Fëmijët e gjetur
çdo vit, lindja e miliona foshnjave në botë nuk regjistrohet. Për këtë arsye fëmijët janë të dënuar të bëjnë një jetë pa të drejta, me frikën se mos rekrutohen nga zotët e luftës, shfrytëzohen për prostitucion ose detyrohen të bëjnë punë të rrezikshme. Për fat të mirë një organizatë ka arritur t’u dhurojë një identitet të ligjshëm 40 milionëve prej tyre
Kjo është historia e një projekti që gjeti 40 milionë fëmijë të cilët zyrtarisht nuk ekzistonin. Një mobilizim që në harkun kohor të katër viteve, përmes tri kontinenteve dhe 32 shteteve, ka ndihmuar në mbrojtjen e mijëra fëmijëve, të cilët rrezikonin të binin viktima të trafikut të të miturve. Por jo vetëm kaq: kjo iniciativë ka shpëtuar nga martesat e paligjshme vajzat e vogla 12-vjeçare, ka kundërshtuar abortin e një numri të pallogaritshëm vajzash, të cilat janë shpallur fajtore vetëm sepse pranonin të kryenin marrëdhënie seksuale para kohe. Duket një fakt i çuditshëm, por është i vërtetë: më në fund një lajm i mirë.
Qëllimi i projektit është t’u japë miliona fëmijëve të vendeve në zhvillim diçka që në pjesën tjetër të botës është krejt e natyrshme: regjistrimin e lindjeve dhe përmes këtij akti formal t’u garantojë të gjithëve një jetesë normale. Para fushatës së promovuar nga “Plan”, organizata ndërkombëtare që ndihmon të miturit në vende të ndryshme të botës, regjistrimi i lindjeve ishte një ngjarje sporadike. Në Kamboxhia, për shembull, deri në 2005-n, 96 për qind e popullsisë nuk ishte e regjistruar. Pa këtë akt formal është e pamundur të kesh një certifikatë lindjeje, kartë identiteti, pasaportë, dokument që të tregojë moshën ose cilët janë prindërit. Si pasojë, mijëra fëmijë rrezikojnë të shfrytëzohen ose të nxirren të rrugë që të prostituojnë, të mos marrin ndihmë mjekësore, të mos shkollohen dhe të privohen nga çdo e drejtë.
Para disa vitesh organizata “Plan” u shpreh se ky problem ishte bërë shkaku i vuajtjeve të mëdha për këta fëmijë dhe kështu vendosi të prezantonte projektin: “Numëro çdo fëmijë”. Raporti i publikuar para disa muajsh është një kronikë e shkëlqyer se si u bë i mundur regjistrimi i dyzet milionë personave në të gjithë botën. Në disa shtete drejtuesit e organizatës janë përballur me numrin e lindjeve të regjistruara. Të çuditur pak nga ky fakt ata u kanë bërë presion qeverive vendase të pasqyrojnë kostot e procedurave të regjistrimit. Përfundimi i kësaj iniciative është që 153 milionë persona të tjerë mund të regjistrohen falas. Sipas UNICEF-it, në botë çdo vit lindin 51 milionë fëmijë, të cilët nuk regjistrohen. Në disa komunitete të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, mbi 90 për qind e foshnjave nuk regjistrohen. Përse? Për arsye nga më të ndryshmet: mungesa e përgjegjshmërisë nga ana e prindërve, frika se mos identifikohen dhe më pas gjurmohen, varfëria, vështirësitë e shumta dhe analfabetizmi. Pa llogaritur pastaj problemet që burojnë nga sistemet e papërshtatshme të regjistrimit dhe paaftësia e personelit.
Efektet e kësaj vrime të madhe të zezë janë shkatërruese. Sipas llogaritjeve janë të paktën 300 mijë fëmijë të paregjistruar që marrin pjesë nëpër luftërat e ndryshme të botës. Nëse nga njëra anë një certifikatë e lindjeve nuk mund të ndalojë që një fëmijë të rrëmbehet dhe më pas të detyrohet të luftojë, nga ana tjetër është një mjet shumë i domosdoshëm për të garantuar ribashkimin e të vegjëlve me familjet e tyre. Në Ugandë, fëmijët e shpëtuar nga batalionet e “Lord’s Resistance Army”, duhet të prisnin muaj që funksionarët e lartë të binin në gjurmët e prindërve të tyre.
