpjekjet që të jap personazhin me të gjitha anët e tij dhe kur bëhet fjalë për anën fizike më duhet që të kem të njëjtën përgatitje dhe për këtë duhet punë. Por në filmin që sapo përfundova ishte shumë e vështirë që të mbaja një marrëdhënie konstante me personazhin tim, sepse ishim gjatë gjithë kohës në lëvizje dhe kjo të shpërqendronte në njëfarë mënyre”. Dias është rritur në Long Beach në Kaliforni. I ati i saj ishte një naftëtar nga Kuba ndërsa e ëma shitëse. Diaz “u zbulua” gjatë një mbrëmjeje në Hollivud në të cilën ajo merrte pjesë rastësisht. Aty qëlloi një fotograf i famshëm që i bëri disa foto. Ishte vetëm 16 vjeç dhe pamja e saj ishte e jashtëzakonshme. Me miratimin e prindërve ajo kaloi 5 vjet të jetës së saj si modele dhe shkoi në të gjithë botën. Një punë e tillë i dha para dhe e bëri të pavarur dhe kjo më pas ndikoi shumë në karrierën e saj, por edhe në jetën personale. Në moshën 21-vjeçare ajo mori pjesë në një audicion për një rol në filmin “Mask” në të cilin nëse do të fitonte do të interpretonte me të famshmin Jim Carry dhe pas 12 audicionesh ajo e mori rolin, por në vend të rolit episodik që iu premtua në fillim iu dha roli kryesor. Menjëherë pas këtij filmi u shndërrua në një “mall” shumë të shtrenjtë dhe të pakta kanë qenë ato artiste që patën një ngjitje si të sajën në karrierë dhe në vlerësimin material. Më kalimin e moshës arriti që të përmirësonte edhe aftësitë aktorekse me një sërë kursesh që mori në Nju Jork dhe në vitin 1997 interpretoi në një tjetër film “My Best Friends Wedding” së bashku me Julia Roberts dhe në këtë moment ajo u shfaq si një aktore që pretendonte shumë. Më pas vjen filmi “Something about Mary” që e vulosi imazhin e saj si një aktore diellore dhe një bombë të vërtetë seksi. Por nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekja për të luajtur edhe në role të vështira e dramatike që nuk kanë nevojë shumë për trup të mirë, por për aftësi të mëdha interpretative. I tillë është roli në filmin “My sister’s keeper”. Një nga aspektet e jetës së saj është se ka qenë e lidhur me shumë meshkuj, ndër më të kërkuarit e Hollivudit si Justin Timberlake, Matt Dilon, John Mayer, Criss Angel, Paul Sculfor e të tjerë. Ajo është përpjekur që t’i mbajë private lidhjet e saj, por duke qenë se është person i famshëm nuk e ka pasur të lehtë që t’i mbajë larg syve të kuriozëve. Ndërsa shumë moshatare të saj kanë adoptuar fëmijë ajo ende nuk e ka çuar nëpër mend një gjë të tillë, të paktën edhe për disa kohë. “Unë e kam të qartë se nëse do të kisha fëmijë nuk do të isha e lirë që të bëja të gjitha gjërat që po bëj ndaj kam bërë një zgjedhje”, thotë Dias, e cila duket se ka ende shumë gjëra për të shijuar dhe se tani që mbaroi edhe filmin e fundit do të niset për një udhëtim të gjatë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›