Galeria duhet pastruar
Gëzim Qendro flet mbi ndryshimet që po ndodhin në Galerinë Kombëtare të Arteve. Për muzeun duhet të punojë një grup kuratorësh. Sa për drejtorin, nëse është zgjedhur me konkurim, të lihet i patrazuar për të drejtuar institucionin
Ndryshimi i GKA nuk qëndron tek emri
Gjithnjë gjendesh brenda një qerthulli. Sa herë hapen sezonet nuk mund të flitet për ngjarjet në kulturë të institucioneve, por për çështje të zanafillës. Vazhdojmë të flasim për rikonstruksione godinash, për infrastrukturë dhe në fund të fundit për reforma që nuk gjejnë zbatim. Por, ç’janë këto reforma që tregohen si gogol për të “trembur” drejtuesit? Asnjëherë, politikëbërësit e reformuesit, në rastin e institucioneve kulturore, MTKRS, nuk ka bërë publik një debat të gjerë mbi nevojat urgjente që kanë këto struktura. Ndërsa në Galerinë Kombëtare të Arteve ka nisur puna për ngritjen e muzeut, “të paftuar” nga drejtuesit aktualë, ish-drejtues e artistë japin mendimin se cilat janë ndërhyrjet që duhen bërë në GKA, duke nisur që nga vendosja e drejtorit, përcaktimi i politikave, ngritja e linjave, deri tek “qëndrimi” ndaj repertorit të realizmit socialist që ka tejngopur fondet. Një ndër ta është edhe Gëzim Qendro, të cilit në kohën si ish-drejtor i është numëruar si mëkat ngritja e dy pavijoneve të socrealizmit.
Z.Qendro, drejtoria aktuale e GKA po punon për muzeun e artit. A keni ide mbi një ndryshim të tillë statusi?
Jam i mendimit që ndërrimit të emrit të institucionit kryesor të arteve pamore nga Galeri në Muze Kombëtar, i jepet një rëndësi që nuk më duket se ka ndonjë ndikim thelbësor në rolin dhe funksionin e tij. Filimisht dua të përmend faktin që mbijetesa e emrit Galeri Kombëtare për mbi gjysmë shekulli duhet të lidhet edhe me faktin që përveç saj, prej kohës kur u ndërtua e deri në vitin ’91 nuk ekzistonte asnjë galeri tjetër arti, ndërsa sot po evidentohet roli i galerive private të artit. Në këtë këndvështrim mendoj se ndërrimi i emrit duhet bërë pasi do të shmangte çdo keqkuptim apo sqarim të panevojshëm. Po ç’ndryshim ka midis këtyre dy emërtimeve dhe a përfaqësojnë ato dy gjëra të ndryshme?
Le të shohim fillimisht rrënjën etimologjike të këtyre dy fjalëve. Fjala latine museum e ka rrënjën në greqishten e lashtë mouseion: tempulli i Muzave, figurave të njohura alegorike të frymëzimit dhe fantazisë. Pra, hapësirë ku ekspozohen vepra të frymëzuara nga Muzat.
Ndërsa fjala Galeri lidhet pa dyshim me galeritë e pallateve mbretërore, të cilat siç dihet ishin kthyer në hapësira të mirëfillta ekspozimi, por që tablotë dhe veprat e artit të ekspozuara në to kishin kryesisht për qëllim të tregonin fuqinë dhe pasurinë e monarkut, vargun e mbretërve dhe mbretëreshave, paraardhës të dinastisë së tij. E ku mund të gjendej në pallat një vend më i mirë ekspozimi se galeritë e gjata të ndriçuara me dritare të mëdha nga njëri krah për të përcjellë kumte të tilla të lidhura me legjitimitetin e pushtetit mbretëror. Një rol në pasurimin e hapësirës së galerive luante edhe zakoni i mbretërve për të shkëmbyer vepra arti apo për t’i dhuruar njëri-tjetrit portetet e tyre. Po ashtu, një faktor i rëndësishëm ishte përfshirja e piktorit të oborrit në numrin e punonjësve që shërbenin në një pallat mbretëror. Por sigurisht që jemi ende larg emërtimit galeri arti në kuptimin që iu dha më vonë. Mos vallë muzat nuk kishin vizituarmjeshtrat e mëdhenj për t’u frymëzuar veprat e ekspozuara në galeritë e pallateve mbretërore e që më pas, në mes të shekullit XIX u bënë pjesë e koleksioneve të muzeve?Pra, bëhet fjalë për të njëjtën gjë, për një hapësirë ku ekspozohet art, por të emërtuar ndryshe. Ndonëse për një pjesë të madhe të veprave të fondit të Galerisë tonë Kombëtare kam rezerva për nivelin e tyre artistik dhe për të drejtën e tyre për të qëndruar ende si pjesë e trashëgimisë tonë kulturore. E njëjta gjë mund të thuhet për autorët që me veprat e tyre kanë formuar fondin e artë të GKA. Pra, ndryshimi i emrit nuk do të fisnikërojë apo do të bëjë më elitare hapësirën e Galerisë. Për më tepër unë s’kam ndonjë problem ndaj emrit muze, siç ndodh për shembull me Roland Barthesin i cili kishte neveri nga fjala muze, pasi i kujtonte diçka të mykur e të dalë mode. Nëse është vetëm çështje emërtimi, atëherë pse jo, ç’punë prish, le të ndërrohet emri nga galeri në muze.
