E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushqimi, 20% e të rinjve hanë në "fast-food" çdo ditë

Mënyra e ushqimit si një nga faktorët më të rëndësishëm të rritjes dhe shëndetit po ndryshon negativisht në jetën tonë, në mënyrë të veçantë të të rinjve. Rreth 20 për qind e moshave të reja hanë pothuajse çdo ditë ushqime të shpejta, fast-food, me shumë yndyrë, kalori dhe mbi të gjitha pa vlera të vërteta ushqyese. Por jo vetëm kaq, një pjesë e mirë e nxënësve, plot 10 për qind prej tyre, shkojnë në shkollë pa ngrënë mëngjes, ose dhe kur hanë, mëngjesi i tyre mund të quhet vetëm një gotë me qumësht. Peshku, zarzavatet, frutat për një pjesë të familjeve shqiptare janë të papërballueshme, ndërkohë që produktet e detit mund të konsumohen deri dhe vetëm një herë në vit.

Preferencat e të rinjve janë për produkte të skuqura dhe me kripë. Rreth 20 për qind e nxënëseve të shkollave të mesme të vendit konsumojnë çdo ditë hamburgerë dhe sanduiçë, kurse 4% e tyre këto ushqime i përdorin tri herë në ditë.

Informacioni jepet nga një studim i Institutit të Shëndetit Publik lidhur me ushqyerjen.

Studimi

Janë intervistuar 1040 nxënës nga gjimnazet e Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës. Qëllimi i këtij studimi ishte evidentimi i stilit të të ushqyerit te brezi i ri, si dhe faktorët socialë dhe ekonomikë që vetëm ndikojnë në cilësinë dhe sasinë e ushqimeve që ata marrin. Sipas të dhënave, 20.2% e të rinjve konsumojnë ushqime të tipit "fast food" 2-4 herë në javë, kundrejt 7.4% prej tyre që këto ushqime i konsumojnë 5-6 herë në javë. Vitaminat janë përdorur vetëm nga 30% e të rinjve të anketuar.

Rreth 96% e tyre pohojnë se përdorin ushqime të skuqura dhe 16% e rinisë pohojnë se nuk kanë ngrënë gjatë një viti asnjëherë peshk. Sipas studimit të ISHP-së, gjimnazistët preferojnë frutat, ndërkohë që rreth 4/5 e të intervistuarve në total raportojnë se shtojnë kripë në ushqim. Rekomandimet e specialistëve të ISHP, në fund të studimit janë për prindërit. Shëndeti publik këshillon që të afërmit duhet të bëjnë punë edhe më bindëse me fëmijët e tyre, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë me stilit e ushqyerjes së fëmijëve. Ata duhet të kontrollojnë dietën e tyre ushqimore dhe të shpjegojnë se konsumi i frutave dhe perimeve ndihmon mirërritjen e tyre dhe në rritjen e imunitetit për sa i takon gjendjes shëndetësore. Konsumi i bukës së zezë në vend të bukës së bardhë ka më tepër vlera ushqyese për organizmin.

Obeziteti

Në vendin tonë, 24% e meshkujve dhe 19% e femrave janë obezë. Ndërkohë që pas moshës 55-vjeçare pjesa më e madhe e këtyre personave kanë nevojë për trajtim klinik. Të dhënat i jep Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sipas raportit të kësaj organizate, në lidhje me shëndetin në vendet e Europës, Shqipëria rezulton se ka popullin më të shëndoshë të të gjithë rajonit. Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Maqedonia, treguesit për obezitetin i kanë disa herë më të ulët. Sakaq, patatinat, biskotat, yndyrat, fast-food me shumë kalori e mbi të gjithë moskonsumimi i llojshmërisë ushqimore dhe produkteve të nevojshme për organizmin do të stimulonte kequshqyerjen te fëmijët dhe të rinjtë, duke u dhënë më pas atyre shqetësime serioze me shëndetin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›