Miliarderi rus sfidon Putin për President

Një nga njerëzit më të pasur në Rusi ka deklaruar sot se do ta sfidojë kryeministrin Vlladimir Putin në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Mihail Prokhorov e cilësoi vendimin si më të rëndësishmin dhe më të vështirin në jetën e tij. Deklarata vjen ndërsa Rusia është përfshirë nga protestat më të mëdha që prej shembjes së Bashkimit Sovjetik, pas parregullsive që shoqëruan zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në fundjavë.
”Kam marrë vendimin më të vështirë të jetës sime. Do të konkurroj për president”, deklaroi Prokhorov gjatë një konference për shtyp. Ai shtoi se nuk ka ndërmend ta ndërtojë fushatën e tij në shkëmbim kritikash me Putinin. “Kritikat nuk do të zënë më shumë se 10% të fushatës sime, pasi pjesa tjetër do t`i përkasë gjërave që unë dua të realizoj”, tha miliarderi.
Sipas Prokhorovit, ishte analisti dhe strategu i shquar i Kremlinit, Vladislav Surkov, ai që shkaktoi përçarjen e partisë. “Kam gjetur një mënyrë më efikase për t`u shmangur nga politikat e pista të Surkovit. Do të bëhem shefi i tij”, theksoi miliarderi.
Revista e specializuar “Forbes” ka renditur Prokhorovin si njeriun e tretë më të pasur në Rusi dhe një prej 20 njerëzve më të pasur në botë, me një pasuri totale që shkon në 18 miliardë dollarë.