Le të shqyrtojmë tani funksionin e tyre: cili është ndryshimi midis funksionit të GKA dhe Muzeut Kombëtar të Arteve. Të dy kanë në themel të njëjtin funksion, i cili përcakton arsyen e ekzistencës së një institucioni të tillë: edukimin përmes formës. Sidomos sot theksi vihet mbi një edukim shumëplanësh dhe mbi strukturat që do ta kryejnë atë. Kjo larmi ka qenë në themel të projekteve të mëparshme si: Bibliotekës së Galerisë, revistës PamorArt, Ateliesë së Edukimit artistik, rikthimit të pavijonit të Realizmit Socialist me një konceptim të ndryshëm nga koha kur kishte qenë art zyrtar, si dhe hapja e librarisë së Galerisë. Pyetja qëndron nëse ky ndryshim emri do të shoqërohet me ndryshime të mirëfillta strukturore. Qysh nga viti 2002 GKA ka të gjithë strukturën e nevojshme për t’u quajtur një muze arti. Është tjetër punë diskutimi mbi eficencën, apo rezultatet e kësaj strukture, e cila nuk mund të punojë maksimalisht qysh ditën apo vitin e saj të parë. Çfarë do të ketë ndryshuar në strukturën e saj të nesërmen e ditës kur në hyrjen e saj do të shkruhet Muzeu Kombëtar i Arteve? Njëlloj si tani, Galeria do të ketë një fond i cili do të jetë, mirë apo keq po ai i mëparshmi. Hapësirat po ato dhe konceptimi kronologjik i shpalosjes së pavijoneve po ai. Do të ketë po atë administratë, po atë sektor studimi, restaurimi, arkivë etj. Por do t’i mungojë një strukturë që e gjen në çdo muze, të cilën e ka patur dikur Galeria Kombëtare, por që është hequr para pak kohe: ajo e Ateliesë së Edukimit Artistik. Nuk mund të mos bësh krahasimin midis programeve të Muzeut të Artit Modern të Nju Jorkut (ku kam patur rastin të jem i pranishëm) në të cilët kuratorë të MOMA-s jepnin video-leksione mbi artin pamor të të burgosurve, dhe një strukture modeste si ajo që kishte filluar në Galerinë Kombëtare. E cila edhe pse e domosdoshme u shkatërrua.
Po ashtu mendoj se edhe në hiqet salla n.1 e ekspozitave të përkohshme dhe kthehet në pjesë e linjës, përsëri kjo nuk ndryshon ndonjë gjë nga Galeria e sotme, pasi nga praktika dihet se ka muze që e kanë ose nuk e kanë një sallë të tillë, ndonëse duhet theksuar se numri i këtyre të fundit është më i vogël.
Kujt i bie barra për të bërë politikën e këtij institucioni, ministrisë apo drejtorit?
Problemi nis qysh me emërimin e drejtorëve të GKA. Nëse ata do të emëroheshin siç thotë rregullorja, pra, të gjithë kandidatët t’i nënshtrohen një konkursi, nëse pas një seleksionimi paraprak në bazë të CV-ve, kandidatët e përzgjedhur thirren para një komisioni që të parashtrojnë projektet që kanë për institucionin, atëherë drejtori i ri pas kësaj procedure do të kishte të gjithë legjitimitetin për të marrë në dorë drejtimin e Galerisë. Me t’u zgjedhur në këtë mënyrë, drejtori duhet lënë të punojë i patrazuar për të realizuar një vizion për të cilin ka marrë dritën e gjelbër nga institucioni që e ka emëruar. Kjo do të ndikonte në autoritetin e tij dhe në marrëdhënie respekti të ndërsjellë me komunitetin artistik, ndryshe nga çka ndodhur më parë. Sigurisht, të gjithë kanë të drejtë që të japin mendime në media për politikën kulturore dhe projektet e Galerisë, por po e përsëris, drejtori pasi është përzgjedhur për vizionin e tij, duhet lënë dorë e lirë ta realizojë atë. Por, duke ndjekur besnikërisht në linja të përgjithshme vizionin me të cilin ka fituar postin e drejtorit. Po ashtu, gjykimi i performancës së tij do të bëhet duke u mbështetur mbi cilësinë e realizimit të projekteve të paraqitura prej tij në fillim.
