Cameron kërkon hetime për skandalin e përgjimeve
Kryeministri britanik, David Cameron, bëri thirrje për një hetim gjyqësor të hapur për publikun lidhur me skandalin e përgjimit të telefonave nnga ana e tabloidit britanik, News of the World.
Kryeministri premtoi rregulla të reja për shtypin britanik dhe një hetim të plotë lidhur me dështimet në punën e policisë dhe të politikanëve rreth skandalit.
Ish-zëdhënësi i tij, i cili kishte qenë kryeredaktor i tabloidit është arrestuar lidhur me ngjarjen e përgjimit të telefonave.
Cameron i bëri komentet gjatë një konference shtypi urgjente në zyrën e tij në Downing Street, pas mbylljes së tabloidit News of the World.
Cameron tha se skandali i telefonave është "i neveritshëm", "pandershëm” dhe “i ulët”.
"Viktimat e vrasjeve, viktimat e terrorit, familjet që kanë humbur të afërmit e tyre të cilët ndonjëherë kanë qenë duke mbrojtur vendin, që këtyre njerëzve t’u jenë përgjuar telefonat – për të sajuar shkrime gazetash, kjo është e neveritshme," tha Cameron.
Kryeministri tha se do të hapet një hetim i dytë për të parë praktikat që ndiqen në mediat britanike.
Ai tha se është e rëndësishme që shtypi britanik të jetë i lirë, por jo mbi ligjin.