Keiroz: “Respekt për Shqipërinë, ka lojtarë vërtet fantastikë"
Pas stërvitjes më shumë se 90 minuta në “Qemal Stafa” dhe konferencës për shtyp të Dekos e Obidos, Kristiano Ronaldo, nuk kishte pranuar të fliste për mediat shqiptare, trajneri i Portugalisë, Karlos Keiroz, u shfaq shumë i shqetësuar para medias portugeze, e veçanërisht ndaj pyetjeve direkte të gazetarëve shqiptarë, të cilët nuk e kursyen e atë me pyetjet direkt e provokative. Madje ish-ndihmësi i Aleks Fergusonit te Mançesterit e fshehu me zor panikun që e kishte kapur, vetëm pak orë nga sfida shumë vendimtare me Shqipërinë, madje duke i qarë dhe hallin Kombëtares sonë, se po të humbiste do humbte shumë nga besimi që kishin tifozët e saj.
Zoti Keiroz, sa e ndjeni presionin e kësaj ndeshje, përballë një Shqipëria që nuk ka asgjë për të humbur, duke parë dhe pozicionin tuaj?
Miku im, futbolli është vetëm kompeticion. Secili është pozicioni e di. Sot kanë ndryshuar gjërat, mund të luash shumë bukur gjatë gjithë ndeshjesh, e ta pësosh në minutën e fundit. Shembuj ka plot. Ne humbëm ndaj Danimarkës në vetëm dhjetë minutat e fundit. Unë mund t’iu them vetëm një gjë. Ne nuk jemi në një pozicion të mirë. Është normale që presioni përpara çdo ndeshje të ekzistojë, pasi sidomos në këtë ndeshje nuk bëhet fjalë më për kundërshtar të dobët apo të lehtë. I njëjti presion besoj ndihet edhe te përfaqësuesja juaj. Por, ne kemi ardhur në Shqipëri vetëm për të fituar, mos shkoni në mend asgjë tjetër.
Kur u hodh shorti, Portugalia u konsiderua si top-favoriti në grupin 1. Situata për ju është shumë e komplikuar. Tashmë synimi juaj është vendi i parë, apo do të kënaqeshit edhe me vendin e dytë për të shkuar në play-of?
Po, sigurisht që ne mendojmë për të, përse jo. Na duhet vetëm të bëjmë punën tonë dhe kjo na çon në Botëror. Në fillim menduam se do të ishte një punë e vështirë, tani është akoma më e madhe.
Portugalia nuk shënon prej tri ndeshjesh, dhe nuk fiton në po aq ndeshje. Shpresoni se lojtarët tuaj do ta gjejnë rrugën e rrjetës në Tiranë?
Duket si një situatë ekonomike, nuk e kemi menaxhuar mirë atë. Por, kjo punë do të mbarojë nesër.
Ju thatë se ekipi juaj ka shpirtin, motivimin e duhur për ta fituar takimin. Si do ta përjetonit nëse do të merrnit një rezultat tjetër, ose të njëjtin që provuat edhe në ndeshjen e parë?
Në mendjen tonë nuk ekziston ajo ide. Edhe ju nuk mund të thoni se nuk keni asgjë për t’u humbur. Duhet të mendoni trajnerin, lojtaret tuaj. Shqipëria nuk jeton në një parajsë futbolli. Këtu nuk është çështja, humbet apo fiton. Ju (shqiptarët) keni shumë gjëra për të humbur, nëse nuk fitoni. Do të ndjeni presionin e tregut, lojtarët ndoshta nuk do t’i besojnë më njëri-tjetrit. Ka shumë gjëra për t’u humbur në futboll, kështu le të luajmë ndeshjen tonë. Unë jam i sigurt se gjëja më e rëndësishme është që secili të bëjë lojën e tij. Ne respektojmë Shqipërinë. Gjithashtu, lojtarët e Shqipërisë. Por nesër do të jetë një histori tjetër. Unë jam i bindur se ju do të bëni një ndeshje të mirë, një futboll të bukur.
Cilin lojtar njihni nga Shqipëria dhe kujt i frikësoheni prej tyre?
Shqipëria ka disa lojtarë fantastikë e që duhet pasur respekt. Njoh Canën, një lojtar i mirë. Njoh Duron, Skelën, Berishën, Bogdanin. Nuk i frikësohem askujt. Nuk është në zakonin tonë. Ua përsëris kemi ardhur për të fituar këtë, përndryshe për ne do të ishte dështim i plotë.
6 Qershor 2009