E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe, 11-sh “top-sekret” kundër Portugalisë

Trajneri i Shqipërisë: “Kam ndërtuar strategjinë për të bllokuar Ronaldon”. Kroati: “Skema 4-4-2, kompakt në mbrojtje dhe të rrezikshëm në sulm”

Trajneri i Kombëtares shqiptare, kroati Josip Kuzhe, ndoqi një “traditë” të krijuar nga paraardhësi i tij holandezi Ari Han, duke mos e zbuluar formacionin zyrtar që do të hedhë në fushë kundër Portugalisë. Megjithatë, tonet optimiste shoqëruan konferencën e tij të fundit për shtyp në prag të ndeshjes së ditës së shtunë me Portugalinë në “Qemal Stafa” takimin e rëndësishëm Shqipëri-Portugali, që përkon edhe me debutimin e tij në krye të bankinës kuqezezë.

STËRVITJJA
“Gjatë këtyre shtatë ditëve punova për të njohur e krijuar ekipin, për të përcaktuar 11-shin e parë, por gjithashtu edhe për të krijuar modelin tonë të lojës. Mund të them se jam i lumtur, jam i kënaqur nga lojtarët. Unë i kam idetë e qarta tani, dhe mund të them se në ndeshjen kundër Portugalisë, jam i bindur se mund të arrijmë diçka”

OPTIMIZMI
“E gjithë puna ime u përqendrua në konceptimin e lojës në mbrojtje, por edhe në atë sulmuese. Nuk mund të them se jam 100 për qind i bindur se do të marrim rezultatin që dëshirojmë ndaj një ekipi si Portugalia, pasi është shumë e vështirë të luajmë kundër tyre, por jam i bindur se ne kemi motivimin e duhur e kam besimin se dhe ekipi do të luajë mirë. Kam krijuar një ndjenjë të mirë dhe ky është një mesazh i rëndësishëm që merr trajneri. Unë jam optimist se kemi ndërtuar një shpirt fituesi”

FORMACIONI
“Nëse do të më pyesnit se kush do të luajë nesër, unë do të dëshiroja t’ua thosha, por ne kemi akoma edhe një seancë stërvitore. Duke ju respektuar juve, nuk dëshiroj t’u them diçka që nuk mund të jetë e vërtetë. Pasi për të thënë 11-shin unë duhet të jem 100 për qind i sigurt. Dua të jem profesional, e këtë do të doja t’ua thosha nesër, ose pas stërvitjes së mbrëmjes”

SISTEMI
“Në lidhje me sistemin e lojës, për mua rëndësi ka koncepti i saj. Është strategjia që t’i ndërton për të fituar një ndeshje. Ne do të bëjmë një lojë defensive, por të hapur dhe me vështrim të shpeshtë nga sulmi. Mund të them se do të luajmë 4-4-2, por çështja qëndron te sistemi i lojës që do të përdorim. Të jemi kompakt e të sigurt në mbrojtje, por në të njëjtën kohë të jemi edhe të rrezikshëm në sulm. Luajmë në shtëpinë tonë, dhe nuk mund të mbrohemi gjatë gjithë kohës”.

ANTI-KEIROZ
“Deklarata e Keirozit se nuk do të donte të ishte në vendin e Kuzhes? Sigurisht që do ta motivojë ekipin e tij, ashtu siç bën çdo trajner. Nga ana tjetër, unë kam parë lojtarë të motivuar gjatë këtyre ditëve dhe e ndjej si jemi një grup kompakt. Ne do të luajmë më një besim në veten tonë në këtë ndeshje. Kam një ndjenjë të mirë brenda vetes, ne kemi një ekip kompakt, por gjithashtu dhe lojtarë cilësore. Natyrisht, Portugalia ka lojtarë me cilësi të larta individuale, por kjo nuk mund të vendosë rezultatin. Unë jam optimist te vetja, dhe unë shpresoj gjithashtu se do të bëjmë një paraqitje pozitive”.

ROLET
“Kam provuar (Elvin) Beqirin si shkatërrues, pasi dëshiroj të shoh të gjitha situatat në një ndeshje. Të gjithë mesfushorët shqiptarë si Duro, Skela, Hyka, Lika, Muzaka, Bylykbashi, që të gjithë janë më shumë ofensivë. Por, ne kemi nevojë të jemi pak agresivë kundër Portugalisë, dhe mendoj se Beqiri në atë pozicion i jep qetësi lojës, e organizon atë”

DEBUTIMI
“Ndeshja është shumë e rëndësishme për mua, pasi është kontakti i parë imi me futbollin dhe tifozët shqiptarë. Dua të ndërtoj një urë midis nesh, dua që t’i besojmë reciprokisht njëri-tjetrit. Kam ardhur këtu për të ndërtuar diçka të bukur në perspektivën e futbollit shqiptar. Natyrisht, që rezultati është diçka e rëndësishme për atë lidhje midis meje e fansave. Por, edhe nëse humbasim ndaj një ekipi të fuqishëm e bëjmë një ndeshje të bukur, që njerëzit të thonë pas ndeshjes se jemi krenarë për ekipin tonë Kombëtar”

NEGATIVE
“Vlerësim negativ do të përcaktoja pamundësinë e kohës, për t’i pasur të gjithë lojtarët në të njëjtën kohë, pasi ata i pata të gjithë bashkë vetëm nga dita e martë. Pra janë vetëm tri ditë kohë së bashku. Kjo është ndeshja ime e parë, dhe si trajner patjetër që më duhej më shumë kohë”

POZITIVE
“Në ekipin shqiptar ekziston një atmosferë e bukur, e këndshme. Por, ajo që do të thosha se është më pozitivja, është fakti se asnjë nga lojtarët nuk është i dëmtuar dhe punuan më dëshirë. Unë kam një ndjenjë të mirë profesionale dhe të vërtetë, kjo është e rëndësishme. ‘Team-spirit’- Shpirti i ekipit, kjo është e rëndësishme për të marrë rezultat pozitiv”.

TË RINJTË
“Jam i kënaqur me atë që kanë treguar lojtarët e rinj, të cilët janë e ardhmja e Shqipërisë. Jam i lumtur pasi shoh potencial tek ata. Është pak e vështirë t’i përfshij në ndeshjen kundër Portugalisë menjëherë, por qëllimi im është që pas ndeshjes së parë (kundër Portugalisë) e ndoshta edhe pas së dytës (kundër Gjeorgjisë) për të ndërtuar një ekip të ri, shumë të fuqishëm, prandaj jam kaq i lumtur”.

6 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›