Drews: Zvonko Veselinoviç dhe i vëllai mbajnë firmën e dhunës në veri

Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews ka akuzuar dy serbë, Zvonko Veselinoviç dhe vëllain e tij si organizatorë dhe lider të akteve të fundit të dhunës, që janë kryer kundër ushtarëve ndërkombëtarë të KFOR-it, te barrikadat në Jarinë dhe Jagnenicë.
Sulmet e dhunshme në Jarinë janë organizuar dhe udhëhequr nga Zvonko Veselinoviçi ndërsa konflikti në Jagnenicë është udhëhequr nga vëllai i tij, tha komandanti i KFOR-it, duke shtuar se disponojnë video incizime që mbështesin këto pohime, të cilat i janë dërguar edhe EULEX-it.
Në një konferencë për shtyp me gazetarët serbë në Kosovë, në zyrën civile ndërkombëtare, Drews tha se ushtarët e KFOR-it kanë qenë të autorizuar për të qëlluar me armë në të dyja rastet. Ai shtoi se municioni është përdorur ekskluzivisht për ata që janë ballafaquar me KFOR-in dhe se plagët e ushtarëve të forcave paqeruajtëse, nuk janë shkaktuar vetëm nga municioni, por edhe nga granata dhe koktej molotovi.
Më tej komandanti tha se dy granata ishin hedhur në drejtim të ushtarëve të KFOR-it dhe disa prej tyre kishin pësuar djegie ndërsa dy ushtarë të lënduar ndodhen në spital.
Drews deklaroi se të gjitha operacionet e KFOR-it, përfshirë ato në Jarinë dhe Jagnenicë, kanë kaluar pa viktima dhe popullsia është lënduar vetëm pas fillimit të sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it.