Kriza e kredive, bankat humbin 60 milionë dollarë në 6 muaj
Kredia e keqe rritet me ritme të frikshme dhe Banka e Shqipërisë pranon se një situatë e tillë do të vazhdojë. Për 6-mujorin e parë të këtij viti, kredia e keqe ka kaluar 60 milionë dollarë. Por kjo është vetëm shuma e kredive të humbura që janë shtuar në këtë 6-mujor, pasi nëse i shtohen edhe kreditë e humbura në vitin 2007 shifra fryhet akoma më shumë. Rritja e kredisë së keqe llogaritet me rreth 21.6 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti dhe mbi 25 për qind në 3 mujorin e parë të vitit 2008. Bankat nuk kanë humbur vetëm kredi në vlerë absolute, por edhe treguesi në përqindje i kredisë së keqe ka patur një përkeqësim të ndjeshëm. Në 6-mujorin e dytë të këtij viti, kredia e keqe ka mbërritur në 4.32 për qind të portofolit total të bankave. Banka e Shqipërisë ka marrë masa shtrënguese për bankat e nivelit të dytë gjatë gjithë vitit 2008, por këto kredi që nuk kthehen, nuk i përkasin kësaj periudhe. Ato janë dhënë kryesisht në periudhën 2005-2007. Portofoli i kredive të dhëna nga ana e bankave të nivelit të dytë ka kaluar 3 miliardë euro, ndërsa kredia e keqe në total po shkon në 130 milionë euro. Por një shifër e tillë mbetet e përkohshme, pasi një shifër disa herë më e madhe i përket kredisë me vonesa ose nënstandarde. Këta klientë që paraqesin vonesa në pagimin e kësteve janë edhe më të rrezikuarit për t’u kthyer në grupin e atyre që konsiderohen si të humbur nga ana e bankave. Kredia e keqe nuk ndaletSpecialistët e bankave e kanë paralajmëruar kohë më parë për këtë fenomen që po ndodh tashmë prej muajsh. Pjesa dërrmuese e kredive janë dhënë në vitet 2005, 2006 dhe 2007, duke qenë ende të reja në moshë për t’u provuar nëse ato do të kthehen apo jo. Dhe viti 2008 është viti i dytë dhe i tretë, përkatësisht, për pjesën më të madhe të portofolit të kredisë së dhënë nga ana e sistemit bankar. Një fakt i tillë tregon se me kalimin e viteve, situata mund të bëhet edhe më e vështirë, pasi edhe mënyra e llogaritjes së kredisë së keqe mbetet ende jo me shumë vlerë, pasi portofoli është rritur me ritme shumë të shpejta. “Tremujori i dytë i vitit 2008 shënon rritjen e portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar me rreth 2.7 miliardë lekë, ose me 21.6 për qind, nga 2.5 miliardë lekë ose 25.2 për qind për tremujorin e mëparshëm. Treguesi që mat cilësinë e portofolit të kredive të sistemit (mbi baza bruto) përllogaritet në nivelin 4.31 për qind, nga 3.92 për qind në tremujorin e parë. Kjo ecuri jopozitive pritet të vazhdojë, si rezultat i ritmit të lartë rritës të kredive të akorduara gjatë këtyre viteve dhe efektit të shtyrë në kohë të kredive me probleme. Edhe treguesi “kredi me probleme / teprica e kredisë (neto)”, i cili mat madhësinë neto të ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë, u përkeqësua, në nivelin 2.43 për qind nga 2.08 për qind në tremujorin e mëparshëm”, bën të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e saj të fundit. Bankat, të etura për kredi Por sistemi bankar nuk ndalet në dhënien e kredive. Sipas BSH-së, treguesi “kredi ndaj totalit të depozitave” ka pësuar sërish rritje. Veçanërisht dallohen bankat e mesme, të cilat shfaqin një prirje më të madhe për të rritur peshën e kredive kundrejt depozitave. Treguesi shfaq vlerë të ulët në monedhën vendase dhe në USD. Treguesi në monedhën euro, pas një rënieje të lehtë gjatë viteve 2006 dhe 2007, është rritur në tremujorin e parë të vitit 2008, duke arritur vlerën e fundit të vitit 2004 dhe ka vazhduar të rritet më tej, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2008. Mbrojtja e depozituesve Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin paraqet një rritje të pakonsiderueshme prej 0,1 për qind, duke arritur në masën 17,3 për qind.Kërkesa për kapital rregullator për mbrojtjen nga ndryshimet në kursin e këmbimit e cila përllogaritet me bazë gjashtëmujore, paraqitet në 418 milionë lekë ose 0.7 për qind e kapitalit rregullator të sistemit për qershorin 2008 dhe përfshin 10 banka të sistemit. Norma e përgjithshme e mbulimit të sistemit tregon se kapitali rregullator i sistemit tejkalon me 39 për qind, kapitalin rregullator të nevojshëm për të mbuluar rrezikun e kundërpartisë, rrezikun e normës së interesit dhe rrezikun e kursit të këmbimit. Provigjonet, vetëm 2.97%Banka e Shqipërisë bën të ditur se mbulimi me provigjonë në fund të 6 mujorit të parë është 2.97 për qind. Kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme janë të mbuluara me provigjone dhe mbeten hëpërhë nga më të sigurtat për një kthim nga ana e bankave për të gjithë ata kreditorë që nuk paguajnë në kohë. Por një pjesë e madhe e kredisë është e dhënë për konsum dhe kjo mbetet pjesa më e vështirë për t’u kthyer nga ana e bankave, pasi mbi këtë kredi nuk ka provigjone dhe e vetmja mundësi është kthimi i kredisë nga vetë klienti i bankës. Edhe kredia e dhënë për biznes paraqet problematikë për kolateral, pasi biznese të mëdha mbeten të vështira për t’u shitur me vlerën që ato kanë vënë në hipotekë.