Grabisin pasagjerët, pasi iu jepnin pije
Arrestohet Fisnik Hajro, 57 vjeç, banues në Tiranë dhe Astrit Habili, 72 vjeç, banues në fshatin Vranisht të rrethit Vlorë. Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mashtruar Ali Mahmuti, 67 vjeç, banues në Tepelenë dhe Sulo Mehmet Çiçi, 71 vjeç, banues në Tepelenë, duke i marrë në qytetin e Gjirokastrës, si pasagjer, në mjetin e tyre tip Volksvagen “Golf”, me targa TR 2210 C, ku gjatë rrugës u kanë dhënë të dyve për të pirë, një pije me ngjyrë të verdhë, si pasojë e të cilës të dy këta shtetas kanë humbur ndjenjat. Të ndaluarit dyshohet t’u kenë vjedhur të dëmtuarve, nën efektin e pijes, 600 euro, 30.000 lekë dhe dy telefona “Nokia”, në vendin e quajtur “Qafa e Muzinës”. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti TR 2210 C dhe 5 shishe plastike, të mbushura me lëng, me ngjyrë të verdhë dhe jeshile, të cilat do të dërgohen për ekzaminim. Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për hetime të mëtejshme për veprat penale “Vjedhje” dhe “Mashtrimi” të kryera në kushtet e bashkëpunimit parashikuar nga nenet 134/2 , 143/2, të Kodit Penal.