E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana: “Keiroz, nuk dorëzohemi aq lehtë”



Kapiteni i Marsejës, Lorik Cana, do të jetë edhe kapiteni i Shqipërisë në takimin e rëndësishëm Shqipëri-Portugali. Mesfushori shkatërrues do të luajë në zemër të mbrojtjes sonë, duke u përpjekur të shndërrohet në një digë për vijën e parë luzitane. “Kemi biseduar edhe me trajnerin si unë ashtu dhe Ervini (Bulku), Skela e disa lojtarë kyç të ekipit, dhe ai na kërkuar mendimin tonë për rolet që luajmë. Me mungesën edhe të Dallkut trajneri mendon se unë mund t’i shërbej në qendër të mbrojtjes, duke e ndihmuar ekipin të fitojë edhe stabilitet, në qetësi e organizim”. Portugalia vjen në Shqipëri në një ndeshje për “jetë a vdekje”, pasi i duhen tri pikët për të shpresuar për një vend në Botëror “Për ne është një mundësi që të kemi një ndeshje të madhe kundër një prej ekipeve të mëdha në botë, dhe disa prej lojtarëve më të mirë në botë në vendin tonë, në një ndeshje që ne nuk kemi asgjë për të humbur. Unë e konsideroj edhe një mundësi për ne që të bëjmë një rifillim të ri me trajner të ri që udhëheq ekipin Kombëtar”. Shqipëria barazoi në Braga 0-0 me Portugalinë, dhe Loriku e sheh atë si një avantazh, e aspak si një dizavantazh për ekipin tonë. “Është 100 për qind një avantazh të madh. Në ndeshjen që kemi realizuar në Portugali, pa dyshim që kemi pasur edhe fat, por kemi pasur edhe një portier të madh (Arjan Beqaj) që ka realizuar një ndeshje shumë të madhe. Zakonisht në 10 ndeshje të atilla i humbet nëntë prej tyre”. Trajneri i Portugalisë, Karlos Keiroz, para nisjes në Shqipëri për deklaroi për mediat portugeze në mënyrë ironike e provokuese
gazetën “Correio da Manha” se “nëse unë do të isha trajneri i Shqipërisë apo shqiptar, nuk do të doja të isha në pozicionin për të veshur atë bluzë”. Cana kundërpërgjigjet: “Nuk e di se ç’mendon Keiroz, por unë jam krenar që jam shqiptar që mbaj veshur fanellën e Shqipërisë. Si me një fitore apo ashtu dhe me një humbje ne do ta mbajmë kokën lart, pasi jemi krenar që jemi shqiptar. Ne do të luajmë me mundësitë tona, por nuk dorëzohemi aq lehtë. Në asnjë moment ne nuk kemi frikë që jemi shqiptar, për çdo gjë jo vetëm për futboll”- përfundoi kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana.

6 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›