E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shrëder: “Putin një demokrat i pastër si kristali”



Ish-kancelari gjerman Gerard Shrëder është shprehur se Vladimir Putin është “një demokrat i pastër si kristali”. Ai kritikoi Perëndimin se po gabon rëndë në lidhje me konfliktin në Gjeorgji, duke u vënë në mbrojtje të Kremlinit. Shrëder në situatën e krijuar në Gjeorgji sheh paralajmërimin e tij të “drejtë” për rrezikun e njohjes së sovranitetit të Kosovës. “Ky shembull tani shërben si model për të ashtuquajtura konflikte të ngrira. Për këtë shkak në të ardhmen gjithnjë e më shumë do të kemi punë de fakto shtetet të cilat i njeh një pakicë vendesh. Dinamika negative dhe ndërkombëtare, e nisur pas vendimit për Kosovën, detyrimisht duhet të ndalet”,- ka thënë Shrëder në Berlin në një shfaqje bamirësie. Ndryshe Shrëder, direkt nga karrigia e kancelarit të Gjermanisë u ul në kolltukun e presidentit të Këshillit Mbikëqyrës të gazsjellësit gjermano-rus në Detin Baltik, të cilin e kishte kontraktuar personalisht me partnerët rusë.

SHBA, përfundon dita e parë e Kuvendit të Partisë Republikane

Në Shtetet e Bashkuara, Partia Republikane ka vazhduar me planin e kuvendit kombëtar të planifikuar pasi uragani Gustav bëri që të programi i ditës së parë të reduktohej. Agjencitë e lajmeve kanë njoftuar se presidenti Bush ka përshëndetur delegatët në Shën Paul të Minesotës, duke folur përmes satelitit nga Shtëpia e Bardhë. Ai anuloi pjesëmarrjen e planifikuar në kuvend për të qënë më pranë përgjigjes së qeverisë federale ndaj uraganit.
Ish guvernatori i Nju Jorkut, Rudi Xhuliani i cili kërkoi kandidaturën presidenciale të republikanëve këtë vit ishte njëri nga folësit e ditës së djeshme. Xhon Mekein i cili do të pranojë kandidaturën këtë javë, e kaloi ditën në Ohio, duke u përqëndruar në stuhinë që preku bregun e Gjirit. Bashkëshortja e zotit Mekein, Sindi, u bashkua me zonjën e parë Laura Bush duke iu drejtuar delegatëve, që të lënë mënjanë ndarjet politike dhe të kontribuojnë në përpjekjet e shpëtimit.

Milloshoski: “Marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Shkupit janë të mira”
Ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski ka deklaruar se ka qasje pozitive për zhvillimin e bashkëpunimit me Prishtinën. Sipas tij, marrëdhëniet mes Prishtinës zyrtare dhe Shkupit janë të mira, ndërsa në të ardhmen do të jenë edhe më të mira. Në një seancë të Komisionit të Kuvendit për punë të jashtme, Milloshoski, theksoi se demarkacioni i kufirit, në bazë të marrëveshjes së vitit 2001, zhvillohet sipas dinamikës së planifikuar. Deri tani, sipas tij, Republika e Maqedonisë ka demarkuar rreth 85 kilometra nga gjatësia e linjës kufitare në pjesën me Kosovën. “Kemi një pozicion i cili dëshiron të veprojë për bashkëpunim më të madh rajonal dhe për zhvillimin e këtyre marrëdhënieve, por në të njëjtën kohë atë që e kemi ndërtuar si marrëdhënie me vendet e tjera nga rajoni, duke e përfshirë edhe me Serbinë, të ruhet dhe sendërtohet”,- tha shefi i diplomacisë maqedonase.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›