Dështon nisma për zgjerimin e Superiores
Dështon nisma e klubeve për të ndryshuar strukturën e kampionatit. Menjëherë pas mbylljes së sezonit të kaluar, u hodh ideja e zhvillimit të Kategorisë Superiore me 16 skuadra dhe jo më me 12 skuadra, siç ka ndodhur në tri edicionet e fundit. Fillimisht të gjithë pjesëmarrësit e sezonit të kaluar u shprehën "pro" këtij propozimi, por tashmë situata nuk është e njëjtë. Burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit konfirmuan se pjesa më e madhe e klubeve nuk ka dorëzuar kërkesë për zgjerimin e aktivitetit elitar në vend, i cili do t‘i lejonte Partizanit, Elbasanit, Lushnjës e Bylisit që të riktheheshin mes më të mirave. Afati përfundimtar i dhënë nga Komiteti Ekzekutiv, për të dalë zyrtarisht në krah të katër ekipeve që nuk arritën të mbijetonin dhe të jepeshin argumentet përkatëse, ishte 30 qershori. "Edhe pse afati u shty me disa ditë, më shumë se gjysma e klubeve pjesëmarrëse në Superiore për sezonin 2009/2010 nuk ka dorëzuar kërkesë për ndryshimin e strukturës", pohuan burime pranë institucionit që drejton sportin më popullor në vend. "Pra, mund të thuhet se zgjerimi i kampionatit nuk ka mbështetjen e të gjitha pjesëmarrëseve dhe shanset janë që të luhet sërish me 12 skuadra, të cilat do të ndeshen në 33 javë futbollistike". Ndërkohë, nuk kanë munguar klubet që janë shprehur kundër favorizimit të rivaleve, pavarësisht emrave të tyre. Laçi dhe Kastrioti nuk pranojnë që Kategoria Superiore të bëhet me 16 skuadra, ku përfitueset e vetme janë katër të larguarat. Laçianët u rikthyen në elitë pasi u shpallën kampionë të Kategorisë I, ndërsa krutanët pas triumfit në sfidën "play-out" pikërisht përballë Partizanit. Këta të fundit kanë edhe arsye të forta që mos të tolerojnë: në fund të sezonit 2007/2008 Kastrioti zbriti një kategori më poshtë, pas humbjes me penallti me Lushnjën në finalen "play-out". Në atë periudhë, askush nuk u kujtua që të bënte qoftë edhe tentativën minimale për të shpëtuar skuadrën nga Kruja, apo edhe Skënderbeun e Besëlidhjen, që u larguan nga elitarët.
Sot pritet që grupi i punës i ngritur nga Ekzekutivi i FSHF-së, i cili drejtohet nga anëtari i kryesisë, Skënder Hyka dhe nga sekretari Eduard Prodani të shqyrtojë kërkesat. Pasi janë takuar me klubet, ku kanë dëgjuar argumentet për ndryshimin e strukturës së përcaktuar, pritet analizimi i të gjithë dokumentacionit. Hapi i mëtejshëm i tyre, pasi të jenë nxjerrë të gjitha konkluzionet e nevojshme, është përgatitja e një relacioni të gjerë, që do të paraqitet në mbledhjen e ardhshme të KE-së. Gjithsesi, verdikti duket se është dhënë: Superiorja mbetet me 12 skuadra, ndërsa Partizani, Elbasani, Lushnja e Bylis do të jenë pjesë e Kategorisë I.