Si mund të ndërtohen linjat e muzeut?
Këtë pyetje do ta shihja si vazhdim të së parës. Nëse drejtori është zgjedhur sipas CV-së së tij, pra, dikush me emër në komunitetin artistik, atëherë ai do të dinte të përballej me një detyrë kaq të vështirë. Këtu duhet parë se çfarë profilizimi do të ketë drejtori. Nëse flasim për një drejtor të specializuar në menaxhimin e artit dhe sot ka mjaft të tillë në botë, madje edhe të suksesshëm, del e qartë se rëndësi parësore merr grupi i kuratorëve, një strukturë që duhet forcuar dhe i duhet dhënë më shumë autoritet. Më kujtohet që në vitin 2001, gjatë një takimit me një drejtor muzeu në Francë, që interesohej të merrte instalacionin e sallës Blu, thirri në zyrë kryekuratoren e muzeut, të cilës i dha projektin të cilin ajo, pasi ta shqyrtonte me grupin e kuratorëve do të paraqiste një relacion prej të cilit do të varej edhe vendimi i drejtorit. Gjykimi i tyre se arti i realizmit socialist nuk paraqiste interes për publikun francez, ishte vendimtar për këtë projekt, megjithë parapëlqimin e drejtorit që e kishte parë sallën Blu gjatë një vizite në Tiranë. Pra, ku është kjo strukturë në një institucion që synon të kthehet në muze? Unë me mundësitë që kisha para dhjetë vitesh jam munduar t’u jap përparësinë që meritonin sektorit të studimit, por ka ardhur koha që të krijohet një strukturë që të ketë më shumë peshë në vendimmarrje. Dhe të hiqet dorë nga bordi me piktorë të cilët kanë të drejtë vendimmarrëse. Ky absurditet, i cili për më tepër mban erë konflikt interesi duhet hequr sa më shpejt nga praktika e drejtimit të Galerisë. Drejtori mund të këshillohet me cilindo, edhe me piktorë, por kurrsesi mendimi i tyre nuk duhet të bëhet i detyrueshëm për zbatim. Në Galeri duhet përsosur struktura e kuratorëve të specializuar për periudha të ndryshme dhe janë ata që i propozojnë drejtorit përzgjedhjen e veprave dhe mënyrën e ekspozimit të tyre në linjën e Galerisë. Pa këtë strukturë specialistësh çdo drejtor, sado i zoti, nuk do të jetë në gjendje të ndërtojë një linjë me nivel të lartë. Për të qenë sa më tërheqës fondi ynë, i cili përveç një numri të vogël veprash cilësore, lë shumë për të dëshiruar përsa i përket cilësisë artistike, mund të bëhet më interesant nëse herë pas here, krahas linjës së përhershme, organizon me veprat e Fondit pavione të kuruara. Do të veçoja pavijonet e SurRealizmit Socialist dhe sallës Blu, të cilat, duke parë kërkesat e shumta për të shoqëruar grupe të ndryshëm të ardhur për t’i parë, mendoj se janë dy shembuj, që ekspozitat e kuruara mund të sjellin interes te publiku. Me interes u ndoq edhe organizimi i tablove të paraluftës në titullin “Nostalgji”, ku vihej theksi mbi nostalgjinë që ngjall zhdukja nga arti ynë i mëpasëm i homo albanicus-it me sjellje normale, me një humanizëm të shurdhuar nga tam-tamet e mesianizmit laik të artit zyrtar. Nëse dikush e ka parë një herë linjën e Galerisë, cili autor apo cila vepër do ta detyronte atë të kthehej përsëri? Me keqardhje them se, nuk më vjen ndër mend asnjë autor, sikur edhe ta kesh admiruar, të cilit mund t’i rikthehesh edhe një herë tjetër për ta parë, çka të ndodh shpesh në muzetë e huaj të artit. Galeria nuk ka për detyrë të mjaftohet me aktin e ekspozimit, por edhe të organizimit përmbajtësor të kësaj trashëgimie. Por konceptimi me ekspozita të kuruara nuk është i detyrueshëm dhe mund të mos zbatohet gjithmonë. Sidoqoftë do të ishte i dobishëm për një Galeri si e jona.
