Italia, si shpëtoi nga kriza ekonomike?
Në teori me borxhin e madh publik, Italia duhet që të ishte një nga “fëmijët problematikë” të Eurozonës. Por në të vërtetë, vendi ka dalë nga kriza ekonomike e viteve të fundit pa shumë dëme. A ka ndonjë mësim për të marrë nga Italia, pjesa tjetër e Europës, që në fakt kaloi periudha shumë të vështira?
Maria Cannata nuk mund të mendojë për një tjetër punë që mund të jetë më e lodhshme se e saja. Ajo ka qenë “zonja e borxhit”, për thuajse 10 vjet, periudhë gjatë së cilës ka bërë një punë të shkëlqyer. Cannata ndodhet e relaksuar në kolltukun e zyrës së saj. Në murin pas shpinës në zyrën e Ministrisë së Financave në Romë qëndron varur një foto e familjes dhe disa shënime që i përkasin vitit 1850. Cannata është personi që merret me menaxhimin e borxheve të Italisë dhe sigurohet që ky vend të mos shkojë në greminë. Borxhi publik i Italisë është 1.76 trilionë euro, ose 115.8% e prodhimit kombëtar bruto, duke e bërë kështu vendin si të parin në rrethana të tilla të vështira në të gjithë Europën. Sa për krahasim, borxhi publik mesatar i vendeve të Eurozonës është 78.7% i prodhimit kombëtar bruto. Së bashku me Portugalinë, Irlandën, Greqinë dhe Spanjën, Italia bën pjesë në vendet e quajtura “vendet e PIIGS” ose vendet e aksit të menaxhimit të keq. është një performancë jashtëzakonisht e keqe për një shtet që bën pjesë në klubin ekskluziv të GH8, klubin e vendeve më të industrializuara të botës plus Rusinë. Agjencitë e renditjeve e vendosin Italinë në një nivel me vende të tilla problematike si Irlanda, Malta dhe Portugalia. Po a paraqet Italia një rrezik për të gjithë Europën?
Cannata është mësuar tashmë me thashetheme dhe fjalë nga më të ndryshmet në lidhje me Italinë. Por më të rëndësishme janë shifrat dhe jo fjalët kur bëhet fjala për ekonominë dhe se sa interes ka Italia së fundi për të paguar borxhet e saj. çdo përqindje reflekton një shkallë besimi. Kur Cannata duhet të ristrukturonte miliardat e borxheve prillin e kaluar, për të qenë të saktë 9.5 miliardë euro, për një kohë të gjatë ishte krijuar përshtypja se kishte ende shumë blerës potencialë të bonove shtetërore. Disa ekspertë e këshilluan që të çonte më pak bono në treg për të shmangur rënien e çmimeve, por Cannata vazhdoi me linjën e saj dhe në fund e arriti atë që dëshironte. Ajo shpesh negocion për kushte më të mira se Spanja që në fakt ka një borxh më të vogël shtetëror. A është vallë kjo një aftësi e jashtëzakonshme? Të luash bixhoz kundër tendencave të tregut? Apo mos vallë ka të bëjë me lojëra të thjeshta dhe jo shumë të pastra? Përse, në mesin e krizës financiare duhet të vazhdojnë të ekzistojnë ata që besojnë tek Italia, borxhi i së cilës është shkaktuar shumë edhe nga nepotizmi dhe korrupsioni i qeverisë?
Kryeministri Berluskoni, 73 vjeç, është politikisht më i dobët se herë të tjera kur e ka pasur në dorë pushtetin. Prej shumë javësh qeveria e tij dhe koalicioni duket si i paralizuar nga konfliktet e brendshme dhe kryesisht nga konflikti i madh mes liderit të Partisë, Berluskonit dhe numrit dy Fini, bashkëthemelues i “Populli i Lirisë”. Një nga shkaqet e kontradiktave është ligji mbi përgjimet që Berluskoni kërkon që ta miratojë në Parlament para pushimeve të verës. Një tjetër shkak janë edhe skandalet e vazhdueshme që e shoqërojnë këtë personazh, skandale jokorruptive dhe seksuale. Dy ministra janë tërhequr që nga muaji maj dhe tani edhe ministri i Ekonomisë akuzohet për lidhje me mafien dhe financime nga një shoqëri sekrete. Kur Berluskoni mori çmimin “Milanoja e Madhe” një javë më parë për punën e jetës së tij në këtë metropol të madh, ai u lëvdua si një “shtetar me aftësi të rralla publike që drejton vendin me një ndërgjegje të pastër drejt së ardhmes”. Në të vërtetë, ditët në pushtet të Berluskonit janë të numëruara. Beteja për pasuesin e tij është ende në vazhdim. Sa për Cannatën ajo nuk flet për politikë, sepse në radhë të parë nuk ia lejon pozicioni. Ajo thotë se Italia është pllakosur nga kriza për gjatë 20 viteve të fundit dhe kjo periudhë ka qenë ajo gjatë së cilës vendi disa herë rresht mund të kishte falimentuar. Në vitin 1994 borxhi kapi 121.8% të prodhimit kombëtar bruto. Megjithatë, edhe pas kësaj situate shumë të vështirë, Italia vazhdoi në të njëjtën rrugë.
Si për ironi situata e përhershme e krizës në të cilën ndodhet vendi ka pasur ndikim në ruajtjen e tij gjatë krizës së madhe ekonomike dhe recesionit të viteve të fundit në shkallë botërore. Kjo sepse Italia nuk arriti dot që të krijonte një periudhë bumi dhe si pasojë flluska të tipave të ndryshëm, që ndodhën me vende të tjera që fillimisht krijuan një bum ekonomik dhe më pas pësuan rënie. Italia nuk pati nevojë që të shpëtojë asnjë bankë me paratë e taksapaguesve, ndryshe nga sa ndodhi me vendet e tjera, sepse qeveria ndërkohë i kishte të zëna që të dyja duart me borxhe.
