E Diel, 1 Nëntor 2026

Cameron:Britania vazhdon të jetë në BE, vetoja në të mirë të kombit

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, deklaroi se u përpoq “deri në fund” për arritjen e një marrëveshje për zgjidhjen e krizës së borxheve në Europë, por u detyrua të vendoste veton për të mirën e interesave kombëtare.

Gjatë një fjalimi në parlament kryeministri argumentoi se kërkesat e tij për disa modifikime të planin franko-gjerman u bënë në “mirëbesim”, ndërsa i cilësoi pretendimet e tij si “modeste, të arsyeshme dhe të rëndësishme”.

Më tej Cameron shpjegoi përpara antarëve të tjerë të kabinetit dhe deputetëve se vendosi veton kundër pasi sipas tij, plani i ri për shpëtimin e euros nuk parashikon masa “të mjaftueshme” për të rregulluar çështjet financiare.
Cameron u tregua i kujdesshëm që t`i kërkonte përfaqësuesve të qeverisë që të interpretojnë veton e tij ashtu siç është. “Ne nuk kemi nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Europian. Përkundrazi. Londra do të vazhdojë të punojë për të forcuar shëndetin e përbashkët të Europës dhe euros, pasi në këtë luftë kundër borxheve, jemi të gjithë në të njëjtën barkë”, theksoi Cameron.

Pas nxjerrjes së Britanisë nga marrëveshja për ndryshime në traktatin themelues të BE-së, Cameron është vendosur nën kritika të ashpra nga lideri i liberalëve në opozitë, Nick Clegg, si dhe nga liderë të tjerë europianë, me Presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy, që ka përdorur tonet më të ashpra.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›