Atëhere cila është e ardhmja e fondit, do të vazhdojë të rrijë në skuta dhe të vuajë cilësinë e dyshimtë, apo mund të ketë një projekt më vete për të?
Ekspozimi i tyre pa përjashtim (nëse kjo është ajo që keni parasysh) nuk është një ide e mirë dhe do të ishte zhgënjyes për publikun. Fondi duhet “pastruar”. Nuk do të isha kundër idesë së një ankandi, ku vepra që nuk i bëjnë shumë nder Galerisë, por për të cilat për arsye të ndryshme mund të ketë blerës, pse jo, le të shiten. Por më parë duhen përcaktuar qartë kriteret mbi të cilat do të bëhet përzgjedhja e tyre. Ajo s’mund t’i lihet dëshirës apo shijes së një drejtori të vetëm.
Po me veprat e realizmit socialist që përbëjnë dhe shumicën?
Besoj se lexuesit i kujtohet se çfarë reagimi ngjalli kthimi i këtyre veprave në hapësirat e Galerisë Kombëtare në korrik të 1999-ës. Ndonëse qëllimi ishte të realizohej një veprimtari artistike, reagimi i publikut e ktheu atë në një akt politik. Por sot reagime të tilla i takojnë të kaluarës. Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm kur trajtojmë një periudhë historike si ajo e artit të diktaturës. Më kujtohet që në artikujt e shumtë të botuar pas hapjes së ekspozitave, një nga provat që tregonte nostalgjinë time për regjimin, ishte toni neutral i tekstit kuratorial. Edhe sot pas gati dhjetë vjetësh vazhdoj të mendoj se ishte toni i duhur. Pastaj si mund të bëhej ndryshe? Nëse vihesh në rolin e historianit të artit, apo kuratorit që merret me një periudhë të vdekur, ngjan pak me mjekun që kryen autopsi. Nëse i vdekuri është shumë i afërt me mjekun, atëhere atij nuk do t’i bëjë zemra të përdorë bisturinë, nëse e urren, atëherë autopsia do t’i ngjajë më tepër një masakre. Pra, nëse do të studiosh një periudhë si ajo e artit të diktaturës, duhet të kesh pikërisht paanshmërinë e mjekut që përshkrova më lart. Kjo paanësi emotive nuk përjashton qëndrimin kritik ndaj periudhës në shqyrtim dhe duhet të karakterizojë ekspozimin e veprave të realizmit socialist në linjë. Dhe: duhet gjetur gjithmonë një mundësi që ta dallojë këtë ekspozim nga koha, kur këto vepra ishin art zyrtar.
Është folur edhe për heqjen e pavijonit të artit bizantin (së fundmi u vendos që ai thjesht të zhvendoset). Sipas jush a e ka vendin në GKA ky lloj arti ?
Nëse arti shqiptar konceptohet si art laik, atëherë arti bizantin, si art fetar nuk ka vend në GKA. Ky parim duhet përcaktuar nga MKRS, pasi ka lidhje me statusin e Galerisë si institucion. Përjashtimi apo lënia e artit bizantin s’mund të jetë thjesht çështje dëshirash. Pasi një drejtor e heq dhe vjen një tjetër që e ka dobësi dhe e rikthen. E vërteta është që institucioni që ekspozon artin pamor qysh nga zanafilla e tij, lidhet me artin laik. Duhet thënë që megjithëse arti laik është shfaqur edhe më parë në Europë, pas Reformës protestante për shkak të prirjes ikonoklaste të etërve të protestantizmit, shfaqja e qëndrueshme e artit laik përkon në Evropë me kohën e ndërtimit të shteteve-kombe dhe të formimit të muzeve si institucione të edukimit përmes formës, jo vetëm të ndjenjës estetike, por edhe të ndjenjës kombëtare, aq të rëndësishme për këto shtete të rinj. Edhe në Shqipëri, arti laik shfaqet në periudhën historike kur shqiptarët, të topitur nga gjumi i gjatë nën osmanët, të kapur pas kujtimit të zbehtë të një heroi kombëtar gjysmë të harruar që i përkiste shek. XV, po mundoheshin të ndërtonin një identitet kombëtar dhe më pas shtetin e tyre. Por edhe arti laik u shfaq kryesisht në dy qytete, në Shkodër dhe në Korçë, ku dëshira për të pikturuar ishte mbajtur gjallë në komunitetin e krishterë dhe në objektet e tij të kultit. Edhe në artin laik, përkatësia fetare luan një rol jo të parëndësishëm. Pra nuk është një përgjigje që mund të jepet ashtu thjesht.
