Tensioni te Vllaznia, 3-4 lojtarë mendojnë largimin
Tensionet e fundit të krijuara në radhët e Vllaznisë kanë bërë që situata brenda skuadrës të mos jetë e qetë. Vetëm 16 ditë nga nisja e kampionatit të ri, shumë futbollistë po mendojnë të largohen nga radhët e kuqebluve. Shkak janë bërë çështjet e amplifikuara nga drejtuesit e klubit: ku gjatë këtyre javëve të fundit në "shënjestër" ishin disa prej elementëve kryesorë të skuadrës së Hasan Likës. Menjëherë pas kupave të Europës, "plasën" polemikat me Grimën dhe Sinanin, për të cilët presidenti Fushaj kishte deklaruar se do t‘i gjobiste, prej kartonëve të kuq që morën në sfidat përballë Sligo Rovers dhe Rapidit të Vjenës. Kërcënimet e dy "veteranëve" se do të largoheshin, detyruan krerët shkodranë të tërhiqen. Së fundmi, në çështje janë kthyer mbrojtësi Elvin Beqiri, mesfushori Amarildo Belisha, të cilët kanë një javë kohë për të gjetur një ekip të ri, por edhe portieri Olsi Bishani, që klubi kërkon ta kalojë kundër dëshirës në formë huazimi tek Apolonia. Debatet me futbollistët më të rëndësishëm, prishën humorin e pjesës tjetër të grupit, që nuk sheh me optimizëm nga e ardhmja. Pas ngjarjeve të fundit, edhe lojtarët e tjerë ndihen të pasigurt, madje 3-4 prej tyre po shqyrtojnë mundësinë e largimit përpara se të shndërrohen në objektin e radhës. Kjo është konfirmuar nga burime të mirinformuara pranë nënkampionëve: "Të gjithë janë të zhgënjyer për mënyrën sesi drejtuesit po i menaxhojnë situatat e krijuara brenda grupit. Klima brenda skuadrës nuk është e mirë dhe raportet e krijuara kanë bërë që Vllaznia ta ketë të vështirë të përqendrohet te përgatitjet e fundit në Pukë. Fakti se në momentin e fundit mund të shihen si të padëshiruar, ka sjellë që 3-4 elementë të mendojnë largimin".