E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezha vajton, Brian Filipi përcillet në banesën e fundit

Lezha dhe i gjithë futbolli shqiptar i ka dhënë lamtumirën e fundit Brian Filipit. Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor kanë organizuar ceremoninë mortore të lojtarit 20-vjeçar, në ambientet e stadiumit "Besëlidhja". Për homazhet, arkivoli me trupin e pajetë ishte mbuluar nga fanellat e Kombëtares kuqezi dhe të ish-skuadrës së tij, Ravenës. Figura të njohura të sportit, përfaqësues të pushtetit vendor, miq, gjimnazistë, futbollistë të skuadrave zinxhir të Besëlidhjes, por edhe qindra njerëz të thjeshtë morën pjesë në ceremoninë mortore të zhvilluar dje në qytetin e lindjes së djaloshit të pafat. Ai humbi jetën të premten e kaluar, kur gjatë shëtitjes në rrugën e Çervias, u godit për vdekje nga një makinë me shpejtësi, e cila drejtohej nga një grua 52-vjeçare. Presidenti i FSHF-së, Duka, disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv në këtë institucion, drejtori i Sporteve në MTKRS, Vasil Bici, prefekti Marku, kryebashkiaku Tusha, shokët e Filipit në përfaqësueset e moshave, ku spikasnin lojtarët e Tiranës, Malindi, Sorra, Sabien Lilaj, Karabeci e Ditmar Bici e shumë të tjerë përshëndetën për herë të fundit Filipin.

Brian Filipi lindi në Lezhë më 11 gusht të vitit 1989. Prej tri sezonesh ai militonte me fanellën e Ravenës, ku gjatë sezonit të kaluar debutoi në Divizionin e Parë të Ligës Pro. Në 23 ndeshje të luajtura, ai realizoi 5 gola, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të rëndësishme italiane. Në janar të këtij viti, Palermo bleu gjysmën e kartonit të 20-vjeçarit, por në merkaton e verës sicilianët vendosën të mos e blejnë përfundimisht mesfushorin me tipare sulmuese, i cili qëndroi me Ravenën. Filipi ishte aktivizuar me Kombëtaren U-19 të Shqipërisë, ndërsa së fundmi ishte pjesë e përfaqësueses Shpresa. Humbja tragjike e lojtarit shqiptar u la disi në hije nga Federata e Futbollit në Itali (FIGC). Por, për të nderuar kujtimin e tij ka menduar një prej klubeve më të mëdha në Serinë A, Lacio. Skuadra romane do të luajë një ndeshje miqësore me Ravenën për Filipin. Ideja e miratuar më pas nga drejtuesit e të dyja klubeve ka ardhur nga trajneri bardhekaltër Balardini dhe nga drejtori sportiv, Igli Tare. Një gjest mjaft fisnik nga ana e ish-kapitenit të Shqipërisë, që i kundërpërgjigjet në këtë mënyrë drejtuesve italianë të futbollit, që në "minutën e heshtjes" gjatë ndeshjeve të fundjavës së kaluar për ushtarët e vrarë në Afganistan, nuk e cituan asnjëherë emrin e Filipit. "E falënderoj Lacion në emër të klubit Ravena, për ndjeshmërinë që treguan ndaj kësaj humbjeje dhe për miqësoren në kujtim të Brianit", tha drejtori sportiv i skuadrës nga Emilja-Romanja, Bufone. "Pengesa e vetme është data e zhvillimit të ndeshjes: 8 tetori do të kishte qenë një ditë perfekte, por fatkeqësisht 24 orë më parë Ravena luan në Kupë. Gjithsesi po punojmë për të gjetur një zgjidhje, sepse nuk duam ta humbasim rastin që të nderojmë Filipin".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›