Cana: Në fushë jap zemrën prej Kosovës
Sandërlendi i besoi shiritin e kapitenit vetëm pak javë pasi "zbarkoi" në kampionatin anglez, por Lorik Cana ka një arsye më të fortë për të qenë një luftëtar në fushat e Premierligës: kujtimet për luftën në Kosovë. "Vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës më japin më shumë forcë në fushë. Gjithmonë kërkoj të jap më të mirën, në mënyrë që familja dhe populli im të ndihen krenarë me mua. Ky është objektivi im", tha mesfushori 26-vjeçar. "Lufta është e tmerrshme, ishte periudhë e vështirë. Ajo që ka ndodhur më jep energji, për të dhënë maksimumin kudo që luaj". Cana kujton edhe momentin kur zgjodhi të luante me Shqipërinë: "Nëse do të prisja edhe pak mund të isha në Kombëtaren franceze, por e kisha detyrë të përfaqësoja Shqipërinë. Jemi një vend i vogël, me një skuadër që nuk është mes më të mirave, por jam krenar që luaj me këtë fanellë".