E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana: Në Angli, për t‘u matur me yjet

Afro dy javë pasi ka zgjedhur Sandërlendin si skuadrën ku do të vazhdojë karrierën, Lorik Cana detyrohet të largohet nga "macet e zeza", për t‘iu bashkuar Kombëtares. Dje në mbrëmje, mesfushori u paraqit në hotel "Tirana Internacional", për grumbullimin e përfaqësueses përpara miqësores së 12 gushtit me Qipron. Pak përpara se të vendosej nën urdhrat e trajnerit Josip Kuzhe, 26-vjeçari deklaron se zgjodhi Premierligën angleze, për të luajtur kundër disa prej futbollistëve më të mirë në botë. Cana, i transferuar nga Olimpik Marseja për 6 milionë euro, synon t‘i shtojë muskuj dhe tru lojës së skuadrës në kampionatin e ri. Në Ligën 1 franceze, kuqeziu mori nofkën "shkatërruesi", por ai nuk preferon të shihet vetëm si një lojtar i fortë. "Po, është e vërtetë: jam i fortë dhe luftoj shumë në fushë. Kjo është një prej karakteristikave kryesore të lojës time. Megjithatë, jam edhe një futbollist taktik, pasi është e pamundur të luash në Premierligë pa këtë cilësi", u shpreh Cana. "Në Angli luajnë shumë prej futbollistëve më të mëdhenj në botë dhe dua të tregoj nivelin tim kundër këtyre yjeve. Gjatë gjithë jetës kam ëndërruar të luaj në këtë aktivitet, që është Liga më e njohur dhe më e pëlqyer në botë. Mendoj se do të paraqitem në nivelin e duhur, në të kundërt, nuk do të ndodhesha këtu". Fillimisht u mendua se shqiptari do të ishte kapiteni i Sandërlendit, por ai theksoi: "Nuk kam biseduar me trajnerin Stiv Brus për këtë çështje. Momentalisht jam i përqendruar të arrij formën optimale, por mendoj se ndoshta do të ishte më mirë nëse kjo detyrë i besohet një lojtari që e njeh më mirë klubin dhe lojtarët. Unë mundohem gjithmonë të jem kapiten në rolin tim. Gjithsesi, ky mbetet vendimi i trajnerit".

Për shkak të ngarkesës dhe faktit që gjatë fundjavës së ardhshme do të debutojë në kampionatin anglez, mesfushori pritet të mos luajë më shumë se 45 minuta në "Qemal Stafa" kundër qipriotëve. Impenjimi i Canës me Kombëtaren nuk u prit mirë nga trajneri Stiv Brus. Drejtuesi i stolit të Sandërlendit është i zemëruar, pasi përveç shqiptarit, ai duhet të punojë edhe pa 12 lojtarë të tjerë (të gjithë të grumbulluar me përfaqësueset respektive), kur mungojnë vetëm pak ditë nga fillimi i kampionatit. Kjo ishte edhe arsyeja përse kuqeziu luajti vetëm 34 minuta, në miqësoren e barazuar 1:1 me Harts. "Është një situatë qesharake, por tani asgjë nuk më habit", u shpreh tekniku. "Do të më duhet të punoj pa 13 lojtarë, në një kohë kur të shtunën e ardhshme do të luajmë ndeshjen e parë të kampionatit. Prej impenjimeve me Kombëtaret, u detyrova të lija titullarët jashtë formacionit".

Të vetmit që munguan në grumbullimin e djeshëm ishin portieri Samir Ujkani, sulmuesi Hamdi Salihi, që mbërrijnë sot në mesditë dhe mbrojtësit Debatik Curri dhe Armend Dallku, të cilët do t‘i bashkohen ekipit në orët e vona të mbrëmjes. Ndërkohë, Kuzhe vendosi të mos e zëvendësojë talentin vlonjat, Franc Veliu, i cili po testohet te skocezët e Sëlltik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›