Cana, Bogdani dhe Kapllani vështirësi me trajnerët
Duket se legjionarët shqiptarë e kanë pak të vështirë për të gjetur gjuhën e komunikimit me trajnerët e ekipeve ku luajnë. I pari është Lorik Cana, që me sa duket nuk është aspak I kënaqur me mosaktivizimin e tij tek Lazio. Trajneri Edi Reja e sheh pak me dyshim futbollistin shqiptar për ekipin e tij. Akoma me keq për Bogdanin që me sa duken bathët nuk ka më vend tek Cezena por që sipas tij ofertat nga ekipe të tjera nuk mungojnë, ndërsa Kapllanit i duhet të punojë fort që të sigurojë një vend në Bundesligë.
Cana shmang polemikat me Edi Rejan
Futbollisti shqiptar që militon në radhët e klubit italian Lazio, Lorik Cana, ka shmangur polemikat duke pranuar zgjedhjet e trajnerit Edi Reja. “Jam i lumtur tek Lazio. Është një eksperiencë e re, por ndodhem në një skuadër fantastike dhe ambicioze. Prandaj, është e natyrshme që të ketë shumë lojtarë të mirë”, ka deklaruar Cana. Ai shprehet i bindur se në 50 ndeshjet zyrtare të ekipit do të gjejë hapësirën që kërkon. “Kam folur me trajnerin para se të firmosja kontratën, ai i njeh aftësitë e mia dhe kur do të ketë nevojë për mua, unë do të jem gati. Janë mbi 50 ndeshje zyrtare, kështu që do të ketë hapësirë për të gjithë”, ka shtuar Cana. Por duket se është bindur më në fund trajneri i Lacios, Edi Reja. Më në fund ai ka vendosur të aplikojë modulin 4-2-3-1, i cili integron në qendër të mesfushës edhe Lorik Canën. Më parë kishte provuar modulin 4-4-2, i cili kishte prodhuar rezultate të dobëta. Ndërkohë që më parë kishte vendosur të mos mbështetej më te moduli tjetër 4-3-1-2. Mbi të gjitha ky modul ndryshon edhe pozicionin e Lorik Canës, sepse trajneri Reja e konsideronte si regjist në modulin romb, ndërsa në 4-2-3-1 mendon se do të mund ta përshtasë të luajë përkrah Ledesmës ose Matuzalemit në qendër të mesfushës. Ndërkohë dje Lacio ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje për një ndeshje miqësore me Arisin e Selanikut. Kështu që më 7-gusht mund të shikojmë Canën në fushë.
Erjon Bogdani nuk ka më vend te Cesena
Klubi italian kërkon të rekrutojë Kozak dhe Rodriguez.Erjon Bogdani duhet të gjejë në sistemim të ri për sezonin e ardshëm. Janë mediat italiane ato që shkruajnë se sulmuesi shqiptar është në prag të largimit nga Çezena, pas vetëm një sezoni me ekipin nga Romanja.
Kozak dhe Rodriguez janë në planet e Çezenës. Sulmuesi i ri Kozak nuk është më në planet e Lacio, dhe Çezena është gati të teserojë lojtarin, të cilin kishte kohë që e ndiqte.
Sipas Telesanterno.com, Bogdanit nuk i mungojnë ofertat, nderkohë që Çezena synon të fitojë një vend ekstrakomunitari. Pak ditë më parë, Erioni shënoi një gol të mrekullueshëm në miqësoren e fituar 1-0 kundër anglezëve të Kuins Park Rejnxhërs, dhe u duk se ai e rifitoi besimin e trajnerit edhe për një sezon tjetër. Bogdani shënoi 8 gola sezonin e kaluar, dy prej tyre kundër Milanit dhe Interit, duke ndihmuar skuadrën e Çezenës të mbijetojë në Serinë A.
Edmond Kapllani, gati për Augsburgun
Edmond Kapllani punon fort për Augsburgun
Edmond Kapllani i ka të gjitha shanset për t’u aktivizuar për herë të katërt në një sezon të Bundesligës, me Karlruhen në sezonin 2007-2008 dhe 2008-2009 dhe me Augsburgun 2009-2010. Pas dy huazimeve te Tus Koblenz dhe Padeborn, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka puanur fort gjatë fazës përgatitore për të qenë i dobishëm në skemat e trajnerit të rreptë të Augsburgut, Jos Luhukaj. Në fakt, në të mirë të durrsakut 29-vjeçar është dhe situata që ka i porsangjitur në Bundesligë, Augsburgu, në prag të ndeshjes së parë të Bundesligës, kundër Freiburgut (të shtunën, 15:30). Sulmuesi kryesor Mikael Turk është i pezulluar, ndërkohë që Nando Rafael dhe Torsten Oehrl janë të dëmtuar. Trajneri Luhukaj ka në dispozicion katër lojtarë të avancuar në dispozicion, Patrik Majer, të riun Stefan Hain, blerjen e re nga Frankfurti, Sasha Mëlders dhe të Kapllanin e ritkhyer nga huazimit te Padeborn. Kapllani ka realizuar 39 gola në shtatë sezonet e tij në Gjermani, por vetëm dy në Bundesligën 1, pikërisht në sezonin 2008-2009 me Karlsruhen.