E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albright mbetet mike e Kosovës

Nga Express më 22 shtator 2011 në ora 20:08

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u takua të enjten në New York me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, me të cilën diskutoi për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe përpjekjet për shtimin e njohjeve të reja për vendin.

Me këtë rast, presidentja Jahjaga e njoftoi ish-sekretaren Albright me qëllimet strategjike të Kosovës për integrim në BE dhe NATO, duke thënë se ato janë mënyra më e mirë për të ofruar kornizën brenda të cilës do të ndërmerreshin reformat dhe konsolidimi i vazhdueshëm demokratik i Kosovës dhe rajonit.

Presidentja Jahjaga përmendi në veçanti nevojën që Kosova ka për të vendosur marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe me Aleancën Veri-atlantike përmes programit të saj për Partneritet për Paqe.

Ajo i paraqiti zonjës Albright idenë për krijimin e grupit "Miqtë e Kosovës", që ka për synim ngritjen e imazhit të Kosovës dhe promovimin e saj nëpër vendet me të cilat Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike.

Nga ana e saj, ish-sekretarja amerikane e Shtetit ka thënë se mbetet mike e madhe dhe e përkushtuar e Kosovës. Ajo shprehu përkrahjen për Kosovën dhe rrugën e saj të qartë në
procesin e integrimeve evropiane.

Ish-sekretarja amerikane e shtetit ka thënë se Kosova dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor janë të vetmet pjesë që mungojnë për ta përmbushur vizionin për një Evropë të bashkuar dhe të lirë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›