E Diel, 1 Nëntor 2026

Oto Bariç: “Nuk kam folur kurrë keq për Shqipërinë”



Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, kroati Oto Bariç, mbërriti në Shqipëri si i ftuari special i Federatës Shqiptare të Futbollit për të ndjekur në “Qemal Stafa” takimin e rëndësishëm Shqipëri-Portugali, që përkon edhe me debutimin e mikut të tij, kroatit tjetër Josip Kuzhe. 77-vjeçari Oto Bariç u rishfaq në ambientin shqiptar gjithmonë në formë e i gatshëm për të komunikuar me mediat për të ndarë me ta edhe disa opinione të rastit. “Kam ardhur në Shqipëri me ftesë të federatës suaj të futbollit dhe për të parë nga afër ndeshjen e një miku tim të ngushtë, Josip Kuzhe. Madje, mund t’i jap edhe ndonjë këshillë. Jam i bindur se Shqipëria mund të ndalojë Portugalinë, ashtu siç bërë edhe në Bragë. Më vjen shumë mirë që jam rikthyer në Shqipëri. Do të doja shumë që Shqipëria të bënte hapa në rritje në futboll. Ruaj ende marrëdhënie të mira me disa lojtarë, dhe më vjen mirë që do t’i shoh ata nesër të luajnë. Erdha edhe për njerëzit që më ftuan”, - tha Bariç për mediat. I pyetur në lidhje me faktin se nëse ai kishte sharrë Shqipërinë në mediat kroate, Bariç fillimisht tha se nuk e kuptonte këtë pyetje. “Nuk e kuptoj mirë pse më bëni këto lloj pyetjesh. Unë gjithmonë e kam vlerësuar Shqipërinë dhe kam një sensacion të mirë për të. Nuk e di kush ka interes të më bëhen pyetje të tilla. Nuk kam folur keq në media për Shqipërinë”, - tha Bariçi. Në lidhje me një parashikim të mundshëm të tij në lidhje me ndeshjen e së shtunës, Bariç tha: “Ndeshja është e vështirë. Portugalia ka një ekip të mirë dhe këtë e di edhe nga përvoja ime si trajner kundër saj. Portugalia vjen me një objektiv të madh në vendin tuaj. Nga ana tjetër, Shqipëria mund të japë shumë, duke parë se dhe kjo është ndeshja e parë e mikut tim Kuzhe. Shpresoj që lojtarët të japin më të mirën e tyre”.

6 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›