Zakonisht rrëmbyesit mund të dënohen vetëm nëse u gjenden prova që fëmija është minoren në momentin “e marrjes në punë”. Në Filipine, një avokat është shprehur se pothuajse gjysma e çështjeve për prostitucion dhe shfrytëzim ndaj të miturve mbyllen, sepse mungon pjesa kryesore e dokumenteve që tregojnë moshën dhe identitetin.
Në vitin 2002, Suborna, një vajzë 7 vjeçe nga Bangladeshi, u rrëmbye dhe u dërgua në Indi. Papritur, gjatë rrugës u braktis pranë një postblloku policie, ndërkohë që rrëmbyesit e saj u zhdukën në erë. Vajza u gjet nga një kryeplak i cili nuk kishte asnjë dokument mbi prejardhjen e saj.
Gjykatësi lokal bëri një njoftim përmes radios, i cili u dëgjua edhe nga familja e Suborna-s. Kështu, i ati fluturoi për në Indi për të marrë të bijën. Gjykatësi refuzoi rikthimin e saj në Bangladesh pa një certifikatë lindjeje, dokument që babai i vajzës e kishte marrë me vete. Pa certifikatën, Suborna nuk do të ishte kthyer kurrë më te prindërit. Në mungesë të një dokumenti që tregon moshën, çdo fëmijë, në rast arrestimi, rrezikon të ndiqet penalisht si një i rritur. E njëjta gjë ndodhi edhe me një “grua” e cila u zbulua se punonte si prostitutë në një bordello në Europë. Ajo u gjykua si kriminele, ndërkohë që ishte vetëm 16 vjeçe dhe mund të trajtohej si viktimë, të ndihmohej të gjente të afërmit e saj, ose të kërkonte azil politik.
Organizata “Plan” raporton për disa raste në Bangladesh, ku fëmijët 7-vjeçarë u janë nënshtruar proceseve për vrasje ose dhunë seksuale. Falë “Birth Registration Act”, që hyri në fuqi në vitin 2006, 40 për qind e popullsisë u pajis me certifikatë lindjeje, ndërsa 30 për qind janë në fazë regjistrimi.
Për një të rritur të paregjistruar është e pamundur të punojë në mënyrë të ligjshme. Ai është i detyruar të pranojë punë me pagë të ulët dhe të rrezikshme. Nuk mund të votojë dhe të paguajë taksa. Një fëmijë i paregjistruar bëhet një i rritur pa të drejta. Awawou, 18 vjeç, jeton në një fshat të vogël në lindje të Mono-s, në Togo. I ati vdiq pak kohë para lindjes së tij, ndërsa e ëma, analfabete, nuk dinte asgjë rreth procedurave të regjistrimit. Në mungesë të një certifikate, Awawou nuk u pranua as në shkollë. Vetëm kur gjyshja arriti të bindte drejtorin, atij iu lejua të ndiqte mësimet, por nuk mund të merrte pjesë në provimet e fundvitit. Në këtë vend të Afrikës Perëndimore taksa për regjistrimin e vonë të lindjes kushton dhjetë euro, para që familja nuk mund t’i paguante. Awawou punoi shumë për të hequr mënjanë të hollat dhe në më fund arriti t’i jepte provimet. Tani shpreson që të bëhet rrobaqepës.
Kur organizata “Plan” filloi të punonte në Kamboxhia, më pak se pesë për qind e popullsisë ishte e regjistruar, sepse nën regjimin e Pol Pot-it, shumë kamboxhianë kishin grisur kartat e identitetit për t’i shpëtuar përndjekjes. Pasi punoi nëpër këto fshatra për të mposhtur frikën e njerëzve dhe për të drejtuar një program regjistrimi, organizata “Plan” arriti t’u garantojë një certifikatë lindjeje 56 për qind të kamboxhianëve, ndërkohë që 40 për qind pret të pajiset me këtë dokument.
Aborti i fetuseve femra praktikohet ende në shtete si India dhe Kina. Arsyeja? Sepse familjarët preferojnë më shumë të kenë një djalë për arsye kulturore dhe ekonomike. Në disa zona kjo preferencë i ka ndryshuar ekuilibrat e zakonshëm: për shembull në shtetin indian të Bihar-it, numërohen gjashtë femra në çdo dhjetë meshkuj. Tashmë një projekt pilot ka filluar në katër shtete indiane për të monitoruar çdo grua shtatzënë, derisa të lindë dhe të regjistrojë foshnjën e saj.
#