E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria U-17, sot në fushë përballë Hungarisë

Përfaqësuesja Under-17 fillon sot aventurën e saj në Hungari, për eliminatoret e Kampionatit Europian të kësaj moshe. Skuadra e drejtuar nga Ardian Mema luan në Grupin 11, përkrah Kombëtares së vendit organizator dhe Sllovakisë e Luksemburgut. Mes 18 të grumbulluarve bie në sy prezenca e tre lojtarëve që militojnë jashtë vendit: ata janë Fabio Hoxha (Inter), Flavio Xhani (Palermo) dhe Benkert Abdija (Groseto). Sfida e parë për kuqezinjtë është ajo që do të luhet sot në orën 17:30 kundër hungarezëve, ndërsa takimet e tjera janë me Sllovakinë (më 27 shtator) dhe Luksemburgun (më 29 shtator). Për të bërë një paraqitje sa më të mirë në ndeshjet zyrtare, trajneri Mema zhvilloi një grumbullim stërvitor njëjavor me të gjithë futbollistët, nga data 18 deri më 24. Shqipëria është mes 52 përfaqësueseve kontinentale që do të luajnë në fazën eliminatore: përfaqësueset U-17 janë ndarë në 13 grupe me nga katër skuadra secila. Shanset për kualifikim në fazën tjetër janë mjaft të mira, pasi dy skuadrat e klasifikuara në vendet e para të secilit grup vazhdojnë aventurën drejt "Elite Round". Sipas skemës, atyre u shtohen edhe dy vendet e treta më të mira të këtyre eliminatoreve. Në turin e tyre, ndeshjet e të cilit zhvillohen në pranverën e vitit 2010, ekipet fituese të shtatë grupeve do t‘i bashkohen Lihtenshtejnit, vendit organizator të Europianit U-17.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›