Ndërsa Spanja dhe Irlanda patën një bum ndërtimesh dhe marrëveshjeje dhe transaksione të dyshimta nga bankierët investues që gjeneruan sasi shumë të mëdha parash. Në të njëjtën kohë, Italia ishte e zënë me përçapjet për të përballuar borxhin e qeverisë. Një sistem më i rregulluar bankar do të kishte bërë që edhe Italia të pësonte të njëjtin fat me atë të vendeve të tjera të Europës”, thotë një analist amerikan. Italia, gjatë viteve të fundit nuk kaloi në eksese për shkak të situatës së dobët ekonomike. Ndërkaq, Italia ka marrë befas masa shumë të rrepta shtrënguese për sa i përket tkurrjes së shpenzimeve. Asnjë vend tjetër në Europë nuk ka marrë masa të tilla dhe në një mënyrë kaq brutale sa çka ndodhur me Italinë. Shefi i Cannatas, ministri i Financave, Xhulio Tremonti, ka filluar që të zbatojë menjëherë masat e rrepta shtrënguese për vendin e tij. Ai madje e bëri një gjë të tillë edhe kundër vullnetit të Berluskonit që po përballet me këtë rast me kritika të mëdha dhe pakënaqësi nga ana e votuesve. Bersluskoni erdhi në pushtet duke premtuar reduktime të taksave, madje duke premtuar se do ta bënte Italinë vendin më të pasur në Europë. Masat shtrënguese kanë për qëllim që të kursejnë 25 miliardë euro deri në vitin 2012 me reduktimet më të mëdha të fondeve që kanë të bëjnë me bashkitë dhe qytezat. Deficiti buxhetor kap shifrën 5.3% të prodhimit kombëtar bruto thuajse dyfish nga e shkuara. Italia, sigurisht që nuk është vendi i vetëm që ka u ka vënë kufizime të mëdha financiare qytetarëve të saj, por është i vetmi vend që nuk po i ndihmon ata. Vendi nuk ka as para mjaftueshëm për paketën e stimulit ekonomik që duhet të aplikohet në raste të tilla. Dhe ajo çka është më e rëndë është fakti që nuk ka shpresa se situata do të përmirësohet në të ardhmen e afërt. Sipas një studimi të fundit italian 56% e italianëve nuk besojnë më tek optimizmi i Berluskonit, thuajse gjysma e tyre kanë frikën e një tragjedie dhe e vlerësojnë situatën e tyre ekonomike shumë të keqe. “Nevoja është nëna e shpikjeve”, thotë Cannata menaxherja e borxheve. Ajo aktualisht është në një periudhë kur i duhet që të udhëtojë shumë dhe në vende të ndryshme të botës në përfaqësim të Italisë dhe mbi të gjitha në misionin e rindërtimit të besimit në këtë vend. Ajo e ka bërë të qartë se borxhi i qeverisë nuk mund të thotë gjithçka për një vend dhe se në fakt ai përfaqëson një mundësi dhe jo një kërcënim. Sipas Cannata-s janë pikërisht vitet e përvojës me malin e borxheve mbi kurriz që e kanë bërë të fortë dhe bindëse ndaj investitorëve. Cannata beson se nuk është një rastësi që Italia ishte vendi i parë që krijoi një sistem të sofistikuar elektronik për të tregtuar bonot qeveritare. Italia ka siguruar financime afatgjata. Periudha e maturimit të bonove qeveritare është 7 vjet. Për më tepër, pjesa më e madhe kanë përqindje interesi të fiksuara jo të ndryshueshme. Sot bilanci i bankave italiane kryesisht bazohet në kredi biznesi për kompanitë e mëdha dhe të mesme të vendit, të cilat janë edhe shtylla kurrizore e ekonomisë vendase. Në këto banka nuk ka shumë kredi “të këqija” që shpjegon edhe faktin se përse ligji italian e bën të vështirë për bankat që të shtien në dorë pronat kur kredimarrësi nuk ka mundësi që të paguajë kredinë për disa kohë. Pyetja që duhet bërë është: duhet ta përqeshim, apo ta admirojmë Italinë? Një gjë është e qartë se ky vend ka një eksperiencë të jashtëzakonshme të trajtimit me borxhe të mëdha dhe me ritme të ulëta të rritjes ekonomike. Këto janë të gjitha mësime nga të cilat duhet të mësojnë vendet e Europës nëse do të duan që të shmangin përsëritjen e situatës katastrofale në të cilën ende ndodhen një pjesë e vendeve të BE-së. Në Itali nuk ka një sistem të mirë të përkrahjes sociale dhe nuk ka as financime ekstra gjatë krizave.
Nëse shteti falimenton, atëherë njerëzit duhet që t’i dalin vetë zot vetes dhe të kursejnë për të mbijetuar. Borxhi kombëtar në Itali është vetëm 56.6% i të ardhurave vjetore, ndërsa në Gjermani është 89.4%. Ndoshta mësimi që duhet nxjerrë nga Italia është se njerëzit duhet që të shohin punën e tyre. Italianët nuk kanë pritur kurrë gjëra të mëdha nga qeveria e tyre, sepse ata thjesht nuk kanë besim tek ajo. Ata kanë besim te vetja e tyre. Kjo ka bërë që të gëzojnë jetën dhe nga ana tjetër të punojnë shumë, të kursejnë, t’u shmangen taksave dhe të mos kenë frikë kur vjen stuhia e krizave, sepse tashmë ata janë mësuar me to.
#