E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana: E parandjeva golin, ja thashë edhe babait!

Kapiteni shqiptar i Marsejës, Lorik Cana, tregon për ndeshjen ndaj Liverpulin, duke vlerësuar Xherrardin Kur parashikoi se ndeshja e kombëtares me Suedinë do të përfundonte në barazim, të gjithë dyshuan te parandjenja e Lorik Canës, por tashmë kapiteni shqiptar i Marsejës është kthyer në një parashikues të madh. Pas golit të shënuar në Ligën e Kampioneve ndaj Liverpulit, mesfushori rrëfen për mediet franceze atë që kishte menduar para ndeshjes. "Mund të duket e pabesueshme, por para ndeshjes e kisha paralajmëruar babanë tim, Agimin, se do të shënoja. Eshtë një gol i rrallë për mua, pasi rrallë shënoj,"deklaroi 25 vjeçari për gazetën lokale të Marsejës, "La Provence". Për këtë arritje personale, Cana shton se trajneri Erik Gerets e kishte porositur para ndeshjes të ndiqte aksionet. Megjithatë, futbollisti i kombëtares, duke e lënë pas golin, është hidhëruar me faktin që kjo nuk u shoqërua me një fitore. "Faktikisht, trajneri na e kishte kërkuar, mua dhe Benua Sherjusë, që t'i ndiqnim vazhdimisht aksionet, si dhe të provonim për të qenë më shumë të prirur drejt sulmit. Kur unë ndodhem në zonën e kundërshtarit, e gjej jo të keq rastin për të goditur; me Liverpulin e kisha këtë ndjenjë. Por, në fund ishte shumë zhgënjyese, sepse e gjithë puna e bërë u zhvlerësua për shkak të humbjes që pësuam. Me një barazim apo, aq më mirë me një fitore, çdo gjë do të shkonte "vaj" për ne, por, fatkeqësisht, në futboll rëndësi ka vetëm rezultati. Këtë mëngjes (dje) nuk mund të jem veçse i zhgënjyer,"thotë kapiteni i Marsejës, një nga më të mirët në përballjen me Liverpulin. Lorik Cana është i dyti lojtar i kombëtares shqiptare që shënon në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, pas golit të Besart Berishës në portën e CSKA së së Moskës, kur luante për Hamburgun. Duke e vazhduar deklarimin e tij, Cana, i pyetur si kapiten, në lidhje me gabimet e shokëve gjatë lojës, tha: "Në këtë nivel, kur dikush bën ndonjë gabim nuk ka nevojë të shkosh e t'i flasësh. Një profesionist e di se kur ai e ka bërë gabimin dhe e përjeton atë shumë keq. Edhe unë kam bërë gjithashtu gabime, pra të gjithë gabojmë".

Cana për Xherrardin: Eshtë supertalent!

Lorik Cana e vlerësoi shumë lojën e mesfushorit të Liverpulit, Stiven Xherrard. "Ai është supertalent,"tha Loriku gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes. Shqiptari ia njeh supermacinë kapitenit të të kuqve. "U shtangëm kur e pamë topin në rrjetë, në rastin e golit të parë të Liverpulit. Ishte një goditje prej 25 metrash, që mori një trajektore të çuditshme, që vetëm një supertalent, si Stiven Xherrard, mund ta bëjë." Mesfushorit të ekipit tonë kombëtar i ka bërë shumë përshtypje edhe holandezi i Liverpulit, Dirt Kait, me të cilin ka pasur rastin të përballet edhe në ndeshjen Shqipëri Holandë 0 1. "Jam duke e menduar ende galopimin e Kajtit, i cili i bëri përpunimin e fundit golit, e që vrapoi 40 metra për të kapur anësoren. Këta lojtarë janë të admirueshëm dhe shembuj për këdo." Në fund, por jo për nga rëndësia, 25 vjeçari flet edhe për tifozët e Marsejës. "Ata janë të mrekullueshëm, prandaj pas golit shkova direkt për t'i përshëndetur. Marseja është klub i madh, sepse të tillë i ka edhe tifozët!" Cana ua tregoi tifozëve krahun e djathtë, ku ka si tatuazh një përkrenare ilire, e ku shkruhet "Iliria".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›