E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana: Më shumë Hamburg se Volfsburg

Këto dy javë do të jenë vendimtare në lidhje me të ardhmen e Lorik Canës, mesfushorit shqiptar që militoi për 4 sezone në radhët e skuadrës së Olimpikut të Marsejës. Ditët e fundit u përfol për një kalim të mundshëm të tij te Volsburgu për shumën prej 7 milionë eurosh, por të hënën, kur sipas mediave franceze pritej nënshkrimi i kontratës 4-vjeçare me kampionët e Gjermanisë, gjithçka ka rezultuar vetëm një thashethem. Kjo tratativë është hedhur poshtë nga babai, njëkohësisht edhe menaxheri i tij, Agim Cana, i cili ka theksuar për prestigjiozen "L‘Equipe" se nuk ka asgjë të vërtetë mes djalit të tij dhe Volfsburg. "Nuk e kam idenë se nga ka ardhur ky thashethem, ne nuk kemi kontaktuar kurrë me Volfsburgun", ka deklaruar Agim Cana. Më pas këtë e konfirmon edhe i biri, Loriku, në një prononcim për "LaProvence.com". Ai gjithashtu mohoi çdo kontakt me Volfsburg, por konfirmoi se është i mundshëm një transferim i tij te Hamburgut. "Nuk kam pasur kurrë kontakte me Volfsburgun", ka theksuar Cana, i cili më pas ka sqaruar se karriera e tij me shumë mundësi do të vazhdojë në një kampionat të huaj, por marrja e vendimit përfundimtar pritet të bëhet gjatë këtyre dy javëve të fundit. "Ka shanse që gjithçka rreth të ardhmes sime të vendoset gjatë kësaj jave. Në këtë përfundim arrihet në një mënyrë logjike", ka thënë kapiteni i Marsejës. Pasi ka komentuar thashethemet për Volfsburgun, futbollisti i Kombëtares shqiptare ka deklaruar se skuadra e tij e ardhshme mund të jetë një tjetër skuadër gjermane. "Hamburgu është një skuadër që mund të jetë një destinacion i mirë", ka zbuluar ai për "LaProvence.com". Hamburgu, i cili e ka kërkuar mesfushorin edhe gjatë merkatos së dimrit, u rendit i pesti në sezonin e fundit të Bundesligës. Por shanse për të marrë Lorik Canën kanë edhe skuadrat angleze, Arsenal, Liverpul e Totenhem. "Topçinjtë" e Londrës i tremben konkurrencës së Liverpulit dhe Totenhemit. Liverpuli është gati të bëjë një sakrificë në rast të largimit të Ksavi Alonsos ose Maskeranos. Ndërsa trajneri i Totenhemit, Herri Redknap, e shikon si përforcim ideal të mesfushës së tij. Ndërkohë i ati ka pohuar se për momentin ka një pengesë për largimin e Canës. "Asgjë nuk do të ndodhë deri në momentin që Olimpiku i Marsejës të gjejë një zëvendësues për Lorikun. Ka shumë mundësi që ai të jetë Stephane M‘Bia i Renesë, por blerja zyrtare e tij do të lironte futbollistin shqiptar". Gjithsesi, ditët e fundit si marsejez, Cana po i kalon më së miri. Pas pushimeve në Dhërmi, me të mbërritur në Francë ai ishte pjesë e delegacionit të futbollistëve të Olimpikut, që dje kanë takuar Presidentin francez Nikolas Sarkozi dhe e shoqëruan për në samitin franko-britanik.

Sarkozi

Ditët e fundit si marsejez, Cana po i kalon më së miri. Pas pushimeve në Dhërmi, me të mbërritur në Francë ai ishte pjesë e delegacionit të futbollistëve të Olimpikut, që dje kanë takuar Presidentin francez Nikolas Sarkozi dhe e shoqëruan për në samitin franko-britanik



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›