Pyetja e dytë që mund të bëhet në këtë rast, është nëse një vepër si ikona bizantine, e krijuar vetëm për të qenë pjesë e një hapësire dhe ceremoniali fetar mund të ekspozohet në një hapësirë tradicionalisht laike si muzeu i artit. Fakti që zakonisht ikonat ekspozohen në muze mirëfilli të artit mesjetar, siç është rasti i muzeut të mrekullueshëm të artit mesjetar në Korçë, tregon se në praktikën muzeale ekziston një ndarje qoftë edhe e vagullt midis artit laik dhe atij fetar.
Një nga idetë e drejtorit aktual është zhvendosja e bibliotekës diku tjetër…
Më është dukur gjithmonë e pakuptueshme “alergjia” e drejtorëve të mëparshëm ndaj Bibliotekës së Galerisë. Jo vetëm që nuk e kanë vazhduar pasurimin e saj, por gjëndja ka shkuar drejt një degradimi dëshpërues. Dëshmitar i kësaj që po them u bëra një ditë, kur po punoja në bibliotekë dhe ndërkohë të gjitha tavolinat dhe karriket filluan të nxirreshin sepse duheshin diku. Pas pak e gjeta veten në pozitën tragji-komike të dikujt që studionte në një bibliotekë fare bosh, në një tavolinë në cep të saj, ndërsa në të djathtë, aty ku dikur ishte vendosur një peizazh i Vangjush Mios, ishin hedhur copat e një tavoline të thyer. Vërtet për të ardhur keq. Nëse do të menaxhohej si duhej biblioteka, mund të ndihmonte mjaft Galerinë dhe imazhin e saj publik. Një nga kujtimet e mia më të këndshme nga qëndrimi në Paris, është qëndrimi në radhë për të hyrë në bibliotekën e Qendrës Pompidu. Është radha e vetme që e kam mbajtur me kënaqësi ndonëse ndodhte të isha edhe i 200-ti. Sigurisht, nuk pres që para derës së Bibliotekës tonë të zenë radhën njerëz që kanë frikë se mos nuk gjejnë vend. Po kështu nuk pres që biblioteka e Galerisë tonë të ketë 188.000 librat e MOMA-s të Nju Jorkut dhe organizimin e saj në tërheqjen e lexuesve. Po më duket e pakuptueshme që ta trajtojnë si një mysafir i padëshiruar që ka zënë një hapësirë që nuk i takon. Fajin nuk e ka biblioteka nëse njerëzit nuk zenë radhë për të hyrë atje. Përse atëherë duhet ndëshkuar ajo që nuk ka faj? Për të fshehur paaftësinë tonë për ta menaxhuar. Nuk mund ta braktisësh një bibliotekë dhe pastaj ta prishësh sepse nuk vjen askush. Nëse vërtet do të ndodhë zhvendosja e saj, atëherë kjo do të jetë një goditje e pariparueshme. Pasi futja e saj në një hapësirë sa një e treta e asaj që zë sot, do të thotë jo vetëm zvogëlim i fondit të librave, por edhe ligjërim i braktisjes së saj, pasi edhe nëse do të ekzistojë dëshira e ndonjë drejtori për ta pasuruar, nuk do të ketë se ku të vendosen librat e rinj. Biblioteka në vend që të prishet, duhet të vazhdojë me pasurimin edhe të CD-tekës, e cila filloi me një numër CD nga muze të ndryshëm, por që u la më pas në harresë. Por siç e thashë, më duket e pabesueshme që kjo ide e hedhur para medias të zbatohet. Para se të prishet, të merret parasysh rëndësia e Bibliotekës së vetme publike të arteve pamore në vend, që meqë ra fjala, është investimi më i rëndësishëm pas ndërtimit të Galerisë. Besoj se nuk do shpërfillet puna këmbëngulëse e një ekipi të tërë për ta ngritur, përkushtimin e personelit të bibliotekës për ta ruajtur të paprekur fondin e saj (deri tani nuk ka humbur asnjë libër!) si dhe ndihmesën që ambasada dhe fondacione të huaja kanë dhënë për realizimin e këtij projekti.
Nuk do të harrohet edhe fakti që kujtesa e njerëzve mund të falë shkatërrimin e një qyteti si Aleksandria, po nuk harron kurrë shkatërrimin e bibliotekës së saj.