Fëmijët para ekranit të televizorit: më e rrezikshme nga sa mendonim
Nuk është i panjohur fakti që jeta sedentare ka ndikim të jashtëzakonshëm tek obeziteti dhe përkeqësimi i shëndetit. Por jo të gjitha sjelljet sedentare kanë të njëjtin efekt, kjo sipas një studimi të fundit që analizon lidhjen mes presionit të gjakut te fëmijët dhe zgjedhjes së tyre për të kaluar kohën në mënyrë pasive që përfshin shikimin e televizorit, lojërat në kompjuter apo leximin. Disa studiues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Spanjë kanë bashkëpunuar për një studim në të cilin janë përfshirë 111 fëmijë të moshës nga 3 deri në 8 vjeç. Në përfundim ata zbuluan se nga të gjitha format e qëndrimeve pasive që u morën në shqyrtim, qëndrimi përpara televizorit me orë të zgjatura, ishte më i dëmshmi, pasi lidhej me presionin e lartë të gjakut. Sa më shumë televizor të shohin fëmijët, aq më i lartë është presioni i gjakut dhe efektet e kësaj janë shumë të rënda, pavarësisht peshës së fëmijës. Për më tepër, sjellje të tjera sedentare, si përdorimi i kompjuterit, nuk ishin të lidhura me një risk të tillë, pra me përfshirje të presionit të gjakut. Këto rezultate tregojnë se jeta sedentare dhe më saktësisht qëndrimi i stërzgjatur para ekranit lidhet me nivelin e presionit të gjakut dhe me shkallën e obezitetit. Për të përcaktuar nivelin e inaktivitetit, gjatë një jave, fëmijët që morën pjesë në këtë studim, mbajtën açelerometra, një aparat që mat rrahjet e zemrës gjatë 24 orëve dhe në të gjitha situatat në të cilat ndodhet trupi: shtrirë, duke ndenjur, apo në lëvizje. Studiuesit e cilësuan një nivel të caktuar rrahjesh të zemrës, gjatë një dite, si një nivel sedentar. Të dhënat që morën nga fëmijët përmes aparatit i bënë bashkë me të dhënat e ofruara nga secili prej prindërve dhe kështu arritën që të dilnin në përfundimin se presioni i gjakut sa vjen e bëhet më i lartë me kalimin orëve të një fëmijë para ekranit të televizorit. Në javën e provës fëmijët në përgjithësi kaluan një pesë orësh në ditë në mënyrë sedentare dhe nga këto 1.5 orë u kaluan para televizorit. Gjatë kësaj kohe shkencëtarët vunë se presioni i gjakut ishte rritur shumë dhe se ekzistonte lidhje shumë e fortë dhe e ndjeshme mes tij dhe qëndrimit para ekranit. Fëmijët që shihnin çdo ditë nga 90 deri në 330 minuta televizor kishin një presion gjaku të tipit stolik dhe se krahasuar me presionin e gjakut kur fëmija bënte një tjetër veprim sedentar (lexim, kompjuter) ai ishte shumë më i ndryshëm. Rezultatet e studimit u botuan në faqet e revistës shkencore "New Scientist" dhe sipas kërkuesve, bëhet fjalë për një alarm të vërtetë. Kjo pasi fëmijët e një moshe të caktuar, kryesisht deri në pubertet, kalojnë një kohë shumë të gjatë para ekranit të televizorit dhe pasojat e një ndenjeje të tillë sedentare dhe të gjatë do të shfaqen më vonë në jetën e tyre. Sipas statistikave, pjesa më e madhe e fëmijëve, nga mosha 4 deri në moshën 12-vjeçare, kalojnë mbi tri orë në ditë para ekranit të televizorit dhe ky numër shtohet gjatë stinës së dimrit, kur shpesh televizori është e vetmja mundësi që kemi për t‘u argëtuar. Prindërit duhet që t‘u gjejnë fëmijëve mënyra të tjera për të kaluar kohën, qoftë edhe duke i izoluar nga ekrani i televizorit, pasi kjo u rrezikon seriozisht shëndetin. Një nga mjekët e grupit të studimit bëri të ditur se koha e përshtatshme dhe e lejueshme e qëndrimit para ekranit është jo më shumë se dy orë në ditë dhe kjo me pauza njëorëshe. Vetëm në këtë kohëzgjatje, ekrani i TV nuk do të shndërrohet në një "ekran vrasës", por do të jetë një mjet zbavitës e edukues. Nëse fëmijët do të abuzojnë me të, si çdo gjë tjetër me të cilën kalohet masa, edhe ai do të jetë joproduktiv.